E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni: Kemi goditje të tjera për Serbinë



Prishtina zyrtare paralajmëroi se pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia duhet të bëhet gati për goditje dhe befasi të tjera. Ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Skënder Hyseni, tha se diplomacia kosovare do të ndërmarrë veprimet e saj adekuate në koordinim me aleatët ndërkombëtarë. “Serbia do të befasohet ende. Ajo do të marrë goditje të tjera. Goditjet për Serbinë vijnë si rezultat i veprimeve të vetë Serbisë. Nëse diplomacia serbe do të vazhdojë të hedhë pengesa diplomatike në rrugën e afrimit, në rrugën e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, atëherë edhe ne do të bëjmë veprime të tjera”, - tha Hyseni. Deklaratat, ministri Hyseni i bëri pas kthimit të tij nga Nju Jorku, ku mori pjesë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Hyseni tha se gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara ka zhvilluar takime me përfaqësues të dhjetëra shteteve, nga të cilët ka marrë premtime se shumë shpejt do të merret vendimi për njohjen e shtetësisë së vendit. Muaji shtator, sipas tij, mund të jetë i frytshëm për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›