Fier, ulet numri i martesave, shtohen bashkëjetesat
Ulja e numrit të martesave shfaqur dhjetëra vite të shkuara në metropole të zhvilluara të Evropës e botës, duket se ka prekur tashmë edhe Fierin. Sipas të dhënave që vijnë prej përgjegjëses së gjendjeve civile në shkallë qarku, Lumturi Moçi, konfirmohet se këtë vit fierakët kanë zgjedhur të mos lidhin shumë martesa. "Është me të vërtetë shqetësues fakti se është ulur ndjeshëm numri i martesave. Në krahasim me pesë vitet e shkuara, viti 2008 deri tani , ka regjistruar vetëm 1 të 3 e martesave të regjistruara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i martesave të këtij viti në shkallë qarku shkon deri në 210 të tilla, ndërkohë që i krahasuar me numrin e të pesë viteve të kaluara, një nga një këto vite, del se është ulur ndjeshëm deri dhe në 1 të 5 e vitit 2003", tha Lumturi Moçi përgjegjëse e gjendjeve civile në shkallë qarku. Qendra që ka regjistruar numrin më të vogël të martesave gjatë viteve të fundit mbetet qyteti i Fierit, ndërkohë që përgjegjësja e gjendjeve civile tregon se ka edhe komuna e fshatra, të cilat për këtë vit nuk kanë regjistruar asnjë kurorëzim çifti. Përmendet si zonë e tillë fshati Fermë Çlirim, apo Grykë fshatra që ndodhen në rrethin e Fierit. Por edhe rrethi i Mallakastrës ka regjistruar një ulje të ndjeshme të martesave. Ndërsa rrethi i Lushnjës ka pësuar ulje në numri ne martesave, por ky numër paraqitet jo me një shifër të ndjeshme. Përgjegjësja e gjendjeve civile për qarkun e Fierit shprehet se ka edhe çifte që nuk preferojnë të celebrohen, duke regjistruar kështu martesë në formën e bashkëjetesës. Në Fier për herë të parë këtë vit, noterët dhe avokatët kanë pranuar se mes çifteve që bashkëjetojnë janë lidhur marrëveshje ekonomike, të cilat faktohen pas marrjes së një deklarate noteriale, e cila kushtëzon partnerët e bashkëjetesës drejt respektimit të një marrëveshjeje të vendosur nga vetë ata, e bërë kjo përpara njeriut të drejtësisë.
Ulet edhe numri i ceremonive martesore: Përveç uljes së numrit të celebrimeve martesore në gjendjet civile të Qarkut në Fier, pronarët e restoranteve tregojnë se është ulur edhe numri i ceremonive martesore, dasmave. Mes bisedave të ndryshme të zhvilluara në grupe miqësore e shoqërore, por edhe me drejtues të gjendjeve civile mësohet fakti se shumë të rinj sot preferojnë të jetojnë bashkë në të njëjtën strehë këtu në vend, apo dhe jashtë tij, edhe pa kaluar pragje të tilla si celebrim apo dhe ceremoni martesore.
Kurorëzime me shkes
Edhe pse kanë kaluar shumë vite akoma vajzat e fshatrave më shumë dhe më pak ato në qytet, presin për të lidhur martesë falë trokitjes në derë të shkesit.
Të shumta janë rastet që tregojnë se në Fier, kryesisht në zonat rurale, të rejat dhe të rinjtë lidhin jetë bashkëshortore pas ndërhyrjes së një ndërmjetësi. Marjana, një vajzë 22 vjeçe, tregon për gazetën: "Banoj me prindërit. Kam tre vëllezër dhe i kam jashtë shtetit. Jam me arsim të mesëm dhe vetë jeta monotone e fshatit nuk të jep asnjë lloj shansi për të dalë me qëllim njohjen e një djali, pasi edhe takimet në fshat paragjykohen. Unë jam fejuar nëpërmjet mblesit një javë më parë vetëm nga ndërhyrja e një miku të babait". Marjana tregon se edhe shoqet e saj, disa më parë dhe disa në këtë kohë kanë lidhur martesë vetëm falë ndërhyrjes së shkesit. Duket se kjo formë tradicionale martese ka sjellë më shumë rezultate në jetën e çiftit, pasi të dhënat që servir gjykata lidhur me divorcet tregojnë se numri më i lartë i divorceve ka ndodhur mes çifteve që janë martuar me dashuri e që e kanë gjetur njëri-tjetrin pa ndërhyrjen e mblesit, por me iniciativë individuale.