E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, nis beteja e re e Rusisë

• Republika e Kosovës do të kalojë një muaj të vështirë pas vendosjes së Rusisë në krye të Presidencës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo është një presidencë në rotacion për 15 vendet anëtare që zgjat një muaj dhe rusët nuk kanë vonuar të përgatisin “hakmarrjen” ndaj bujarisë amerikane për Kosovën në përkrahjen e flaktë të pavarësisë së saj nga Serbia. Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin është takuar dje me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, tek i cili ka paraqitur axhendën e një mujorit rus në krye të presidencës, dhe siç pritej, Kosova do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit. Nuk do të ketë asgjë të mirë për Kosovën në këto takime, përkundrazi, përpjekje të dendura diplomatike ruse për të anuluar pavarësinë e Kosovës dhe njohjen nga pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian dhe diplomacitë perëndimore. Madje Rusia mund të përpiqet të përpilojë një rezolutë të re për ta anuluar pavarësinë dhe për të nxjerrë jashtë territorit të Kosovës misionin e Bashkimit Evropian, EULEX. Rusia, ashtu si edhe Serbia e ka vlerësuar si ilegal këtë mision. Por nuk do të ketë asnjë rezolutë të tillë, sepse Kosova e di fort mirë që mund të ketë besim te vetoja e SHBA-ve për një veprim të tillë. Më shumë se Serbia, është Rusia ajo që duhet të shihet si “armiku” i vërtetë i pavarësisë së Kosovës. Duke përkrahur gjithmonë aleatët e tyre shumëvjeçarë, serbët, diplomatët rusë kanë premtuar mbështetje të fuqishme kundër pavarësisë së Kosovës me të gjithë mënyrat e mundshme. Ishte Rusia ajo që ka penguar zgjidhjen e statusit të Kosovës duke çuar drejt një pavarësie të njëanshme, ajo që ka shtyrë negociatat mes dy palëve dhe ajo që ka refuzuar disa rezoluta të reja propozuar nga SHBA dhe BE në Këshillin e Sigurimit, të cilat kanë propozuar një shkëputje elastike të Kosovës nga Serbia. Për më tepër, ambasadori rus në Bashkimin Evropian, Rogozin, ka deklaruar se Rusia do të jetë e gatshme të ndërhyjë në Kosovë edhe me forcë, në rast se institucionet e reja të Kosovës, për të cilën konsiderohen ilegale, të ushtrojnë presion mbi serbët e veriut të Mitrovicës për të pranuar autoritetin e tyre. Të njëjtën deklaratë Rogozin e ka përmendur edhe për NATO-n po mbi veprimtarinë e saj në Kosovë. Eshtë dëgjuar shpesh nga analistët e politikës botërore se Kosova është kthyer në një pikë të fortë konflikti mes SHBA-së dhe Rusisë, madje do të jetë pikërisht pavarësia e Kosovës ajo që do të çojë këto dy vende drejt një Lufte të re të Ftohtë. Rusia po përpiqet të tregojë me Kosovën se ajo është kthyer e pushtetshme dhe asgjë nuk mund të vendoset në politikën botërore pa miratimin e saj. Tashmë Rusia është zotuar se Kosova mund të shijojë të vetëquajturit shtet i pavarur, por ajo që duhet të ketë parasysh ky vend është se nuk do të ketë kurrë ulëse në Kombet e Bashkuara dhe nuk do të mund të bëhet kurrë pjesë e institucioneve ndërkombëtare. Por Kosova tashmë ka marrë premtimin e BE-së se ajo, si i gjithë rajoni ballkanik do të jenë të përfshira në një të ardhme jo të largët brenda Bashkimit Evropian.             Crauford: Kosova në takimin Bush-Rasmussen Kosova pas shpalljes së pavarësisë dhe zhvillimet në rajonin ballkanik do të jenë një nga çështjet thelbësore të bisedimeve mes Presidentit amerikan, Xhorxh Bush dhe Kryeministrit të Danimarkës Anders Fog Rasmusen. Bush e ka ftuar Kryeministrin danez në fermën e tij në Crauford, Teksas, ku të dy liderët do të ndajnë opinionet e tyre për çështje të diskutueshme ndërkombëtare. SHBA ishte në valën e parë të vendeve që njohën pavarësinë e Kosovës, ndërsa Danimarka e dërgoi deklaratën e njohjes së saj zyrtare pak ditë më parë. Gjukanoviç: Mali i Zi s’është kushtëzuar ta njohë Kosovën  “Mali i Zi do të përcaktohet ndaj çështjes së Kosovës, duke respektuar interesat nacionale dhe për këtë nuk na nevojitet trimëria, siç kërkon opozita, por urtësia”, ka deklaruar kryeministri i sapo zgjedhur malazez, Milo Gjukanoviç. Duke u përgjigjur në qëndrimin e opozitës se Mali i Zi duhet të zgjedhë Beogradin apo Prishtinën, Gjukanoviç ka thënë se ka zgjedhur një rrugë tjetër, zhvillimin e marrëdhënieve të mira me Prishtinën dhe Beogradin, por edhe me Sarajevën, Zagrebin dhe Lubjanën. Liberalët serbë në rrezik  Aktivistët për të drejtat e njeriut në Serbi kanë ngritur alarmin mbi nxitjen e dhunës dhe shkeljen e lirisë së fjalës në një shkallë të lartë nga autoritet serbe. Sipas raporteve të tyre, as nën regjimin e ish-presidentit Sllobodan Milosheviç nuk ka pasur regjim kaq të ashpër. 