E Diel, 1 Nëntor 2026

Derbi i "çmendur", triumfon Tirana

Derbi i javës së 18-të, ndërmjet Dinamos dhe Tiranës, ka qenë padyshim një prej sfidave më të bukura të viteve të fundit në futbollin shqiptar. Në "Qemal Stafa", të mbushur si rrallëherë nga tifozët në ndeshjet e Kategorisë Superiore, nuk ka munguar asnjë element i një dueli titanësh: emocione të forta, gjashtë gola të shënuar, por edhe luftë e fortë sportive, ku në përfundim u numëruan dhjetë kartonë të verdhë dhe tre të kuq (dy prej të cilëve për Dinamon). Në fund, fiton Tirana, e cila mposht Dinamon me rezultatin 4-2. Bardheblutë kanë përmbysur epërsinë e skuadrës së Zlatko Daliç, e cila ka kaluar dy herë në avantazh, por nuk ka ditur të mbrojë rezultatin. Kjo sepse 23-herë kampionët kanë dhënë gjithçka në 90 minuta, duke i shtuar kualitetit të lartë teknik edhe sakrificën. Por, ky rezultat nuk i shkon për shtat drejtuesit të stolit dinamovit: "Është një humbje që djeg shumë, pasi mund ta kishim administruar më mirë rezultatin, deklaroi Daliç. Megjithatë, kjo sfidë kaloi dhe tani jam më shumë i shqetësuar për derbin me Partizanin, pasi kemi shumë mungesa".
Takimi fillon menjëherë i vrullshëm, edhe sepse objektivi i të dyja skuadrave ishte fitorja. Si Dinamo ashtu edhe Tirana kërkonin me patjetër tri pikët, për të përfituar nga hapi fals i Vllaznisë në Peqin. Goli i parë vjen pas shtatë minutave lojë, me blutë që kalojnë në avantazh pas devijimit me kokë të Sefës. Por, gëzimi i vendasve zgjat pak sekonda, pasi Tirana barazon shifrat me Memellin. Sulmuesi shfrytëzon një harkim nga e djathta dhe e dërgon topin në rrjetë: gol i dyshimtë i korçarit, që e shoqëron topin me dorë drejt rrjetës. Pavarësisht golave të shpejtë, ndeshja nuk e humbet bukurinë dhe kur kronometri regjistronte 12 minuta lojë, është Dinamo ajo që shënon sërish, me blerjen e merkatos së dimrit, Sebino Plaku. Në fraksionin e dytë të lojës, trajneri Agustin Kola bën lëvizjen e parë, duke hedhur në fushë sulmuesin Daniel Xhafa në vend të mbrojtësit Osmani. "Manovra" jep efekt, pasi në të 58-tën Tirana barazon me Ansi Agollin, ndërsa në të 77-tën Memelli kalon për herë të parë të tijtë në avantazh. Rrjeta e 12-të e korçarit, që udhëheq klasifikimin e golashënuesve dhe e treta në portën e Dinamos në dy ndeshje. Goli i tretë i bardhebluve u shoqërua nga nervozizmi në fushë, kur pas një debati të ashpër Muka (Tirana) dhe Brahja (Dinamo), ndëshkohen me kartonët e dytë të verdhë dhe largohen nga loja. Në të 87-tën, blutë mbeten me nëntë lojtarë, pas faullit të shkaktuar jashtë zone nga portieri Kotorri ndaj Memellit: gjyqtari Jemini nuk heziton dhe i tregon "gardianit" kartonin e kuq. Daliç i ka përfunduar të gjitha ndërrimet dhe në portë futet mesfushori Artion Poçi, i cili nuk arrin të frenojë predhën e Xhafës nga 30 metra, që përshëndet rrjetën. Me këtë fitore, Tirana e sheh veten një pikë larg Vllaznisë kryesuese dhe rihap garën për titull. Tri pikë që e kënaqin Kolën: "Kjo ishte Tirana e vërtetë, tha tekniku bardheblu, sigurisht që na ka favorizuar edhe humbja e Vllaznisë. Tani jemi afër kreut dhe do të bëjmë të pamundurën që të kryesojmë kampionatin brenda pak javësh".

Superiore / Java 18
Teuta-Elbasani 1-2
Hysa 66‘ / Hallaçi 28‘, Pema 44‘
Besa-Lushnja 0-0
Shkumbini-Vllaznia 1-0
Muidragiç 17‘
Dinamo-Tirana 2-4
Sefa 7‘, Plaku 12‘ / Memelli 8‘, Agolli 58‘, Memelli 77‘, Xhafa 88‘
Bylis-Partizani 0-1
Ngjela 28‘
Flamurtari-Apollonia 0-2
Brkiç 53‘, Haxhiluliç 89‘

Skuadra N Pikë
1. Vllaznia 18 34
2. Tirana 18 33
3. Dinamo 18 29
4. Besa 18 29
5. Shkumbini 18 27
6. Teuta 18 24
7. Elbasani 18 23
8. Flamurtari 18 23
9. Apolonia 18 21
10. Bylis 18 17
11. Partizani 18 16
12. Lushnja 18 14



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›