Cana shkëlqen, Sandërlendi mund Blekbërnin
Ka luajtur vetëm tri ndeshje në Premier League, por në një kohë kaq të shkurtër ka bërë të çmenden pas tij të gjithë tifozët e Sandërlendit. Bëhet fjalë për Lorik Canën, i cili është konfirmuar sërish si futbollisti më i mirë i Sandërlendit në fushë dhe protagonist i padiskutueshëm në fitoren e 2-1 ndaj Blekbërnit në "Stadium of Light". Edhe pse vazhdonte të ndiente dhimbje të forta në dorë, pas atij dëmtimi të pësuar në mesjavë, në ndeshjen e humbur 1-3 ndaj Çelsit, mesfushori kuqezi ka zbritur në fushë nën efektin e gjilpërave. Kjo e ka ndihmuar të japë maksimumin e tij edhe në këtë sfidë përballë një kundërshtari direkt për një pozicion komod në mesin e tabelës në këtë sezon. I pozicionuar mirë në fushë dhe shumë i vëmendshëm ndaj zhvillimeve të lojës, ai ka qenë një pengesë thuajse e pakalueshme për lojtarët e skuadrës mike. Të shumta kanë qenë aksionet e Blekbërnit, të cilat përplaseshin në një mur të pakalueshëm, të formuar nga vetë kosovari i Kombëtares shqiptare. Ai ishte një garanci e madhe për manovrën mbrojtëse të Sandërlendi, gjë që u ka dhënë më shumë liri mesfushorëve të tjerë dhe sulmuesve të organizohen në kërkim të shënimit të golave. Shpesh është pjesë e kësaj manovre sulmuese. Megjithatë, jo për faj të tij, Sandërlendi e shikon veten në dizavantazh në minutën e 21-të. "Macet e Zeza" reagojnë shpejt duke barazuar me Xhons në minutën e 32-të. Në pjesën e dytë, në minutën e 52-të miqtë e ndalin Canën vetëm me faull. Nisja e lojës nga goditja e lirë është edhe aksioni i golit të fitores 2-1, sërish me autor Xhons. Pas paraqitje së mbrëmshme shumë të mirë, por edhe në dy ndeshjet e para apo dhe impenjimin e tij maksimal në stërvitje, është shndërruar tashmë në një idhull për tifozët. Mediat angleze kujtojnë se, i vetmi që e kishte parashikuar një fakt të tillë menjëherë pasi ai u ble nga Sandërlendi ishte pikërisht trajneri Stiv Brus, i cili kishte thënë: "Unë mendoj se në një kohë të shkurtër Loriku do të bëhet lojtari më i dashur për tifozët".