E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, apel për Rëne: Duam ndihmë!

Barazimi 0-0 i Olimpikut të Marsejës me Le Manshin, ka lënë të zhgënjyer Lorik Canën, i cili e sheh këtë si një mundësi të humbur për të siguruar vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në Ligën e kampioneve. Kapiteni i marsejezëve ka zhvilluar një tjetër ndeshje të shkëlqyer në fazën difensive, por shokët e tij të skuadrës e kanë pasur të pamundur të shënonin në portën kundërshtare për të marrë tri pikët që do të ndihmonin ekipin për të arritur objektivin sezonal.

"Ne e interpretuam në mënyrën më të mirë këtë ndeshje dhe krijuam shumë raste, por kemi humbur në mënyrë të çuditshme gola të sigurt. Ky rezultat ishte zhgënjyes edhe për faktin se tashmë nuk është më vetëm në dorën tonë kualifikimi për në Ligën e Kampioneve", u shpreh ai për mediat franceze gjatë stërvitjes së djeshme. Olimpiku i Marsejës mund të marrë vendin e tretë vetëm nëse fiton ndaj Strasburgut dhe Nensi nuk fiton ndaj Rëne në javën e fundit të kampionatit. Duket se Cana beson se një gjë e tillë mund të ndodhë, pavarësisht tolerimeve të zakonshme që ndodhin në këtë pikë të sezonit. "Kjo javë do të jetë shumë e vështirë për ne, pasi e dimë se në rast fitoreje të rivalit tonë në ndeshjen që ka në shtëpi, ne nuk do të jemi në vendin e tretë në renditje. Por ne duhet të bëjmë punën tonë dhe do të bëjmë maksimumin për të dhënë atë që pritet prej nesh, pra të fitojmë me Strasburgun. Më pas, do të na duhet të presim hapin e gabuar të Nensit. Por nëse në fund ata do të jenë përsëri para nesh në renditje, atëherë nuk na mbetet gjë tjetër veçse t‘i përgëzojmë dhe t‘u urojmë sukses në turneun ku do të marrin pjesë", u shpreh Cana.

Megjithatë, futbollisti shqiptar i bën një apel skuadrës së Rëne, e cila do të luajë kundër Nensit me një objektiv shumë të qartë, pjesëmarrjen në Kupën UEFA. "E dimë që Rëne ka një shans për të shkuar në Kupën UEFA nëse fiton ndaj Nensit dhe ne shpresojmë që të kemi një ndihmë nga ata. Megjithatë, duhet të mendojmë më shumë se si të fitojmë ndeshjen tonë kundër Strasburgut, duke shpresuar që më pas të gëzohemi për vendin e tretë. Është komentuar shumë se gjatë javëve të fundit kemi shkatërruar sezonin, por ju e keni parë se gjatë këtij viti kemi pasur një ngritje të ndjeshme në lojën tonë, ndaj të thuash se kemi dështuar, do të ishte një mashtrim", deklaroi Cana. E ardhmja e mesfushorit të përfaqësueses shqiptare është e lidhur ngushtë me pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, pasi futbollisti ka deklaruar se ai do të largohet nga Olimpiku i Marsejës nëse kjo skuadër nuk konfirmohet mes më të mirave në Evropë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›