E Diel, 1 Nëntor 2026

Lilaj kthehet me dy gola, Skënderbeu bën adetin

Skenderbeu - Shkumbini, Lilaj shenonKampionët kanë mposhtur peqinasit, edhe pse kanë zbritur në fushë me shumë futbollistë nga ekipi i të rinjve. Si asnjëherë tjetër, në fushë ishin 9 korçarë

Nga Leonard Trebicka

Skënderbeu – Shkumbini 3-1

Shënues: Lilaj 58, 90, Çaushaj 87 / V.Mile 45

 

Skënderbeu: Llapanji, Trëndafili, Tako, M.Kame (Topulli 81), Çaushaj, Çipi, Radas (Skënderasi 46), Lilaj, Kuli, Tahirllari, De Souza (Vieros 67). Trajner: M.Josa.

Shkumbini: Kotorri, Musta (Ramazani 46), Isaj, Magani, Sykja, Kafazi, Vogli, Lluca (Sekseni 60), Duka, Gjata, Mile (Branica 46). Trajner: K.Mile.

Gjyqtarë: S.Greca, D.Koreshi (Lushnjë), N.Rrapaj (Patos)

Karton i verdhë: Duka

Radiografia

14 – Gjata gjuan nga larg, pret portieri Llapanji.

18 – Korçarët i afrohen golit. Kuli nxjerr të lirë Mario Kamen, por ky i fundit nuk arrin të shënojë. Kotorri shpëton një gol të sigurt.

21 – Provon braziliani Fernando De Souza, por topi kalon jashtë kuadratit.

38 – Rast ideal për vendasit. Kame del i vetëm me Kotorrin dhe përsëri fiton përvoja e portierit të Shkumbinit.

45 – Mile i shpëton mbulimit të mbrojtësve korçarë dhe, përballë Llapanjit, nuk e ka të vështirë të shënojë golin e avantazhit. 0-1.

57 – De Souza humbet një rast të mirë. Përballë Kotorrit, ai bën më të vështirën, gjuan jashtë.

58 – Lilaj driblon një mbrojtës mik dhe gjuan saktë, duke barazuar rezultatin.

86 – Korçarët kanë një rast të mirë me Çaushajn, i cili gjuan jashtë.

87 – Këtë herë Çaushaj nuk fal dhe shënon golin e avantazhit për juglindorët. 2-1.

90 – Zbritje e shpejtë e vendësve. Tahirllari jep një asis për Lilajn, që shënon edhe golin e 3-të.

Skënderbeu fiton edhe kur ndeshja vlen për statistika. Kampionët janë rikthyer si më parë, pas asaj fitores me Apoloninë. Edhe dje ata kanë bërë adetin, duke mundur Shkumbinin në ndeshjen e 5-të në grup. E veçanta e kësaj fitoreje është se në fushë kanë qenë 9 lojtarë korçare. Jabanxhinjtë e vetëm ishin Kuli, Çaushaj dhe De Souza. Titullarët e kanë ndjekur ndeshjen nga tribuna, ndërkohë që trajneri Josa kishte marrë 9 lojtarë nga ekipi i të rinjve. Disa prej tyre luajtën 90 minuta, ndërsa disa të tjerë u aktivizuan si zëvendësues. Pas kësaj fitoreje, Skënderbeu kryeson grupin, me 15 pikë. Lajmi më i mirë për kampionët është rikthimi pas më shumë se dy muajsh i Sabjen Lilajt, autor i dy golave në këtë ndeshje. Ai ka treguar një formë të mirë dhe shumë shpejt mund të kthehet titullar edhe në kampionat.

Pjesa e parë 

Fillimi i ndeshjes është pak i mërzitshëm, aq sa dielli i ka ngrohur për minuta të tëra dy gardianët e portave, Llapanjin dhe Kotorrin, të dy spektatorë. 19-vjeçari Mario Kame ka rastin më të mirë për të shënuar, në minutën e 38-të, por gabon përballë Kotorrit. Si korçarët, ashtu edhe miqtë, pak mendojnë për sulmin, duke e qarkulluar topin në mesfushë. Kur të gjithë menduan se pjesa e parë do të mbyllej pa gola, në fund të saj, sulmuesi Vangjel Mile përfiton nga një gabim i mbrojtjes korçare dhe e kalon në avantazh skuadrën mike. Kaq mjafton për pjesën e parë.

