Të tjerët dhe Blushi
Edmond Arizaj
Pas 28 qershorit shumë-kush e ka të lehtë të gjejë argumente për të kritikuar kryesocialistin Edi Rama, ndokush edhe për ta sulmuar, pakkush për ta eliminuar politikisht. Jo pse para kësaj date nuk ka pasur argumente, madje të shumëllojshëm, shumëngjyrshëm e shumanshëm, por askush prej shumëkushave, ndokushave dhe pakkushave i shpalosi ato parimisht në publik, apo në parti me qëllimin “hyjnor” të fitores. Ndoshta shumica e tyre kanë qenë pjesë e tortës që do të ndahej në rast fitoreje, një pjesë e vogël vërtet, por gjithsesi tortë. Tashmë shohin se tortës nuk i ka mbetur as era. Një pjesë sot janë në rolin e Edi Ramës katër vite më parë karshi Fatos Nanos, duke uruar me gjithë shpirt humbjen, për të përfituar personalisht, ose me grupin që kërkon një strumbullar për t’u mbështetur. Ka dhe pjesë të tjera, si ata që nuk e kanë dashur kurrë Edi Ramën, ata që e kanë zilepsur, apo ata që tjetërkund u rreh zemra. Gjithsesi, atëherë kur duhej folur, të gjithë heshtën, siç edhe ka pranuar fajin njerëzor Ben Blushi, dhe atëherë kur duhej heshtur, nisën të flasin. Vërtet heshtja ishte flori, atëherë kur duhej folur, sepse siguronte emrin në listë, por kjo sjellje pragmatiste sot nuk duhet fshehur pas argumenteve se e lamë Ramën të bënte si donte vetë për të mos e penguar projektin e tij, megjithëse shumëkushat, ndokushat dhe pakkushat kishin dyshime të forta për suksesin e këtij projekti. Pra, nëse e ndjenin se projekti i Ramës “unë mbi të gjithë” ishte i destinuar të dështonte dhe nuk folën, ata kanë njësoj përgjegjësi si Rama. Këtu nuk bëhet më fjalë për gabime njerëzore që sollën dënimin e një njeriu, këtu bëhet fjalë për gabime që sollën dënimin e mijëra e mijëra njerëzve, për katër vjet të tjerë të gjatë e të egër. A mund të ketë një falje hyjnore për këtë gabim njerëzor?!
Sigurisht që nëse nuk folën atëherë, duhet të rrinë të heshtur sot, por e folura e sotme duhet të nisë nga heshtja e atëhershme. Asnjë nga ata që flasin sot nuk duhet të akuzojë Ramën për teknikë të gabuar në lidhje me LSI, sepse asnjë prej tyre nuk ka kundërshtuar marrëveshjen e natës për ndryshimin e Kushtetutës dhe turpërisht asnjë prej tyre nuk ka përkrahur qoftë edhe për njerëzillëk deputetët grevistë për kodin anti-LSI.
Asnjë prej tyre nuk duhet të akuzojë për personalizim të fushatës nga Rama, sepse të gjithë pa përjashtim ishin amplifikuesit e saj dhe askush prej tyre nuk guxoi të fliste duke heshtur, si ish-kryetari, por të gjithë (kur ua dha Rama mundësinë) folën duke folur. Këtu, me një përqindje të mirë hyn edhe Ben Blushi. Por në përjashtim nga gjithë të tjerët, Blushi nuk është as shumëkushi, as ndokushi dhe as pakkushi. Megjithëse pa karizmën e një lideri, pa ngjitësin e një populisti të domosdoshëm, pa vrullin e një udhëheqësi, Blushi ishte i vetmi që lëshonte edhe më parë sinjale drite nga bunkeri i PS së Ramës. Asnjë, theksoj, asnjë tjetër nuk i ka bërë një kritikë publike këtij kryetari, që për katër vjet hermetizoi partinë më liberale shqiptare dhe për katër vjet të tjera demoralizoi një pjesë të mirë të “gjakut të ri socialist”, i cili u zëvendësua me “gjak të ri Edramist”. Blushi nuk është nxituar deri më tani në asnjë hap, siç është munduar ta paraqesë një pak a shumë koleg. As dalja e tij tek “Fevziu i Berishës” nuk duket se është ndonjë nxitim. Për dhimbje të ndokujt, “Opinioni” është ende programi më i ndjekur, pavarësisht skajësisë pro Berishë, sepse rivali i tij direkt u skajësua pro Ramës. Blushi as nuk është shprehur saktë e qartë për rivalitetin e tij karshi Ramës, duke pritur me sa duket zhvillimet e tjera brenda partisë, apo duke ndjerë se nëse Rama “do ta hajë turpin me bukë” dhe do të rikandidojë, nuk ka asnjë shans për fitore. Blushi as nuk ka marrë shpatën në dorë duke u përpjekur t’i presë kokën Ramë-humbësit. Blushi në mënyrën më të kënaqshme për kokat me logjikë, po paraqet pikat pse humbi Partia Socialiste, si humbi Partia Socialiste, ku ka faj për humbjen e Partisë Socialiste dhe po përpiqet i vetëm, tërësisht i vetëm t’i analizojë ato, madje duke bërë edhe sakrilegjin e madh të politikës shqiptare, që rrallë ndodh, të marrë mbi vete edhe faje e përgjegjësi. Gjithë të tjerët po pastrojnë biografinë e tyre me humbjen e Ramës. Por ndoshta Blushi mund të mos jetë ende gati kaq shpejt për një fitore mbi Ramën, gjithmonë nëse kryetari rikandidon. Blushi nuk ka mbështetje në strukturat e bazës, shumica të zgjedhura dhe të kontrolluara nga Rama dhe njerëzit e tij. Blushi nuk ka, ose të paktën nuk është dukur se ka fuqinë për të elektrizuar turmat. Eshtë më shumë një fitues tryezash, sesa një fitues mitingjesh. Forca e Blushit qëndron tek arsyetimi, teksa ende parapëlqehet arroganca dhe toni luftarak. Beteja e Blushit ndoshta duhet të zhvendoset tek anëtarët e Partisë Socialiste. Fillimisht atyre u duhet mbushur mendja se kush janë fajtorët dhe kryefajtori për humbjen e zgjedhjeve. Me ata duhet bërë përballja reale, sepse prej bazës së Partisë Socialiste duhet pritur shfrimi i një dufi të paimagjinueshëm dhe të plotëjustifikueshëm. Blushi duhet të përzgjedhë edhe stafin, apo grupin e tij, ku ndoshta të mos ketë njerëz që lehtësisht mund të atakohen për humbjen e zgjedhjeve në një mënyrë apo tjetër. Blushi realisht duhet të forcojë një grup të rinjsh, shumica e të cilëve të mos jenë ish-dashnorë të politikës së Ramës deri në momentin e bërjes së listave. Natyrshëm që nëse vendos t’i japë një frymë tjetër Partisë së lodhur Socialiste Blushi duhet të paraqesë një program ambicioz dhe serioz.
Të gjitha këto, duke u bashkuar edhe me logjikën e thjeshtë se Edi Rama nuk duhet të ketë më të bëjë me drejtimin e Partisë Socialiste dhe se vetë Partia Socialiste duhet të shërohet nga sëmundja Ediramiste, mund të sjellin një epokë të re jo vetëm brenda socialistëve, por edhe gjithë politikës shqiptare; epokën e civilizimit politik.