E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në dy vjet asnjë licencë për shfrytëzuesit e Drinit”

• SHKODER – “Drejtoria e Baseneve dhe Ujërave në Shkodër, që prej 2 vitesh nuk ka lëshuar asnjë leje për shfrytëzimin e inerteve të lumit Drin në zonën e Ashtës”.Kështu i është përgjigjur Osman Deltina, kreu i kësaj drejtorie deklarimeve të një dite më parë të kryetarit të komunës së Bushatit. Sipas këtij të fundit, lejet për firmat që shfrytëzojnë pa kriter brigjet e Drinit rrezikojnë përmbytjen e shtëpive e tokave në komunë. Për këtë arsye, vetë komuna ka vendosur roje për të mos u afruar asnjë mjet në zonë. Por, për Deltinën, edhe pse Hila ka deklaruar se ekziston një vendim qeverie që kalon në pronësi të Komunës së Bushatit një pjesë të basenit të lumit Drin në afërsi të fshatit Ashtë, ai deklaron se rezervat ujore janë pronë shtetërore dhe jo pronë komunare. “Në bazë të ligjit, askush nuk ka të drejtën e pronësisë mbi të përveç shtetit, që në rastin konkret është baseni ujor Drin-Bunë. Jam interesuar për ta gjetur vendimin që Hila pretendon se i kanë kaluar në varësi të tij tokat pranë basenit të lumit Drin, por një vendim të tillë nuk e gjejmë të shkruar në asnjë fletore zyrtare”, ka vijuar Deltina. “E ndiej për detyrë që të sqaroj se shfrytëzimi me ligj i inerteve pranë baseneve ujore ka filluar të bëhet pas vitit 2003, shfrytëzim i cili ka vazhduar deri në vitin 2006, pikërisht atëherë kur qeveria nxori një urdhër për bllokimin e shfrytëzimit të inerteve në shkallë vendi. Nga ana tjetër, në gusht të këtij viti, drejtorisë sonë i ka ardhur një shkresë e Këshillit të Komunës së Bushatit, ku na kërkohej të ndërhynim për lejimin e një subjekti që të ushtrojë aktivitetin e saj në zonën e Ashtës. Pra nuk është ashtu siç ka deklaruar Hila një ditë më parë”, thekson Deltina.         r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›