Pjesa e dytë 

Pak më shumë gjallëri ka kjo pjesë, sepse korçarët reagojnë dhe përpiqen të barazojnë, ndërsa peqinasit nuk zbresin asnjëherë drejt portës së Llapanjit në këtë 45-minutësh. Lilaj barazon shifrat në minutën e 58-të, pas një driblimi të bukur brenda zonës. Edhe pas këtij goli loja kthehet në mesfushë, duke u futur përsëri në një fazë monotone. Vetëm në 3 minutat e fundit do të vinte fitorja e Sjënderbeut. Çaushaj ka dy raste dhe në të dytin shënon golin e avantazhit për kampionët. Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Lilaj do të shënojë edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Skënderbeun. Kaq mjafton dhe korçarët regjistrojnë fitoren e 5-të në grup. Kalimi në gjysmëfinale është i sigurt, prandaj dhe ata kanë menduar më shumë për ndeshjen me Bylisin në kampionat. Për këtë arsye, trajneri Mirel Josa ka ruajtur gjithë titullarët.

Takaj: Skënderbeu është rikthyer më i fortë

Pas fitores ndaj Shkumbinit, presidenti i kampionëve ka biseduar gjatë me trajnerin Mirel Josa, ndërkohë që për Sportin shqiptar ka theksuar: Sot (dje) bëmë detyrën, asgjë më shumë. Luajtëm me një ekip, ku 80% e lojtarëve ishin thirrur nga të rinjtë. Jam i kënaqur me Lilajn, i cili u rikthye pas një kohe të gjatë dhe më pëlqeu. E kemi siguruar kalimin në gjysmëfinale me kohë dhe po mendojmë për ndeshjen e kampionatit me Bylisin. Skuadra është rikthyer pas fitores së në Fier dhe Vllaznia ishte thjesht një ditë e keqe. Kam besim se çështjen e titullit do ta mbyllim disa javë përpara përfundimit të kampionatit.

Josa: Skam shumë komente, i kënaqur për Lilajn

Nuk besoj se do shumë komente ky 90-minutësh. Ne luajtëm me shumë ndryshime, madje ishte një skuadër tërësisht e re në fushë dhe për këtë i falënderoj të gjithë ata që u aktivizuan. Do të them vetëm se më bëhet qejfi, që mesfushori Sabjen Lilaj, një titullar i Skënderbeut, u rikthye, duke shënuar dy gola. Asgjë më shumë se kaq.

Mile: Ishte ndeshje stërvitore, mendojmë për Besën

Erdhëm në Korçë për të luajtur një ndeshje stërvitore, pasi dihen objektivat tona. Mendojmë për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Besës. Loja ishte korrekte dhe jam i kënaqur nga futbollistët, edhe pse humbëm. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë. Kjo ndeshje më shërbeu për të parë gjendjen e disa lojtarëve përpara ndeshjes së Kavajës. Suksese Skënderbeut!

Të veçanta

- Ndeshjen e djeshme, rreth 80% e kontigjentit të Skënderbeut, e ka ndjekur ndeshjen nga tribuna. Ishin thirrur 9 futbollistë nga ekipi i 19-vjeçarëve.

- Në fund të ndeshjes, në fushë ishin 9 korçarë dhe kjo ishte e veçanta e këtij Skënderbeu.

- Sabjen Lilaj është kthyer pas më shumë se dy muajsh mungesë me dy gola, duke treguar një formë të mirë sportive.

- Ndeshja e djeshme u ndoq nga rreth 2 mijë tifozë korçare, edhe pse hyrja ishte falas.

- Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, e ka ndjekur ndeshjen nga tribuna, ndërkohë që ka qëndruar afër skuadrës edhe pas ndeshjes.

- Skënderbeu është i vetmi ekip, që në fazën me grupe ka vetëm fitore, duke grumbulluar 15 pikë në 5 ndeshje.

- Dje, në orën 10:00, trajneri Josa ka punuar me titullarët në një seancë të rregullt stërvitore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›