Cana i papërmbajtshëm edhe jashtë fushe: Mbaj 10 policë me rroga
Kapiteni i kombëtares kuqezi tregon për pasione për makinat e shpejta, pasion i cili shumë për shkak edhe të gjobave që merr
Lorik Cana ka lindur në kryeqytetin e Kosovës Prishtinë. Kur ishte fëmijë u largua nga vendlindja dhe së bashku me familjen emigroi drejt Zvicrës. Ndërsa talenti i tij ishte i dukshëm që kur u aktivizua në ekipin zviceran Lausanne Sport.
Shumë shpejt me lojën e tij bie në sytë e skuadrës franceze të PSG-së, që arrin ta përfshijë mesfushorin në radhët e veta, kur ishte vetëm 16 vjeç. Pasi kalon një ecuri pozitive në ekipin e të rinjve të PSG-së dhe pjekuria e tij ishte në rritje, drejtuesit parizien vendosin që ta angazhojnë në radhët e të rriturve, pikërisht në ekipin e parë, kur ende nuk kishte mbushur 19-vjeç.
Më vonë kapiteni i kombëtares shqiptare do të vijonte me një karrierë të suksesshme futbollistike, duke u aktivizuar gjithnjë në nivele të larta të futbollit europian. Kujtojmë që nga 2000-05 u aktivizua te PSG-ja, 2005-09 te Olimpik Marseja (Francë), 2009-10 Sunderland (Angli), 2010-11 Gallatasarai (Turqi) dhe nga sezoni 2011 e deri tani vazhdon të luajë në Itali me Lacion. Gjithashtu, kapiteni i Shqipërisë Etnike në futboll ka arkivuar me skuadrat ku është aktivizuar këto tituj: me PSG-në është fitues i Kupës së Francës (2004) dhe nënkampion i Ligës së Parë (2004), me Marsejën dy herë finalist i Kupës së Francës (2006 dhe 2007) dhe nënkampion i Ligës së Parë franceze (2009). Nacional Albania i ka marrë një intervistë ekskluzive kapitenit të kuqezinjve. Ju ftojmë ta ndiqni!
A e keni të trashëguar talentin?
Po, siç e dini edhe ju babai im Agimi ka qenë futbollist, e natyrisht edhe nga ai mora talentin dhe disiplinën për punë.
Sa kanë qenë të vështira sfidat të cilat i keni përballuar deri tani, pra drejt një karriere të suksesshme në futboll?
Të vështira ishin me bollëk, por me punë dhe me përkrahjen e mbështetjen maksimale të adhuruesve, ajo ka qenë më e lehtë.
A keni kaluar eksperienca të mira me klubet e futbollit, ku keni luajtur në disa prej tyre?
Duke filluar nga PSG-ja, pasi aty fillova karrierën si profesionist, e deri në klubin ku aktivizohem aktualisht, te skuadra e Lazios, kam mësuar gjëra të reja, që në përgjithësi kanë qenë eksperienca të mira. Jam me fat që isha dhe vazhdoj të jem pjesë e këtyre klubeve.
Moda, arkeologjia, historia, muzika, i pëlqeni pa masë. Si e gjeni veten në të gjitha këto fusha?
Po, le të themi që të gjitha i kam me pasion. Sa i përket modës, të jetosh në Itali dhe Francë e të mos dish diçka për modën do të ishte mjaft absurde. Ndërsa historia dhe arkeologjia shkojnë bashkë. Më pëlqen shumë të hulumtoj. Degën e Historisë e ndjek në Tiranë. Them se është një degë interesante, pasi ne shqiptarët kemi histori të bukur, apo jo?!
E doni shpejtësinë, pasi njiheni si tip sportiv, ndërsa ju kemi parë me vetura të ndryshme që rrisin jo pak adrenalinën?
(qesh) Plotësisht e vërtetë. Jam i pasionuar pas makinave të shpejta dhe për këtë mbaj ndoshta dhjetë policë me paga (për dënimet që marrë çdo muaj). Shaka, se jo kaq shumë, por të paktën pesë veta gjithsesi është i sigurt që i mbaj.
Të kalojmë te thashethemet e nxehta, që shqetësojnë jetën private. Së fundmi është folur për lidhjen tuaj me këngëtaren Adelina Tahiri. Ka diçka konkrete?
Eh, po duhet të shiten revistat disi, në një lloj mënyrë. Jo nuk kam asgjë me Adelina Tahirin, por jam në një lidhje me një italiane dhe quhet Monika.
Në trupin tuaj mbani disa tatuazhe. Si vendosët për to dhe cila është domethënia e tyre?
Secili prej tyre ka nga një domethënie, por në përgjithësi kanë të bëjnë me sloganet/ikonat e shqiptarëve që nga koha e Ilirëve.
Aleanca Kuqezi është pjesë e jetës suaj, po ashtu çdo gjë kombëtare e patriotike. Këto ju bëjnë të dalloheni e të jeni unik si futbollist.
Besoj që secili shqiptar i vërtet ndihet si unë.
Kur flitet për sportin, thuhet që jeni një ndër lojtarët më të paguar shqiptarë, ndërsa jeta juaj reale është edhe më e thjeshtë se sa e mendojnë. Paratë e shumta ta ndryshojnë jetën?
Varet nga tipi e karakteri i njeriut. Mua personalisht më ka rritur standardin jetësor, por si njeri nuk më ka luhatur.
Flasim pak për futbollin botëror. Keni favorit ndonjë ekip futbolli?
(mendohet) Sdo të favorizoja një klub të vetëm, pasi vetë jam lojtar aktiv. Megjithatë duhet ta dini se favorizoj klubet që kanë një histori shumë të mirë gjatë gjithë kohës. Mund ti radhisni edhe ju vetë se cilat janë ato klube për secilën nga ligat përkatëse. Pra, në këtë pikë sdua të jem specifik.
A lexoni gjatë kohës së lirë, pasi ne mësuam që ju keni të gjitha koleksionet e veprave të shkrimtarit tuaj të preferuar Ismail Kadare?
Për Ismail Kadarenë dhe veprat e tij falënderoj Zotin që e fali në tokën tonë, tokën shqiptare, pasi ai ia ka rritur dhe vazhdon tia rris gjithmonë e më tepër vlerat popullit shqiptar me veprat e tij të jashtëzakonshme.
Çnotë do ti vinit futbollit shqiptar sot?
Nëse është fjala për Kombëtaren shqiptare jap notën 8-9, ndërsa për ligat e Shqipërisë do të jepja notën 7. Duhet të punohet ende më shumë në përmirësimin e tyre.