E Diel, 1 Nëntor 2026

Edmond Tupja pasuron Fjalorin Erotik Shqip

Botimi i parë bëri jo pak bujë. Pas lëkundjeve të tabuve në lidhje me seksin, ishte hera e parë që flitej për një temë të tillë. Të konsideruara si fjalë të “ndyra”, ato nuk mund të dilnin në dritë të diellit. “ǒtë bëj i ngjaj tezes, ndryshe nga ime më që është shumë puritane, ajo ishte e lirë në përdorimin e fjalëve”, thotë ai.

Pati shumë që e panë shtrembër, sidomos mes seksit femër. “Ja ky!”, thoshte ndonjëra duke mbledhur buzët. Por profesor Tupja nuk e vrau mendjen fare për këto reagime, sepse kishte edhe nga ato (sërish femra), që i thoshin: “Të lumtë profesor! Të gjithë i mendojmë ato llafe, edhe pse nuk i themi”. Plot 6 vjet pas botimit të parë, përmes shtëpisë botuese “EDFA”, Edmond Tupja sjell për lexuesin variantin e “rivështruar dhe të pasuruar” të “Fjalorit Erotik të Gjuhës Shqipe”. Një libërth i vogël, me kapak gjysmë të kuq, ku njoftohet se është një botim “Për moshën mbi 18 vjeç”, ndërsa në faqen e brendshme, autori nxiton të të bëjë me dije se kemi në duar një fjalor, por “dhe të tjera “prapësi po aq të kripura (në mos më shumë)”. Për ata që nuk e kanë shfletuar botimin e parë të vitit 2004 e që pavarësisht turimbledhjeve dhe nënqeshjeve, u shit në 1 mijë kopje, shkurtimisht mund të thuhet se ky fjalor përmbledh ato fjalë, të cilat janë quajtur dhe vazhdojnë të konsiderohet si “vulgare”, apo të “pista”. Por që pavarësisht kësaj i ndesh në të gjitha ambientet, që nga rruga, në lokale, në zyra, në shtëpi, në raste sherresh, por edhe në dhomën e gjumit, madje edhe në sallën e Parlamentit Shqiptar. Ky botim ofron rreth 500 zëra, të ilustruara edhe me shpjegimet dhe shembujt përkatës. “Botimi i dytë i këtij fjalori erotik ndjek të njëjtin qëllim si botimi i parë: të regjistrojë, për aq sa është e mundur, fjalët dhe shprehjet erotike të shqipes, të cilat përdoren rëndom, por që ende janë të diskriminuara: kështu për shembull, “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i Akademisë së Shkencave, Tiranë 2006, evidenton vetëm një pjesë të papërfillshme të tyre, atë më pak të kripurën. Nga ana tjetër, ky botim i dytë mëton të tregojë se këto fjalë e shprehje janë pasuri e patundshme e leksikut të shqipes dhe se, në këtë cilësi, kanë të drejtë qytetarie, njësoj si simotrat e tyre të ashtuquajtura të “ndershme”, në gjirin e fjalorëve, e studimeve gramatikore, stilistikore, etj. së fundi, ai kërkon t’i dëshmojë botës së qytetëruar se edhe shoqëria shqiptare po zhvishet sot nga paragjykimet shumëshekullore ndaj fjalëve dhe shprehjeve erotike”, shpjegon Edmond Tupja. Varianti i pasuruar, ofron deri në 100 fjalë të reja, shumë syresh krahinore, të cilat autori i ka regjistruar nëpër biseda mes miqsh, e të tjera burime. Madje ka edhe nga ata që ia kanë ofruar vetë fjalët “e reja” që kanë dëgjuar. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë dashur që të vënë “autorësinë” në anë të fjalës, ndërsa i vetmi që pranoi ishte gazetari Fatos Baxhaku, i cili ka ofruar disa fjalë të qëmtuara në zonat e thella të Mallakastrës, apo krahina të tjera, ku ai ka shkelur për reportazhet e tij. Përveç fjalëve të reja, Tupja thotë se botimi i ri ka përmirësime në shembuj, të cilët vijnë më të poetizuar, herë-herë kanë edhe rimë, apo vishen me nuanca të thekura humori. Gjithashtu është zgjeruar edhe pjesa zbavitëse me anë të poezive. Pjesa e fjalorit paraprihet nga dy parathënie, ku autori shpjegon qëllimin e këtij fjalori, si edhe një shtojcë “Rreth përfaqësimit të leksikut vulgar në fjalorë të shqipes”, që nuk është gjë tjetër veçse një kumtesë që Tupja e ka mbajtur përpara Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, në mbrojtje të fjalëve të “pista”. Në këtë kumtesë, e cila mësohet të jetë duartrokitur nga akademikët, ndër të tjera thotë: “Përfundimi ynë është i thjeshtë: meqë shqiptarët janë njerëz fizikisht e mendërisht, po aq sa janë të tillë edhe francezët, nuk ka më sot, asnjë arsye që termat në fjalë të mos figurojnë ose të figurojnë kalimthi në fjalorët tanë shpjegues”.
“Në fund të fundit janë fjalë, janë konvencione, të cilat marrin nuanca të ndryshme në kontekste të ndryshme. E njëjta fjalë përdoret si sharje, e njëjta në dhomë të gjumit merr një tjetër natyrë”, thotë ai, ndërsa sjell shembuj përdorimi fjalësh, jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhë të huaja, si në italisht, apo frëngjisht. Pavarësisht reagimeve të njerëzve, Tupja thotë se ka bërë një punë të mirë, duke nxjerrë këtë fjalor, pasi jo vetëm është pjesë e leksikut të shqipes, por edhe një argument humori. Jo rrallë herë ka qëlluar që ndonjë grup miqsh të lexojnë mes tyre shpjegimet që shoqërojnë fjalët e fjalorit. Por në fakt nuk është ky qëllimi kryesor i botimit të këtij fjalori. Veç vlerave regjistruese, duket se ka edhe qëllim edukativ. Në parathënien e dytë të librit, i propozohet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që libri të përfshihet në programet mësimore, në orët e edukatës seksuale që zhvillohet nëpër shkolla, por edhe të edukatës erotike, e cila duhet të hyjë në sistemet arsimore, pavarësisht paragjykimeve të shumta që mund të ketë në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›