E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF: “Mbledhja e klubeve e organizuar nga Pango”

Zëdhënësi Kokona: “Ministria realizoi shpërndarjen e saj përmes internetit”. Trajneri Han: “Unë shpresoj për një paqe midis Federatës dhe Ministrisë”
Dash Frashëri

“Nuk do të kemi një reagim zyrtar për deklaratën e klubeve, pasi ajo është një deklaratë që është servirur nga Ministria, është shpërndarë prej saj”. Ky është reagimi i “ftohtë” i zëdhënësit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Tritan Kokona, në lidhje me kërkesat e bëra tashmë publike, ku në to kërkohej edhe dorëheqja e presidentit Duka.
“PSE NUK REAGOJMË?”
“Po të shikoni te emrat e nënshkruesve, do të dalloni se nga Tirana ka nënshkruar vetëm njëri (Halili) nga katër donatorët, ky nuk është presidenti dhe nuk e përfaqëson ai klubin. Kjo është edhe një arsye pse nuk dalim të gjithë”. Bosët e klubeve shqiptare ngritën shqetësimin se pas pezullimit nga FIFA, e ndoshta më vonë edhe përjashtimin e Shqipërisë për një periudhë dyvjeçare, klubeve që ata drejtojnë do t’u hiqet e drejta për t’u përfaqësuar në kompeticionet europiane. Duhet të kujtojmë se skuadra kampione e Shqipërisë për pjesëmarrjen e saj në Ligën e Kampioneve, vetëm për pjesëmarrje në turin e parë eliminator përfiton rreth 260 mijë franga zvicerane (1 frangë = 0.644 euro, rreth 167 mijë euro), ndërkohë që ato që marrin pjesë në Kupën UEFA (70 mijë franga) dhe në Kupën Intertoto (40 mijë franga zvicerane).
ASNJË KËRKESË ZYRTARE
Edhe pse drejtuesit më të lartë të tetë klubeve elitare: Tirana, Partizani, Vllaznia, Elbasani, Besa, Shkumbini, Kastrioti e Skënderbeu i drejtuan një letër të ashpër me katër kërkesa Federatës Shqiptare të Futbollit, përfshirë edhe dorëheqjen e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, në rast të moszgjidhjes së konfliktit MTKRS-FSHF brenda datës 21.03.2008, ende nuk ka një kundërpërgjigje apo reagim zyrtar nga ana e qeverisë së futbollit shqiptar. I pyetur rreth një reagimi të mundshëm pas kërkesës së ashpër të tetë klubeve, zëdhënësi i FSHF-së, Tritan Kokona, pohoi se nuk ka për të pasur asnjë kundërpërgjigje. Ai shton se në FSHF nuk kishte mbërritur zyrtarisht letra e klubeve. “As nuk ishim në dijeni për të, madje të gjithë e vunë re se shpërndarjen e saj e organizoi Ministria e Sporteve përmes adresave të e-mailit të gazetarëve. Madje edhe në Federatë e solli një gazetar, duke na bërë të ditur se klubet kishin bërë një deklaratë”.
HAN KERKON PAQE
Për konfliktin FSHF-MTKRS është shprehur edhe trajneri Han, edhe pse holandezi pranoi se nuk ishte në dijeni të tij. “Unë shpresoj se për një paqe midis Federatës dhe Ministrisë”, - tha Han pas takimit me presidentin Duka për “Ora Sport”. Trajneri, i akomoduar në Durrës, do të jetë sot në selinë e FSHF-së për një takim pune. “Nesër (sot) do të bëjmë edhe një program më të detajuar të axhendës së trajnerit Han me Kombëtaren për ditët në vazhdim”, - përfundoi zëdhënësi i FSHF-së, Kokona.
Sipas drejtuesve të FSHF-së, trajneri është shprehur i shqetësuar për gjendjen në Shqipëri dhe për më tepër për të ardhmen e Kombëtares, skuadër të cilën ai do ta drejtojë deri më 31 dhjetor të 2009-s. Pas përjashtimit nga FIFA të premten e kaluar Kombëtarja shqiptare nuk do të ketë mundësi të luajë si me Arabinë Saudite më 21 mars, por edhe me Moldavinë më 26 mars. Një gjë e tillë është pritur jo mirë nga trajneri Han, i cili e ka kuptuar se Shqipëria nuk ka asnjë shans për të zhvilluar ndeshje miqësore.
KOSOVA, OPSION REAL
“E dimë që është pothuajse e pamundur të luajmë ndaj Arabisë dhe Moldavisë në datën që kishim parashikuar, prandaj do të mundohemi të luajmë ndaj Kosovës përderisa ajo nuk është ene anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s dhe mund të zhvillojë ndeshje ndaj nesh”, - pohoi për gazetën zëdhënësi i FSHF-së, Tritan Kokona. “Do të mbledhim sekretariatin e FSHF-së dhe më pas do të dalim në një qëndrim të përbashkët, duke bërë publike edhe kërkesat e trajnerit. Këto deklarime sigurisht që nuk do t’i bëjë Hani. Ndërkohë, jemi duke punuar me një strukturë paralele organizimi, që në rast se nuk do të luhet ndeshja me Moldavinë, të përpiqemi t’i krijojmë një mundësi të luajmë me Kosovën. Ne e kuptojmë se ndeshja nuk do të luhet pasi edhe Ministria nuk po lëviz prej pozicionit”.

