E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana beson në vlerat e Sunderlandit

Kapiteni i klubit anglez Sunderland, Lorik Cana është i bindur se skuadra e tij nuk do të largohet nga Premier Liga në fund të këtij kampionati.

Sunderland nuk ka shënuar asnjë fitore prej muajit nëntor të vitit të kaluar, kur e kishte mposhtur Arsenalin me rezultat 1:0. Pikërisht me këtë ekip, Sunderland do të ndeshet si mysafir të shtunën.

Mesfushori i përfaqësueses së Shqipërisë, Lorik Cana beson se ‘Macet e Zeza’ kanë vlera të mjaftueshme për të qëndruar në Premier Ligë.

“Kur kalojnë dy muaj pa asnjë fitore, dihet se jemi duke shkuar në zonën e rrezikshme që të çon në një rang më të ulët. Renditja tabelore është bërë e vështirë, sepse klubet rreth nesh kanë krijuar distancë të lartë pikësh. Por, ne nuk jemi duke u frikësuar aq shumë për të rënë nga Liga. Ne jemi të përqendruar që të fitojmë në ndeshjet e radhës me qëllim që ta përfundojmë mirë kampionatin”, ka deklaruar Cana për mediet angleze.

Ai thotë se Sunderland e meriton të mbetet pjesë e Premier Ligës angleze, ngase ka cilësi për ta bërë një gjë të tillë.

“Mendoj se skuadra ka mjaft cilësi për t’u ngjitur më lart në tabelë, por në këto dy muajt e gjysmë kishim probleme me lëndime ose lojtarët vinin nga lëndimet dhe nuk ishin në nivelin e duhur. Në Premier Ligë nuk mund të arrish të fitosh rezultate të mira me kësi problemesh. Ajo çfarë duhet të bëjmë është të mbajmë gjallë shpirtin luftarak dhe të provojmë të marrim sa më shumë pikë që mundemi”, ka thënë reprezentuesi shqiptar.

Cana tregon ofertën nga Arsenal

Kapiteni i Sunderlandit, Lorik Cana ka konfirmuar se mund të kishte luajtur për kundërshtarin e fundjavës, Arsenal. Ai ishte refugjat në Zvicër pasi familja e tij ishte detyruar të largohej pas shpërthimit të luftës në Kosovë. “Kam qenë i ftuar nga Arsenal për prova kur isha 16 vjeç, por nuk kam mundur të shkoj për shkak të problemeve me vizë. Nuk kam pasur dokumentacionin e nevojshëm. Kur jeni refugjat në një shtet, ju nuk mund të largoheni nga ai shtet. Pastaj kam luajtur në Francë dhe isha i lumtur me këtë”, tha Cana për Sunderland Echo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›