Cana në semaforin “Top-club”
Mesfushori ndërkombëtar shqiptar i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, i është i imponuar skuadrës së padron i vërtetë. Por kjo, shkruan faqja franceze mercato365.com, nuk është mjaftueshme për të bindur klubet më të mëdha europiane, njëherësh edhe më të pasurat e kontinentit për të menduar seriozisht për të.
Atëherë kur Olimpiku i Marsejës endej midis të nxehtit dhe të ftohtit, në atë fillim të keq të sezonit, Lorik Cana ishte i vetmi i pandryshueshëm (pak rëndësi ka pozicioni i tij në fushë), një nga elementët foesen më të rregullt. Falë edhe statusit të tij prej kapiteni, shqiptari iu imponua skuadrës si një lider edhe formacionit olimpikas i mungonte ende karakteri. Lorik Cana u afirmua gjatë ndeshjeve edhe për një përmirësim të teknikës, kur më parë ishte shquar për agresivitet.
Kështu, disa prej klubeve më të rënda europiane, prej të cilave Arsenali, Roma dhe Bajerni i Munihut, u menduan shumë për të marrë shërbimet e ish-lojtarit parizien (PSG-së). Por edhe klube të zonës së dytë (Everton, Newcastle, Manchester City) dolën në skenë për 24-vjeçarin, i cili gjendet si në shtëpinë e tij te Olimpiku i Lionit. Shqiptari e ka bërë të qartë se kërkon një “top-club”. Vetëm kjo mund ta largojë nga klubi aktual me të cilin ka një kontratë deri në vitin 2012. Gjithsesi, negociatat zyrtare me klubet e mëdha kanë munguar, pasi pritet edhe fundi i sezonit. Për më tepër që edhe presidenti i Marsejës, Pape Diouf, mund të bindet të lëshojë xhevahirin e tij, vetëm në këmbim të një shume të madhe, 10 milionë euro më e pakta.
Bogdani kundër ish-së kaluarës
Livorno pret Rexhinën në javën e 29-të të Serisë A, në një sfidë mbijetese, ku asnjërës prej dy skuadrave nuk i lejohet të gabojë. Gjithsesi, të dyja ekipet i lidh me një nyje të fortë një emër shqiptari. Erion Bogdani.
Sulmuesi, aktualisht në forcë me Livornon, fillimet e tij në Itali i ka nisur pikërisht me Rexhinën, në vitin 1999, kur Erioni, pasi u transferua nga Partizani në kampionatin kroat me Dinamon e Zagrebit (25 ndeshje, 8 gola), u ble nga skuadra italiane. “Er-Bomber” në 68 ndeshje me Rexhinën realizoi 17 gola.
Bogdani, i cili në sfidën e fundit luajti për gati 20 minuta, ku humbi edhe një rast të artë, pritet të luajë nga minuta e parë, pasi trajneri i tij Xhankarlo Kamoleze beson shumë në njohuritë që ka shqiptari për ish-skuadrën e tij.
30-vjeçari Bogdani (mbush 31 më 17 prill) pritet të formojë dyshen sulmuese me Tavanon. Sulmuesi gjigant, i njohur në Itali me nofkën “Princi i Epirit”, ka shënuar vetëm një gol gjatë këtij sezoni, kundër Juventusit.
Në Serinë A dy skuadrat janë ndeshur vetëm tri herë midis tyre: një fitore për Livornon dhe dy barazime. Intriga bëhet edhe më interesante: trajneri i Livornos, Xhankarlo Kamoleze, ka drejtuar Rexhinën në sezonin 2003-2004.
Në një shkrim të saj të para disa kohëve, gazeta më e madhe sportive italiane, “La Gazzetta dello sport”, shkruante se Bogdani, atëherë sulmuesi i Sienës, ishte një ndër beqarët luksozë të futbollit italian dhe më të përkëdhelurit e vajzave që frekuentojnë lokalet trendi. Aktualisht, Erioni, i diplomuar për administrim biznes, bashkëjeton me një italiane, e cila pritet të jetë edhe bashkëshortja e tij e ardhshme.