44 organizata jo-qeveritare kanë bërë thirrje për një hetim të deklaratave të Ministrit të Infrastrukturës, Velimir Iliç për ato që ata i quajnë thirrje për dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, duke rrezikuar liberalët, që shpesh kanë njoftuar për kërcënime të hapura. Koshtunica ndan stema antipavarësi Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ka organizuar dje një miting në Beograd, i cili kishte nota të theksuara kundër pavarësisë së Kosovës. Koshtunica ka premtuar se nuk do të dorëzohet kurrë derisa të marrë sërish Kosovën brenda Serbisë. Ai ka shpërndarë stema dhe fletushka “Kosova është Serbi” dhe ka bërë thirrje që të respektohet nga ndërkombëtarët Rezoluta 1244, e cila sipas tij është shkelur me njohjen e aktit të njëanshëm të pavarësisë.      Bush-Shefer takohen për Kosovën Presidenti amerikan, Xhorxh Bush dhe shefi i NATO-s, Jap de Hop Shefer, diskutuan gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, mbi Kosovën konfliktin në Afganistan, planet amerikane rreth mbrojtjes raketore dhe përgatitjet për takimin e Bukureshtit në prill. “Misioni i NATO-s në Kosovë është misioni i dytë më i rëndësishëm për Aleancën. 16 mijë trupa të NATO-s janë aty për t’i mbrojtur gjithë kosovarët, shumicën, pakicën, shqiptarë dhe serbë, në mënyrë që Kosova të ketë një të ardhme”, tha Jap de Hop Shefer në takimin me Bush. Presidenti amerikan nënvizoi rëndësinë e NATO-s në rajon. “E çmoj shumë rolin e NATO-s dhe ndihmën që jep për të krijuar stabilitet në Ballkan”, tha Bush. Kacin: Njohja kryesore do të jetë nga Serbia Deputeti i Parlamentit Evropian, njëkohësisht raportues për Serbinë, Jelko Kacin, ka vlerësuar se njohja më e rëndësishme për Kosovën do të jetë njohja nga Serbia. “Në këtë çast emotiv për Serbinë, e kuptoj retorikën e ashpër dhe kërcënuese të disa politikanëve, por praktika duhet të jetë pasojë e arsyes dhe e vlerave evropiane”, por tani është me rëndësi të forcohen marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të nxitet rritja ekonomike dhe të ndihmohen integrimet evropiane. Kosova është shtet, dhe serbët e Kosovës kanë perspektivë evropiane. Nuk ka kthim prapa, por ekziston vetëm rruga drejt së ardhmes, drejt Bashkimit Evropian”, tha Kacin.BE, notë proteste Serbisë për dhunën  Bashkimi Evropian i ka dërguar një notë proteste Serbisë, në të cilën shprehet keqardhja për sulmet kundër ambasadave të disa vendeve të unionit në Beograd. Po ashtu diplomatët evropianë kanë dënuar edhe sulmet në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shpresohet se pushteti serb do t‘i dekurajojë aktet e dhunës kundër institucioneve ndërkombëtare dhe atyre kosovare. BE ka vlerësuar se retorika e “ndezur” e disa anëtarëve të qeverisë është krejtësisht e papranueshme, ngase fitohet përshtypja se ata po i japin legjitimitet dhunës. Në notën e protestës thuhet se pushtetarët janë përgjegjës për pasojat e fjalimeve të tilla provokuese. Serbia kundër Piter Feith Këshilltari i Kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica, e ka dënuar emërimin e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Kosovë, duke e konsideruar praninë e tij të jashtëligjshme dhe një akt që paraqet fyerje për Kombet e Bashkuara. Branisllav Ristivojeviç, tha se Beogradi nuk e ka idenë se cilin e përfaqëson Piter Feith, “kush e ka autorizuar atë që të vijë në Kosovë, çfarë është baza legale për praninë e tij në Kosovë, apo në çfarë kapaciteti ai po përpiqet të merret me Beogradin”. Serbia tashmë ka paraqitur ankesë formale në Kombet e Bashkuara kundër formimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, misioni i të cilit është të ndihmojë zhvillimin demokratik të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›