Teuta pasuron kolonën e humbjeve, Laçi shpreson
Durrsakët, të painteresuar për kupën, kanë pësuar humbjen e pestë në grup, ndërsa kurbinasit besojnë se mund të kualifikohen për në gjysmëfinale, por gjithçka vendoset në ndeshjet e fundit
Nga Hysen Varoshi
Teuta Laçi 1-2
Shënues: Mancaku 45 / Vucaj 27, Milenkoviç 40
Teuta: S.Hoxha, Sheta, Da Silva, Stafa, Osmani, Veliaj (Tepshi 50), A.Hoxha, Hodo (Syrbja 60), Deliallisi (Rezi 77), Mancaku, Memini. Trajner: G.Magani.
Laçi: Bakaj, Milenkoviç, Danaj, Çela, Kastrati, Blloku, Shazivari, Zefi, Nimani, Vucaj (Jubani 60), Emurllai. Trajner: S.Nica.
Gjyqtarë: O.Sokoli, R.Avdo, E.Barushi (Tiranë)
Karton i verdhë: A.Hoxha
Radiografia
1-15 Loja është e përqendruar në mesfushë, pa krijuar asnjë rast të rrezikshëm në portat respektove.
22 Zefi godet rreptë brenda zonës së rreptësisë, por portieri Hoxha bën mrekullinë, duke e shpëtuar Teutën nga një gol i sigurt.
25 Përsëri portieri Hoxha bëhet protagonist me një grushtim të bukur, pas gjuajtjes me kokë të Shazivarit.
27 - Vucaj e kalon Laçin në avantazh, duke gjuajtur saktë me kokë në zhvillimet e një goditjeje nga këndi. 0-1.
40 Milenkoviç kalon bukur mbrojtjen e Teutës, portierin Hoxha dhe me gjakftohtësi e dërgon topin në rrjetë. 0-2.
45 Mancaku depërton në zonën e Laçit dhe gjuan fort, duke shënuar golin e parë për Teutën. 1-2
46-90 Mungojnë rastet në portat respektive, pasi laçianët janë të kënaqur me rezultatin dhe mundohen ta administrojnë atë. Kurse Teuta është e paqartë dhe e pafuqishme.
E ka humbur edhe ndeshjen e 5-të në grup Teuta. Në stadiumin Niko Dovana, përballë Laçit, u duk se do të ishte një ndeshje shumë e fortë, pasi durrsakët e kujtojnë ende ndeshjen e sezonit të kaluar në Laç, ku humbën titullin kampion. Po ashtu, edhe këtë sezon janë mundur thellë nga Laçi, ndaj dhe pritej hakmarrja, por përsëri Teuta është mundur, duke koleksionuar humbjen e radhës në Kupën e Shqipërisë, ku në fakt nuk kanë pasur pretendime këtë sezon. Durrsakët janë më të interesuar për kampionatin, prandaj dhe trajneri Gugash Magani, edhe pse ka hedhur formacionin më të mirë në fushë, në pjesën e dytë, u ka dhënë shansin futbollistëve të rinj të tregojnë vlerat e tyre. Nga ana tjetër, laçianët kanë bërë detyrën në këtë ndeshje, ku kanë luajtur më mirë dhe e kanë merituar fitoren. Ata besojnë se do të jenë në gjysmëfinale të kupës, por gjithçka do të vendoset në ndeshjet e fundit në grup, që do të luhen pas dy javësh.
Pjesa e parë
Ka pak për të thënë për 15 minutat e para, sepse të dyja skuadrat nuk kanë marrë iniciativë, duke e përqendruar lojën në mesfushë. Më pas, Laçi e ka ngritur nivelin dhe e ka rrezikuar disa herë portën e Hoxhës. Ky i fundit është bërë shpëtimtar në dy rastet e para, por është dorëzuar në minutën e 27-të, kur kapiteni i miqve, Vucaj, ka goditur saktë me kokë një top të ardhur nga goditja e këndit. Edhe pas avantazhit, kurbinasit luajnë më mirë dhe arrijnë ta dyfishojnë rezultatin në minutën e 40-të, kur Milenkoviç kalon gjithë mbrojtjen e Teutës dhe portierin Hoxha. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Mancaku shkurton diferencën e golave, pas një depërtimi të bukur në zonën e Laçit. Skuadrat shkojnë për tu çlodhur në dhomat e zhveshjes, me rezultatin 1-2
Pjesa e dytë
Kjo pjesë ka shumë pak histori, sepse nuk prodhohet thuajse fare lojë në fushë. Të dyja skuadrat sikur pajtohen me rezultatin dhe futbollistët mezi presin të dëgjojnë vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Sokoli. Teuta është e paqartë në lojë, ndërkohë që kuptohet se e ka më shumë mendjen te ndeshja e kampionatit me Tiranën. Nga ana tjetër, edhe laçianet nuk duan të harxhojnë shuam energji, pasi e kanë në xhep fitoren. Llogaritë duken disi të komplikuara në grupin B, pasi edhe Flamurtari ka fituar në fushën e Bylisit, por Laçi beson se do ta sigurojë kalimin në gjysmëfinale në ndeshjen e fundit, që e ka në fushën e tij, ku do të presë Bylisin e vendit të parë.
Grupi B
Dje
Teuta Laçi 1-2
Bylis Flamurtari 2-3
Renditja
1. Bylisi 12 4 0 1 13-6
2. Laçi 9 3 0 2 9-5
3. Flamurtari 9 3 0 2 8-7
4. Teuta 0 0 0 5 5-17
Çfarë ndodh, nëse kemi 3 skuadra me pikë të barabarta
Llogaritë janë të hapura në grupin B, ku ka shumë mundësi që, pas ndeshjeve të fundit. Të kemi 3 skuadra me nga 12 pikë. Nëse Laçi mund Bylisn kryesues dhe Flamurtari mund thellë Teutën pa pretendime, situata komplikohet jo pak. Dy gjysmëfinalistët do të përcaktohen, pasi të bëhen llogaritë për ndeshjet direkte, golaverazhin në to, por edhe golaverazhi i përgjithshëm në kampionatin aktual. Ja çfarë thotë konkretisht rregullorja:
pika4
Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet, duke mbajtur në konsideratë kriteret si më poshtë:
a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve
përkatëse.
b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse.
c) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit,
sezoni 2012-2013.
d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë kampionatit, sezoni 2012-2013.
e) me short