E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, gjimnazi proteston për vrasjen e maturantit

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

“Armir, ti do jesh në zemrat tona!” Kjo fjali, me germa të mëdha, ishte shkruar dje në pjesën ballore të shkollës së mesme “Ali Demi” në Vlorë, në nderim të Armir Danajt.Nxënësit e kësaj shkolle zhvilluan një tubim nëpër qytet e deri në familjen e maturantit që u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Arsi Dajlani, të hënën. Në duar mbanin një fotografi të madhe të Armirit, ndërsa të gjithë kishin veshur bluza ku ishte stampuar fotoja e tij. Katër ditë pas vrasjes, shokët e Danaj bëjnë thirrje për drejtësi. Ata kërkojnë që të mos përsëriten më ngjarje të tilla të rënda, pasi ky nuk është rasti i parë i vrasjes së adoleshentëve me njëri-tjetrin në këtë qytet. Bashkë me nxënësit ishin edhe mësuesit e shkollës “Ali Demi”. Pasi ra zilja e fundit e mësimit, qindra nxënës u mblodhën në oborr. Me pankarta në duar, ku kërkohej dënimi i autorit të kësaj ngjarjeje që tronditi gjithë qytetin, ata u nisën fillimisht tek vendi ku ndodhi vrasja e 18-vjeçarit. Më pas në heshtje shkuan te familja e shokut të tyre, ku lexuan një peticion në emër të shokëve dhe miqve të viktimës. Vizita e shokëve të Danajt ishte mjaft prekëse për familjen. Nëna e tij nuk mundi të mos shpërthente në kujë. Ajo falënderoi më pas shokët e djalit të saj për këtë organizim. Nëpërmjet këtij peticioni, shokët e Armirit dhe të tjerë moshatarë të shkollës bënë thirrje për drejtësi. Ata kërkuan që përveç autorit të arrestuar të dënohet edhe nxitësja e krimit që, sipas tyre, është nëna e vajzës për të cilën u konfliktuan dy të rinjtë. Të njëjtin fakt pohuan dje edhe familjarët e viktimës, të cilët akuzuan nënën e vajzës për të cilën lindi konflikti. Mësohet se ajo është marrë disa herë deri më tani në pyetje nga policia e Vlorës në lidhje me këtë ngjarje, por ende nuk është marrë ndonjë masë ndaj saj.
“Armiri do të na mungojë gjithmonë. Ai ishte nxënës i shkëlqyer. Tashmë klasa jonë duket e boshatisur. Ndihemi të tronditur kur shohim bankën e tij bosh”. Kështu u shpreh shoku i ngushtë i Danaj, Boris Bimo. Edhe mësuesit e shkollës “Ali Demi” u shprehën se Armir Danaj kishte qenë një nxënës mjaft i rregullt dhe se nuk u kishte sjellë asnjëherë më parë shqetësime. Armir Danaj u qëllua me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Arsi Dajlani. Edhe xhaxhai i Armirit i kërkoi dje drejtësisë të japë dënimin maksimal për përgjegjësit e këtij krimi të rëndë, që preu në mes jetën e 18–vjeçarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›