FIFA e UEFA suspendojnë Bosnjën

Ashtu siç është pritur, FIFA dhe UEFA kanë marrë vendim të premten për ta suspenduar Federatën e Futbollit të Bosnjës dhe Hercegovinës nga të gjitha garat ndërkombëtare. Kjo pasi boshnjakët nuk i kishin bërë disa ndryshime në statutin e tyre, në përputhje me rregulloret e FIFA-s e UEFA-s.
Kuvendarët e Federatës boshnjake para pak ditëve nuk kishin arritur që t’i përmbushnin urdhrat e FIFA-s e UEFA-s. Prej 54 delegatëve të atij Kuvendi, vetëm 22 nga ta votuan pro ndryshimeve në statutin e tyre.
Andaj, përfaqësuesja e Bosnjës dhe klubet e këtij shteti nuk kanë të drejtë pjesëmarrje nëpër gara ndërkombëtare derisa ata i bëjnë ndryshimet në statut siç kërkojnë ndërkombëtarët.
Bosnja ishte pjesë e Grupit D të eliminatoreve për Euro 2012, bashkë me Shqipërinë, të cilës i shkon përshtati ky vendim i FIFA-s e UEFA-s. Sipas orarit, kuqezinjtë ndeshjen e radhës duhet ta zhvillonin si mysafirë të Bosnjës.
Aktualisht Franca prinë në Grupin D me 12 pikë, derisa Bjellorusia e Shqipëria ndajnë pozitat dy dhe tre me nga tetë pikë, një më shumë sesa Bosnje e Hercegovina që gjendet në vendin e katërt, e cila pas vetës ka Rumaninë me 5 pikë dhe Luksemburgun me 1 pikë.