Patos, mbytet 16-vjeçari në rezervuar
PATOS - Një 16-vjeçar u mbyt dje në rezervuarin e Ruzhdies, që ndodhet në afërsi të Patosit. M.I nga fshati Ruzhdie, fëmija i madh i familjes, është zhytur dje në mesditë. Ai kishte shkuar bashkë me një shokun e tij për t’u freskuar në rezervuar. Pasi kanë notuar për pak kohë, shoku i tij ka dalë nga uji, por ai nuk e ka parë më 16–vjeçarin. Pasi ka pritur vetëm pak momente, i riu ka dhënë menjëherë alarmin. Me dhjetëra banorë kanë nisur të parët kërkimet, por asnjëri prej tyre nuk ka mundur ta gjejë trupin e tij. Policia mbërriti në vend dhe kërkoi ndihmën e polumbarëve nga Tirana. Janë dashur katër orë kërkime, që më pas të gjendej trupi i 16-vjeçarit. Në qarkun e Fierit, ky është rasti i dytë i mbytjes brenda pak ditësh. Një 19-vjeçar nga fshati Plyk i Fierit është mbytur në plazhin e Semanit, por ndonëse kanë kaluar katër ditë, trupi i tij nuk është gjetur. m.r