Cana, “mollë” sherri te Marseja
Leonard Karaj
Lorik Cana kthehet në çështje te Marseja. Trajneri Didie Deshamp kërkon ta mbajë në skuadër ndërsa presidenti i ri, Zhon-Klod Dasier dëshiron që ta shesë. Kjo gjë ka ngrirë së tepërmi që në fillim mërrdheniet mes trajnerit dhe njëshit të sapo emëruar të Olimpikut të Marsejës. Dasier ka marrë zyrtarisht vetëm disa ditë më parë drejtimin e kësaj skuadre pas largimit të Papa Diuf nga financimi i klubit. Menjëherë ai ka nisur nga merkatoja duke bërë edhe një listë të gjatë të futbollistëve që do të largoheshin dhe atyre që do të afroheshin në skuadër. Mes tyre ishte edhe Lorik Cana i cili për presidentin duhej të linte Marsejën me destinacion Gjermaninë ose Anglinë.
Sherri
Vendimi i presidentit është kundërshtuar fuqishëm nga trajneri Deshamp i cili ka kërkuar që kapiteni të qëndrojë te Marseja. Madje disa ditë më parë (para fillimit të pushimeve) Deshamp pati folur gjatë me Lorik Canën duke i kërkuar këtij të fundit që të vazhdonte të ishte pjesë e projektit të ri të Olimpik Marsejës. Sipas mediave franceze ai që ka natyrisht më shumë gjasa për të futur në “sherrin” e nisur me presidentit dhe trajnerit është Dasier dhe në fund Deshamp, me hir soe me pahir do ti bindet financuesit kryesor, njëkohësisht punëdhënësi i tij.
Hamburgu
Edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar lajmet mbi interesimin e Hamburgut për Lorik Canën. Gjermanët janë gati të japin një shumë të konsiderueshme parash (rreth 10 milionë euro) por drejtuesit e Olimpik Marsejës janë duke pritur edhe disa ditë më shumë duke parë interesimin edhe të disa klubeve angleze si Everton dhe Arsenal. Nga ana tjetër Cana nuk ka shprehur simpati për ndonjërin nga klubet e mësiperme veç faktit se i ati i tij, Agim Cana pati takuar para 10 ditësh drejtuesit e Hamburgut për detajet e kontratës por pa definuar asgjë më shumë.
Bogdani
I njëjti skenar pak a shumë edhe te Kievo në Itali. Presidenti Kampedeli prej fundit të sezonit pati pohuar largimin e sulmuesit të kombëtares shqiptare Erjon Bogdani, por trajneri Mimo Di Karlo ka kërkuar që “Bogu” të qëndronte edhe për një sezon. Pikërisht kjo kontraditë mes stafit teknik dhe drejtuesve ka bërë që tratativat mes menaxherit të futbollistit shqiptar me skuadra të tjera (Bari e kërkon me ngulm) të mos vazhdojnë me tej.
KIEVO
Fantazisti i Ravenës dhe i kombëtares shqiptare U-19, Brian Filipi, sezonin e ardhshëm mund të realizoje ëndrrën e tij duke luajtur në Serie A. Skuadra e Kievos ku aktivizohet dhe Erjon Bogdani është hedhur në sulm dhe kërkon me çdo kusht për të marrë shërbimet e talentit kuqezi. Kievos i duhet të fitojë konkurrencën me shumë ekipeve italiane të Serisë A dhe B, sidomos me Palermon e cila në merkaton e dimrit ka nënshkruar një akord me djaloshin, duke zotëruar 50% të vlerës së kartonit të futbollistit. Te Kievo Verona para dy vitesh ka luajtur edhe Xhualin Rrudho, i cili gjatë këtij sezoni u aktivizua te kampionët e Superligës, Tirana.