E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi nga Indrit Aliut, biznesmeni fiton 73 mijë euro

 

TIRANE - Indrit Aliu, mashtruesi i biznesmenëve humb procesin gjyqësor për borxhin. Gjykata e Tiranës pranoi kërkesë-padinë e biznesmenit L.K., të cilit Aliu i kishte marrë me anë të mashtrimit një sasi pajisjesh informatike dhe kamera sigurie, në vlerën e 72 mijë eurove dhe që nuk ia ka paguar kurrë faturën. Pas arratisë së Aliut, biznesmeni kryeqytetas u detyrua të padiste në gjykatë mashtruesin, duke kërkuar veç tjerash edhe bllokimin e pajisjeve të tij që ndodheshin në zyrat e kompanisë fantazmë “Dejs & Partners Consulting”. Objekti i padisë së biznesmenit ishte: “Detyrimi i të paditurit Indrit Aliu, të paguajë vlerën prej 73.120 euro për shitjen e pajisjeve informatike, shërbimet e mirëmbajtjes, punime, si dhe fitimin e munguar në formën e kamatëvonesave ligjore, duke filluar nga data 19 shkurt 2009. Marrjen e masës së sigurimit të padisë, duke bllokuar pasuritë e luajtshme e të paluajtshme të të paditurit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes”. Gjatë gjykimit, pala e paditur nuk mori pjesë në proces, ndërsa pala paditëse kërkoi pranimin e padisë. Në vendimin gjyqësor pohohet se nëpërmjet një marrëveshje verbale midis paditësit dhe të paditurit është rënë dakord që biznesmeni i mashtruar, në cilësinë e shitësit, të shiste kompjuterë, printera, fotokopje dhe kamera sigurie me qëllim pajisjen e zyrave të selisë së shoqërisë fantazmë “Dejs & Partners Consulting”, kundrejt çmimeve të pranuara paraprakisht prej Indrit Aliut. “Në përmbushje të këtij detyrimi të marrë përsipër, paditësi i ka dorëzuar Aliut 18 laptop, 46 desktop, 37 monitorë LCD, 9 monitorë NEC, 1 printer, 1 fotokopje, 1 set fonie dhe 2 sisteme kamerash sigurie. Në momentin e dorëzimit të mallit është përpiluar fatura e datës 19 shkurt 2009, në të cilën përcaktohen qartë njësitë, sasia dhe çmimi për njësi”, pohon gjykata në vendimin e shpallur pak kohë më parë, duke argumentuar se përmbajtja e faturës në vlerën e 73.120 eurove, rezulton të mos jetë likuiduar nga Aliu. “Në kushtet kur ky detyrim nuk është përmbushur vullnetarisht, paditësi i është drejtuar Gjykatës për ekzekutimin e këtij detyrimi si dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në formën e kamatëvonesave ligjore mbi këtë shumë për shkak të vonesës në pagimin e detyrimit”, argumenton gjykata.            fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›