Semina, titullar brenda 90 minutave
Të enjten pritet të debutojë në Bullgari edhe ish-sulmuesi i Partizanit, Enco Malindi
Klodian Semina, shkodrani i transferuar në Bullgari nga Vllaznia te Belasica, bëri një debutimi të suksesshëm në kampionatin bullgar, duke qenë edhe ndër më të mirët për ekipin e tij, edhe pse Belasica humbi në transfertë 2-0 me Vihren Sandaski në javën e 18-të të Kampionatit bullgar.
Faqja e njohur sportive sport1.bg i kushtoi një artikull të veçantë prezantimit të tij, duke e konsideruar si një futbollist me vlerë për skuadrën, por edhe me të ardhme në Bullgari, duke i referuar faktit se ai u ndoq nga disa menaxherë të CSKA-së Sofjes. Ndërkohë që lajmin e konfirmoi edhe menaxheri i tij.
“Semina luajti me shumë pjekuri edhe pse është vetëm 19 vjeç”, - tha për “Albania”-n nga Gjermania menaxheri i FIFA-s, Rudi Vata. “Bashkëpunëtori im bullgar, menaxheri Panajotis, më informoi pas kontakteve që ai pati me trajnerin e Belasicës, Miroslav Mitev, se Semina e zuri me meritë vendin e titullarit dhe se ai do të luajë nga minuta e parë në ndeshjen kundër Liteksit, takim që do të luhet të mërkurën, më 19 mars”. Ndërsa mbrojtësi Semina e bëri ndeshjen e parë të tij në Bullgari, një tjetër shqiptar, ish-sulmuesi i Partizanit, është në pritje të debutimit në kampionatin e vendit ballkanik.
“Enco Malindi e kaloi provën me sukses te Slavia dhe të gjithë e konsiderojnë një forcë plus në sulm”, - thekson Rudi Vata, i cili shton se Malindi do të niset të mërkurën në mëngjes herët (04:30) drejt kryeqytetit bullgar. “Pas nënshkrimit zyrtar e legal të kontratës dhe regjistrimit në Federatën Bullgare pret minutat e para me Slavian e Sofjes, pasi konsiderohet një sulmues i garantuar”. Faqja bullgare topsport.bg e dha me bujë të madhe lajmin, se Malindi më në fund pas marrëveshjeve të dy presidentëve të Partizanit dhe Slavias, do të mbërrijë të mërkurën në Bullgari vetëm 24 orë para ndeshjes së radhës. Në ndeshjen e fundit Slavia humbi 1-0 me Çërno More, ndërsa do të luajë të enjten kundër Marek, zë vendin e 11-të nga 16 skuadra që ka kampionati. Sipas zyrtarit të lartë të klubit bullgar, Stevica Kuzmanovski, Malindi do të debutojë me fanellën e Sllavias pikërisht në këtë ndeshje.
Goli i Bylykbashit, “The best” i javës 21
Goli i realizuar nga Dorian Bylybashi në barazimin 1-1 me Metalurg Donjeck (ish-skuadër e Elvin Beqirit) është votuar edhe si goli më i mirë i javës 21 në kampionatin ukrainas. Elbasanasi 27-vjeçar realizoi i pari në minutën e 59-të, përpara se Metalurg të barazonte me anë të Ivan Gnozdenoviç. Videoja e golit të tij qarkullon në internet dhe është ndër më të klikuarat në faqet ukrainase. Ish-lojtari i Partizanit në kampionatin shqiptar kishte realizuar dy javë më parë edhe kundër Tavria (1-1). Fantazisti shqiptar ka realizuar 5 gola në 21 ndeshjet e aktivizuara. Te Kribvasi luajnë edhe tri shqiptarë të tjerë: portieri Isli Hidi, mbrojtësi Henri Ndreka dhe mesfushori Ervin Bulku. Te skuadra tjetër ukrainase, Vorskla Poltava, luajnë gjithashtu katër shqiptarë: Debatik Curri, Armend Dallku, Ahmed Jonuzi si dhe në merkaton e janarit u shtua edhe Robert Grizhaj.
Krivbasi renditet në vendin e nëntë me 24 pikë pas 21 ndeshjesh nga 16 skuadra që ka kampionati ukrainas.
19 Mars 2008