E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI, si duhet plotësuar kërkesa për bonot

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Kërkesa e qytetarëve për shlyerjen e taksës së legalizimit me bono privatizimi nuk do të pranohet nëse nuk saktësohet shuma e pagesës. Nëpërmjet një udhëzimi ALUIZNI ka sqaruar dje qytetarët mbi mënyrën e pagesës me bono privatizimi të parcelës ndërtimore të objektit pa leje. Sipas burimeve zyrtare poseduesit e objekteve informale me funksion banimi, apo të përzier, të kualifikuara për legalizim, për efekt të pagesës së parcelës ndërtimore me bono privatizimi, duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë Drejtorive Rajonale të ALUIZNI-t, prej datës 12 Mars 2010 (sot) deri në përfundim të procesit të legalizimit. Në kërkesë duhet të jetë e përcaktuar masa e pagesës që do të shlyhet me bono privatizimi. Për objektet pa leje me funksion banimi apo të përzier, jashtë vijës kufizuese të ndërtimit, për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 me poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Përjashtohet pjesa e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m, e cila shlyhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare. Për objektet pa leje me funksion banimi apo të përzier, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m, pagesa mund të kryhet deri 50% të vlerës me bono privatizimi. Përjashtohen nga mënyra e pagesës me bono privatizimi, objektet informale me destinacion social-ekonomik dhe shtesat informale në objekte me leje, për të cilat pagesa e parcelës ndërtimore do të kryhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur, apo për rimbursimin, në këmbim të bonove të privatizimit, subjektet që kanë kryer pagesa të mëparshme të parcelës ndërtimore, duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë Drejtorive Rajonale të ALUIZNI-t. Afati për paraqitjen e kërkesës është, brenda 3 muajve, duke nisur nga data 12 Mars 2010,” sqaruan dje burime zyrtare nga ALUIZNI. Nisja e pagesave të legalizimeve të objekteve informate me bono privatizimi, ka bërë që këto mjete monetare të rivlerësohen në tregun vendas kohët e fundit. Brenda një harku kohor prej 8 muajsh, vlera e bonove të privatizimit ka shënuar shumë ulje ngritje ku pikën më të lartë e arritën në gushtin e vitit të kaluar. Sipas kambistëve, duke parë fluksin e interesit të qytetarëve për blerje, parashikohet që vlera e bonove të rritet sërish duke kapur vlerën e 15 për qind. Nga ana tjetër, vetë qytetarët po tregohen skeptikë për vlefshmërinë e bonove të privatizimit dhe nuk dinë nëse është më me shumë interes ti shesin bonot që disponojnë, apo të blejnë të tjera në pritje të përfshirjes së tyre në privatizim. Por realisht procesi i pagesës për legalizim me bono ka filluar dhe interesi për blerjen e tyre nga ana e të interesuarve është rritur ndjeshëm, ndërkohë që afati për këtë proces zgjat vetëm tre muaj. Kjo do të thotë se interesi për të blerë do të zgjasë vetëm tre muaj dhe më pas do të shënojë rënie, por kambistët duken optimist në parashikime, pasi sipas tyre deklaratat për përfshirjen e letrave me vlerë në procesin e privatizimit do të bëjë që vlera e tyre në treg të vijojë të jetë e lartë.

Përdorimi
Përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit, ndahen sipas vendndodhjes së objektit informal dhe sipas sipërfaqes së parcelës që kalon në pronësi të poseduesit të ndërtimit informal. Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit) për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë) për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50 për qind të vlerës me bono privatizimi dhe pjesa tjetër me vlerën e tregut.

Kuvend-Berisha

“Tregu i letrave me vlerë,
sot më i madh se koha e emetimit”

Deri në 820 milionë dollarë është vlera totale e letrave me vlerë të shpërndara në mesin e viteve 90-të. Në seancën e djeshme të Kuvendit, kryeministri Sali Berisha ka folur për letrat me vlerë dhe për të drejtat e përdorimit të tyre, ashtu siç e njeh edhe ligji shqiptar. Duke theksuar se ato do të përdoren për shlyerjen e detyrimieve që vijnë nga legalizimet, Berisha nënvizoi se edhe ata që nuk i kanë duhet të pajisen me to. “Qytetarët shqiptarë të bëjnë disponibël letrat me vlerë që kanë marrë, në bazë të ligjit që është në fuqi. Letrat me vlerë do të përdoren në masën 70 përqind për pagimin e sipërfaqeve deri në 300 metra katrorë për procesin e legalizimeve” u shpreh Berisha. Duke u shprehur që ka njerëz që i mbajnë këto letra prej vitesh, Berisha nënvizoi se pikërisht qeveria e tij vendosi ti njohë dhe ti japë mundësinë qytetarëve ti përdorin. “Qeveria jonë vendosi ti njohë ato të vlefshme ndonëse për kaq vite mbetën jashtë përdorimit. Në interesin e qytetarëve që kanë këto letra, tregu ku do të përdoren është i fuqishëm, është më i madh se tregu i përcaktuar për ato në kohën e emetimit. Të parët që përfitojnë nga vënia në përdorim janë poseduesit, si dhe ata që i blejnë”- deklaroi kryeministri. Gjatë fjalës së tij kreu i shtetit u shpreh se ka filluar edhe një reformë të re për çrrënjosjen e varfërisë ekstreme. Pas kësaj reforme deklaroi Berisha, nuk do të ketë më familje në varfëri ekstreme në Shqipëri. “Qeveria po përgatitet për një reformë për të çrrënjosur tërësisht varfërinë ekstreme, po përgatitemi për regjistrin elektronik për familjet në varfëri ekstreme, po punojmë me Bankën Botërore për të nxjerrë të dhënat komjuterike që do të na ndihmojnë të verifikojmë familjet e varfra dhe në një kohë të shkurtër nuk do të ketë më të tilla”- u shpreh Berisha

Ky lajm është publikuar: 12/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›