E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pinoku i Gërdecit, ja tetë mashtrimet e mëdha pas tragjedisë

Krahasimi i deklaratave hedh dritë mbi mashtrimet. Kryeministri nuk tha në asnjë rast të vërtetën
Habjon Hasani
Të paktën tetë herë në tri ditë kryeministri i vendit ka devijuar dukshëm nga e vërteta duke eklipsuar të vërtetën në mënyrë të përsëritur. Daljet e shpeshta të kryeministrit në konferenca shtypi këto tri ditë, edhe pse kishin për qëllim sqarimin e opinionit public, duket se kanë dhënë në të vërtetë një efekt krejt të kundërt. Gazeta “Albania” ka sjellë në vëmendje të lexuesve sot të paktën tetë raste flagrante ku kryeministri ka qenë gjithnjë në “kundërpedal” në raport me të vërtetën. Këto raste nuk janë shembuj të dorës së dytë, por qëndrime publike të kreut të Ekzekutivit lidhur me elementët dhe pistat kryesore të hetimit. Ndërsa sytë e të gjithë shqiptarëve ishin përqendruar mbi televizionet për të mësuar diçka më tepër nga personi më i informuar i vendit (kryeministri), të nesërmen lexonin në gazeta faksimile zyrtare që flisnin për fakte krejt të kundërta të atyre që kishin dëgjuar nga kryeministri i tyre. Të dhëna që lidhen me marrëdhëniet kontraktuale mes shtetit dhe dy subjekteve private, të dhëna që flisnin për fëmijë që “luanin” me predha, të dhëna që lidheshin me listën e të punësuarve, që juridikisht përfaqësojnë gjurmët kryesore të zbardhjes së të vërtetës, nuk u thanë kurrë saktësisht nga kryeministri në këto tri ditë. Ndonëse gazetat kanë një numër ku e ku mundësish për të shtënë në duar dokumentet zyrtare, ishin të vetmet që e thanë të vërtetën “lakuriq”, ndonjëherë dhe paralelisht me kryeministrin që gjithnjë informohej minutë pas minuti, por asnjëherë nuk koincidonte me variantin që diktonin faktet dhe dokumentet e nënshkruara dhe të depozituara në strukturat vartëse të tij.

Deklaratat e pavërteta të kryeministrit në tri ditë

Gënjeshtra 1. Trajnimi i punonjësve

KRYEMINISTRI (15 mars 2008): Nga informacionet që kam unë, këta janë punëtorë të trajnuar, të cilët janë kualifikuar nga kjo kompani për këtë proces. Së dyti, nuk kam informacione se ka fëmijë të punësuar.

ISSH (18 mars 2008): “AlbaDemil”, në janar 2008, kompania nënkontraktore e amerikanes SAC, me qendër në Gërdec, kishte të siguruar pranë Sigurimeve Shoqërore vetëm një punëtor.

Gënjeshtra 2. Lista është plot, por edhe bosh

KRYEMINISTRI (15 mars 2008): Ne kemi listën dhe mbi bazën e kontrollit të parë të listës nuk rezulton se ka patur fëmijë të punësuar. Mund të ketë pasur 18 - 19-vjeçarë, por sidoqoftë një verifikim më i hollësishëm do të bëhet. Lista është e plotë. Kanë qenë 121 punonjës në fabrikë.

KRYEMINISTRI (15 mars 2008): Nuk mund të them se kjo është realisht lista përfundimtare. Por është e mundshme që bilanci të jetë pak a shumë ky, sepse nga autoritetet është punuar gjithë natën në këtë drejtim. Edhe familjarët janë angazhuar gjithë natën për të kontrolluar te lidhjet e tyre. Sidoqoftë, operacioni i shpëtim-kërkimit vazhdon me intensitet të plotë.

Gënjeshtra 3. Profili i kompanisë

KRYEMINISTRI (15 mars 2008): Lidhur me kompaninë , kjo është “Southern Ammunition Company” me bazë në Karolinën e Jugut, e licencuar për zbërthim të municioneve, pra është një kompani e këtij profili, e certifikuar sipas rregullave të certifikimit të tyre dhe nuk ka patur asnjë të huaj në këtë fabrikë.

SOUTHERN AMMUNITION: Ne jemi një kompani që merremi me aktivitete të ndryshme që lidhen me armët luftarake. Ne gjithashtu mbulojmë dhe çmontimin e armëve me kalibër të vockël.

