Itali, Berluskoni: Jemi drejt zgjedhjeve të parakohshme
“Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, po përgatitet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme”, - ka thënë dje zëdhënësi i tij, ndërsa lideri i Qeverisë përpiqet të gjejë një formë për të dalë nga kriza politike, e cila ka mbërthyer Qeverinë e tij. “Kryeministri i ka paralajmëruar të gjithë të bëhen gati për zgjedhje të mundshme”, - tha zëdhënësi i Berluskonit, Paolo Bonaiuti. Mundësia e papritur për zgjedhje të parakohshme po përflitet shpesh ditët e fundit nga Berluskoni, që pas ndarjes me aleatin e tij më të ngushtë, Gianfranco Fini. Kjo ndarje dhe formimi i një force të re politike, e ka vënë në krizë serioze pushtetin e Berluskonit që kur erdhi në fuqi në 2008. Mbi 30 anëtarë të Dhomës së Ulët në Parlament ndoqën Finin dhe u larguan nga partia e Berluskonit. Kjo ka privuar koalicionin e drejtuar nga PDL, nga shumica automatike me 26 anëtarë më shumë në Dhomën e Ulët. Të mërkurën, qendra e djathtë e Berluskonit arriti të fitojë mocionin e mosbesimit për ministrin e Drejtësisë, pasi Fini dhe të besuarit e tij nuk e kundërshtuan, por abstenuan në votim. Zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin nëse koalicioni i Berluskonit humbet një votë parlamentare dhe Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, vë në dyshim shumicën e qeverisë. Z. Napolitano mund të urdhërojë atëherë shkrirjen e Qeverisë apo zgjedhje të parakohshme, shumë më herët se të mbarojë mandati i Berluskonit, në 2013. Edhe anëtarë të tjerë të lartë të koalicionit i parashikojnë zgjedhjet e parakohshme. “Edhe pse nuk ka precedent për zgjedhje të reja të paktën deri në shtator, nuk mund të përjashtohet se ne po përballemi me një krizë të rëndë politike”, - tha ministri i Brendshëm, Roberto Maroni i “Lega Nord”, partneri kryesor në Qeveri i Berluskonit. Nuk i mjafton kriza politike, por Berluskoni e ka kapur keq edhe me mediat ndërkombëtare. Gazeta “The Economist” shkruan se Gianfranco Fini është politikani më i aftë në Itali. “Financial Times” shkruan se tani zgjedhjet janë më afër. Spanjollja “El Pais” shkruan se “Italia është pa të ardhme politike”, ndërsa gazetat amerikane shkruajnë për Italinë se ka “fyerje dhe sherr në Parlament”. Berluskoni është kundërpërgjigjur se nëse Fini është më i aftë se ai, le ta tregojë.