Pengmarrësi i autobusit kërkon masa mjekësore
TIRANE - Personi që mori peng autobusin e linjës Tiranë-Durrës kërkon masa mjekësore të detyrueshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Ardian Sina është hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për ngjarjen e rëndë të ndodhur në tetorin e vitit 2006, kur mori peng autobusin e linjës Tiranë-Durrës duke kërcënuar shoferin me granatë. Për shkak të rrezikshmërisë, ngjarja u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa na fazën e gjykimit, i arrestuari pretendoi se vuan nga sëmundje mendore dhe se duhet t’i nënshtrohet masave mjekësore të detyrueshme. I akuzuari është arrestuar më 9 tetor 2006, pasi mori peng autobusin e linjës Tiranë-Durrës dhe nën kërcënimin e granatës, i kërkoi shoferit të ndryshonte drejtimin e lëvizjes, nga qyteti bregdetar për në aeroportin e Rinasit. Në kohën kur ndodhi ngjarja, policia pretendoi se i dyshuari kishte tentuar largimin drejt aeroportit të Rinasit me autobus me qëllim kryerjen e ndonjë krimi tjetër në aeroport. Megjithatë policia u sinjalizua për ngjarjen dhe ndërhyri por në këtë kohë, kur automjeti ndaloi në autostradë, rrëmbyesi doli nga autobusi dhe tentoi të largohej ndërsa ra në prangat e policisë. Sipas burimeve zyrtare, në tetorin e tri viteve më parë, Ardian Sina, ka kërcënuar me anë të një granate drejtuesin e një autobusi me targë DR 7188 B, i cili po kryente itinerarin Durrës-Tiranë. Ngjarja ndodhi në kilometrin e gjashtë të autostradës Durrës-Tiranë, tek pika e karburantit “B&G”. Nën kërcënimin e granatës, Ardian Sina i kërkoi drejtuesit të automjetit të vazhdonte udhëtimin në drejtim të Rinasit. Policia e Durrësit i sinjalizua për ngjarjen nga një telefonatë anonime. Shërbimet e rendit u vunë në lëvizje, duke bërë bllokimin e autobusit kur mjeti ndodhej i ndaluar tek pika e karburantit “për furnizim”. E gjithë skema e arrestimit në fakt ishte një inskenim i policisë, e cila hyri në kontakt me drejtuesin e autobusit dhe i tha atij të ndalonte te karburanti ku ndodhi edhe arrestimi. Sipas policisë, në momentin e ndërhyrjes autori i ngjarjes ka tentuar të largohet duke braktisur automjetin. Në këtë kohë është rrethuar nga forcat e policisë, të cilat i kanë vënë prangat. Hetimet e mëvonshme zbuluan se Ardian Sina, lindur dhe banues në Kodër Kamëz, rreth 6 vjet më parë ka pësuar një aksident automobilistik, kur po udhëtonte me motor. “Nga ajo kohë ku person është në gjendje të rëndë depresive, ndërsa para rrëmbimit të autobusit ishte ikur nga banesa me pretendimin se do të largohej në Greqi. tr.so