Gënjeshtra 4. Ministria ka rolin e “mushkës”

KRYEMINISTRI (15 mars 2008): Theksoj edhe një herë se veprimtaria ka qenë tërësisht private. Ministria e Mbrojtjes ka pasur vetëm një detyrë: transportin e materialit te fabrika. Për çdo problem tjetër, do të jetë institucioni i akuzës që do të nxjerrë të gjitha përgjigjet.

VKM 2007: “Procesi i demilitarizimit e demontimit të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të Forcave të Armatosura, duke mbajtur regjistrime të hollësishme për regjimin, lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara dhe të atyre të demontuara dhe demilitarizuara dhe produkteve të tyre pas demontimit dhe demilitarizimit”

Gënjeshtra 5. “Çorba” me kontratat

KRYEMINISTRI (16 mars 2008): “Për sa i përket problemit të kontratës, pasi e dëgjova këtë gjë dhe pas verifikimit më raportohet nga ministria se kjo është absolutisht e pavërtetë, sepse pronari i fabrikës ka bërë kërkesë zyrtare për zgjatjen e kontratës dhe ka ardhur direkt nga vendi i tij për të firmosur kontratën e shtyrjes. Pra, sipas autoriteteve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, kjo është absolutisht e pavërtetë. Ka qenë një kontratë e rregullt me kompaninë amerikane”.

QKR(18 mars 2008): Rezulton se Mihal Delijorgji nuk është ortak i vetëm i kompanisë, ndërsa zotëron maxhorancën e aksioneve të firmës 75 për qind. Pjesa tjetër e aksioneve (25 për qind) janë në pronësi të firmës amerikane SAC, me president Patric Henry III, që është pikërisht firma që MEICO ka kontraktuar për demontimin e materialeve luftarake në Gërdec të Vorës.

Gënjeshtra 6. Kontratat janë të hapura, por edhe të mbyllura

KRYEMINISTRI (16 mars 2008): Nëse ju doni të bëhen publike kontratat, ato do të bëhen, sepse nuk ka asnjë lloj sekreti në to. Unë do t’i kërkoj Ministrisë së Mbrojtjes t’ua dorëzojë mediave sa më shpejt

MINISTRIA E MBROJTJES: (16 mars 2008): ”Nuk kemi ndonjë urdhër për publikimin e kontratave. E kuptojmë interesimin tuaj, por ndoshta më vonë mund t’i merrni, do t’ju njoftojmë vetë”

GËNJESHTRA 7. Telefonata, apo kontrata?

KRYEMINISTRI (17 mars 2008): “Një nga çështjet që do të hetohen është edhe kjo që ju pyesni, cila është e vërtetë, telefonata apo kontrata dhe kërkesa paraprake për të pasur një marrëdhënie kontraktuale për këtë qëllim dhe një seri dokumentesh e vendimesh të tjera, të ndërmarra mbi bazën e kësaj kërkese nga autoritetet e këtij dikasteri”.

REZULTATI: As njëra e as tjetra. Nuk bëhej fjalë për dy firma, por vetëm për një firmë, në të cilën amerikanët e “Southern ammunition” kishin 25 për qind të aksioneve

Gënjeshtra 8. Familjarët e viktimave, pjesë e “antimafias”

KRYEMINISTRI (19 mars 2008): Por nuk do të isha ky që jam në rast se nuk do të shprehja këtu habi ndaj disa zëdhënësve, mercenarëve të mafias, gazetarë që, duke shkelmuar në mënyrën më të turpshme mbi moralin njerëzor, kërcenin nga gëzimi në ekranet e tyre dhe manipulonin me fatkeqësinë e viktimave, ma thanë edhe familjarët.

BANORI I GËRDECIT (18 mars 2008): ”Bosët e fabrikës vinin me fuoristrada, rrinin pesë minuta dhe iknin. Këtu punonin hallexhinj për pesë lekë. Qeveria të veprojë menjëherë për të përcaktuar numrin e të vdekurve dhe të të humburve. Këta janë mafiozë, ne do të protestojmë deri në fund për të gjetur të drejtën tonë. Duam që edhe ju si media të na ndihmoni se këta qeveritarë na mbytën me gënjeshtra”.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›