Vlorë, një e shtunë festive me artistin Eddy Wata
Për të gjithë të rinjtë që do e kalojnë këtë fundjavë në qytetin e Vlorës, AMC dhe Bliss Night Club do të organizojnë një festë të veçantë. I ftuar i kësaj nate për të ndezur atmosferën verore do të jetë DJ, këngëtari dhe producenti i njohur Eddy Wata. Për ata që pëlqejnë festat e bukura, e shtuna është një mundësi e mirë për të shijuar verën dhe ritmet e saj deri në orët e para të mëngjesit. Eddy Wata është një ndër emrat më të njohur të muzikës ritmike. Ai është ndër të paktët artistë afrikanë, që ka arritur të bëhet i njohur në nivel ndërkombëtar në tregun e muzikës ritmike. Me disa prej këngëve të tij si “I love my pople” apo “I like the way” ai arriti të kapë majat e hitparedeve të muzikës dance jo vetëm në Evropë. Ai dallon për gërshetimin e muzikës dance me tinguj afrikane dhe xhamajkanë, duke e bërë muzikën e prodhuar prej tij shumë të kërcyeshme dhe të preferuar, sidomos gjatë stinës së nxehtë të verës. Të shtunën ata që do të jenë të pranishëm do të kenë mundësinë të kalojnë një natë të gjatë deri në orët e para të mëngjesit në praninë e të mirënjohurit Eddy Wata.