Mishel Platini, presidenti i ri i UEFA-s. Per ke votoi Duka?

Albania Sport (AS) - Mishel Platini, legjenda e futbollit francez dhe atij botëror, është zgjedhur presidenti i ri i UEFA-s. Francezi 51-vjecar arriti të fitojë 27 vota nga votimet e 52 përfaqësuesëve të federatave europiane, anëtarë të UEFA-s, gjatë punimeve të Kongresit të XXXI të Zakonshëm të UEFA-s, që u zhvillua në qytetin gjerman të Dusseledorf-it. Ish-presidenti Lennart Johansson siguroi 23 vota, ndërkohë që dy vota ishte të pavlefshme. Platini, menjëherë pas zgjedhjes së tij si president, propozoi që Johansson, i cili drejtoi për 17 vjet organizmin më të lartë të futbollit europian, të jetë president nderi. Nga Federata Shqiptare e Futbollit, votoi presidenti i FSHF, Armando Duka.
Platini dhe Shqipëria
Mishel Platini, pas përfundimit të karrierës futbollistik, drejtoi Kombëtaren e Francës nga viti 1988 deri në vitin 1992. Në krye të përfaqësueses së Francës ai luajti edhe kundër Shqipërisë, dy herë, kur humbëm 5-0 në Paris, dhe 0-1 në Tiranë, në eliminatoret e Kampionatit Europian 1992, më 17 nëntor 1990. Platini ka ardhur katër herë në Shqipëri. Për herë të fundit ka qenë më 8 nëntor 2006, për të përuruar një fushë minifutbolli të shkollës "Hasan Vogli" në kryeqytet. "Kam ardhur për fushatë elektorale dhe kjo dihet. Duka është një miku im. Sigurisht nuk i kërkoj atij votën me forcë, sepse ka të drejtë të votojë për kë të dojë. Por në momentin qe ai do të hedhë fletën në kuti, duhet të kujtohet se emri im është Platini", tha tri herë fituesi i "Topit të Artë", Mishel Platini.
Sondazhi fitues
Gjatë një sondazhi të zhvilluar në faqen Albania-sport.com, nga 180 votues, Platini arriti të sigurojë 127 vota, kundrejt 53 të Lennart Johansson. Mishel Platini, gjatë fushatës së tij erdhi dhe në Shqipëri, ku shprehu hapur se kishte ardhur për të kërkuar votën e presidentit Duka. Presidenti i FSHF gjatë një interviste për Albania-sport.com, ishte shprehur: "Të jesh kandidat për president i UEFA-s është goxha shumë. Të dy kandidatet janë figura të mëdha me kontribute të padiskutueshme në futboll e më përvojë manaxhuese. I vlerësoj vërtet maksimalisht të dy kandidatët. Kushdo që të jetë do të jetë në nder të institucionit më të lartë europian të futbollit. UEFA është e ndërtuar në themele të forta, mbi parime të forta e me demokraci të padiskutueshme"
Platini, futbollist
Mishel Platini është lindur më 21 qershor 1955. Ai gëzoi një karrierë gjithmonë në rritje si futbollist përpara se të futej në botën administrative të futbollit dhe politikës. Platini ka qenë një yll udhëheqës në kohën e tij, duke fituar tri herë rresht cmimin si "Futbollisti Europian i Vitit" në 1983, 1984 dhe 1985.
Mishel Platini gjatë karrierës së tij si futbollist ka luajtur në Francë me AS Nancy-Lorraine, por emri i tij doli në dukje te AS Saint-Etienne në vitin 1979. Platini u bë i famshëm te Juventusi në Itali, për të cilin luajti nga viti 1982 deri në vitin 1987. Platini fitoi Ligën e Kampioneve (atëherë Kupa e Kampioneve) në vitin 1985, Kupën e Kupave (sot Kupa UEFA) në vitin 1984 dhe Superkupën e UEFA-s në të njëjtin vit. Platini ka qenë golashënuesi më i mirë i Serisë A në vitin 1983, 1984 dhe 1985. Platini ka qenë gjithashtu i famshëm në nivelin e ekipit kombëtar. Ai e udhëhoqi Francën në fitimin e Kampionatit Europian të vitit 1984, kampionat që u luajt në Francë, duke u shpallur edhe golashënuesi më mirë i aktivitetit. Mishel Platini morri pjesë në tri Kupa të Botës duke zhvilluar në total 72 ndeshje ndërkombëtare për Francën, nga viti 1976 deri në vitin 1987 - në 49 prej tyre ishte kapiten- duke shënuar 41 gola.