4 kërkesat e klubeve

1) I kërkojmë Federatës Shqiptare të Futbollit dhe presidentit të saj që brenda një afati kohor prej 5 ditësh, deri më datën 21.03.2008, të zgjidhë problemet me MTKRS-së.

2) Në rast të moszgjidhjes së këtij konflikti brenda datës 21.03.2008, ne jemi të vendosur të bojkotojmë kampionatin.

3) Në rast të moszgjidhjes së këtij konflikti brenda datës 21.03.2008, ne kërkojmë dorëheqjen e presidentit të Federatës.

4) Nëpërmjet MTKRS-së, përkrahjen e shtetit për më shumë mbështetje për futbollin në Shqipëri për të qenë në një hap me reformat që ka ndërmarrë qeveria në fushat e tjera të ekonomisë, për t'u konkluduar me privatizimin e klubeve.

Klubet që e kanë firmosur
Tirana, Partizani, Vllaznia, Besa, Shkumbini, Elbasani, Kastrioti, Skënderbeu. Të bashkuar me qëndrimin e letrës edhe Butrinti e Tepelena.

Rudi Vata: “Kërkesat e klubeve të drejta”

Rudi Vata, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe një ndër kritikët më të rreptë të presidentit të FSHF-së, Duka, shprehet i bindur se klubet e Kategorisë Superiore kanë të drejtë në kërkesat e tyre. “Presidentët e tyre, apo donatorët, quajini si të doni, kanë të drejtë të shqetësohen për të ardhmen e klubeve që ata financojnë”, - tha Vata përmes një komunikimi telefonik. “Ata derdhin shuma jashtëzakonisht të mëdha dhe marrin përsipër t’i japin jetë një futbolli, që në epokën e Dukës është menaxhuar jo në mënyrë profesionale”. Vata, tashmë edhe me licencën e menaxherit të FIFA-s dhe me marrëdhënie të shumta në rang ndërkombëtar, shton: “Kudo që shkoj për motive pune, në Gjermani, Itali, Suedi, Danimarkë, Angli, Skoci ku jetoj, por edhe në Bullgari, Poloni, apo dhe në Malin e Zi, dalloj lehtësisht një organizim shumë korrekt dhe profesional, por në Shqipëri ai që bën ligjin është amatorizmi i drejtuesve të Federatës”. Ish-lojtari i Vllaznisë shqetësohet edhe për fatin e Kombëtares: “Si është e mundur që këta drejtues të mos e kuptojnë se më metodën e punës së tyre po i bëjnë një dëm kolosal e riparueshëm futbollit në nivel ndërkombëtar. Futbolli shqiptar dhe qindra mijërat e tifozëve nuk mund të mbetet peng i një njeriu. Dorëheqja e Dukës do ishte veprimi më i ndershëm i tij dhe jo të fshihej pas vendimeve të FIFA-s”.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›