E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana mendon si lacial: I gëzuar që jam anti-Toti

TIRANE-Duket një tratativë e kthyer në torturë, por Lorik Cana tashmë mendon si një futbollist i Lacios. Mesfushori i kombëtares shqiptare është në pritje të përfundimit të negociatave, që do ta shohin atë në Romë dhe portierin Fernando Muslera në Stamboll. E përditshmja italiane "Leggo", zbulon fjalët e Canës në "facebook", ku ai shprehet i lumtur që tifozët lacialë e konsiderojnë që tani anti-Totin. Loriku thotë se të dielën ka patur një takim me drejtuesit e klubit kryeqytetas e pikërisht me presidentin Klaudio Lotito. "Jemi duke pritur me ankth. Të dielën unë dhe babai im patëm një takim me Lotiton dhe gjërat duken pozitive. Të shohim. Nuk mund të flas pa u bërë gjërat zyrtare", ka thënë Cana. Mesfushori kuqezi tashmë është me pushime, por ndërkohë Lacio e Gallatasaraji janë në pritje të përgjigjes përfundimtare të portierit Muslera, për të vendosur nëse do të bëhet apo jo shkëmbimi. Uruguajani ndodhet në Amerikën e Jugut, ku po përgatitet për Coppa America, e cila starton më 1 korrik, ndërsa është shprehur se për momentin nuk po mendon për merkaton. "Jam i përqendruar te ky turne", ka thënë prerë ai. Gjithsesi, "calciomercato. com" bën të ditur se të premten, më 1 korrik, do të ketë diskutime të tjera në lidhje me këtë çështje.
Anti-Toti
Ndonëse asgjë nuk ka përfunduar, tifozët e Lacios duken të entuziazmuar për blerjen e Lorik Canës. Lojtari shqiptar do të rriste jo pak cilësinë e skuadrës në mesfushë, që ka qenë një nga pikat më problematike të ekipit në dy sezonet e fundit. Mesazhet e tifozëve duket se e kanë prekur jo pak edhe vetë Canën. "Jam i kënaqur që tifozët e Lacios më shohin si anti-Toti, - është shprehur mesfushori i kombëtares. - Jam i nderuar që kam kaq shumë tifozë romanë, edhe pse nuk jam akoma futbollist i Lacios. Më bëhet qejfi nga urimet e marra, nga një tifozeri që e konsideroj një nga më të mirat në botë", shton Cana. Fjalët e tij nuk lënë shumë vend për diskutime edhe pse tratativa do ende kohë që të mbyllet. Cana ka arritur tashmë një akord me Lacion, por gjërat u vështirësuan nga bisedimet mes dy klubeve. Po ashtu, klubi kryeqytetas ka arritur dje një akord me mesfushorin tjetër me origjinë shqiptare Panajotis Kone apo siç njihet ndryshe, Gjergji Kone. Ky i fundit ka qenë pjesë e Breshias në sezonin e fundit, por rënia e "dallëndyshkave" në Serinë B ka bërë që ai të kërkojë një ekip në A. Ka qenë vetë presidenti i Breshias Xhino Korioni, ai që ka deklaruar se është arritur marrëveshja me klubin e presidentit Lotito. Sipas tij, mungon vetëm hedhja e firmës midis palëve, ndërkohë që faktori thelbësor në këtë lëvizje ka qenë shitja e Lishtajner te Juventusi, që i ka liruar vendin mesfushorit grek, të lindur në Tiranë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›