Moto Rally Albania, spektakël në Vlorë
Dje në Vlorë është organizuar dita finale e garës Moto Rally Albania, në të cilën kanë marrë pjesë 62 motoçiklistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Greqia, Italia, Norvegjia, Irlanda, dhe shtete të tjera. Gjatë gjithë ditës, motoçiklistët kanë garuar në plazhin e "Ujit të ftohtë", ku ishte ndërtuar edhe pista e garës. Kjo ishte hera e parë që në Vlorë organizohet ky aktivitet, i cili ka tërhequr mjaft spektatorë. Adrenalinë, emocione dhe mjaft duartrokitje kanë shoqëruar 62 motoçiklistët gjatë gjithë garës të ndarë në tri etapa. Kreu i turizmit në Bashkinë e Vlorës, Ilir Metaj, tha se Moto Rally Albania u la qëllimisht për ditën e fundit të festës zyrtare të çeljes së sezonit turistik, për t‘i dhënë qytetit të Vlorës këtë të diel emocionet dhe atmosferën e festës që do të zgjasë gjatë gjithë verës. Sipas tij, Moto Rally Albania këtë vit kishte një audiencë të gjerë dhe heterogjene, pasi spektatorë të saj u bënë shumë vizitorë që tashmë kanë nisur të vijnë në Vlorë për të kaluar sezonin turistik dhe ditët e verës, edhe pse pjesa më e madhe e tyre ishin pushues ditorë. Sipas organizatorëve të Garës së Motoçiklistëve, ajo që është lënë prioritet gjatë këtij kampionati ka qenë jo marrja e çmimit nga më të mirët, por që të gjithë pjesëmarrësit të dhuronin spektakël për shikuesit e shumtë, spektakël ky i garantuar nga motoçiklistët. Pista e garës, e ndërtuar në plazhin publik, ishte një terren i vështirë rëre, ku përveç rrugës së drejtë, ishin ndërtuar edhe pengesat, kalime rreth 2 metra nga sipërfaqja e tokës, masive dheu, apo kthesa të ngushta që vështirësonin garën e pjesëmarrësve. Në këtë aktivitet mjaft të veçantë spikati ekipi kosovar, i cili dominoi në pjesën më të madhe të garave, duke u shpallur fitues i këtij turneu. Organizatorët e Moto Rally Albania bënë të ditur se po përgatiten për një kampionat ndërkombëtar të këtij sporti, i cili do të organizohet në vendin tonë gjatë muajit qershor. Itinerari i saj do të jetë shumë më i gjerë dhe garuesit me motorë apo makina duhet të përshkojnë një distancë më të largët në këtë garë ku pritet një pjesëmarrje më e gjerë sportistësh.