E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana te Sandërlendi për 2.5 mln euro në sezon

 

Jetmir Halilaj

Lorik Cana ka pranuar ofertën e klubit anglez të Sandërlendit dhe pasi ka kryer dje vizitat mjekësore, ka firmosur zyrtarisht kontratën. Bëhet fjalë për një marrëveshje katërvjeçare, ku Marseja do të paguajë gjashtë milionë euro, ndërsa futbollisti do të përfitojë rreth 2.5 milionë euro neto në sezon. Shtypi anglez dhe ai francez kanë bërë dje publike edhe detajet e fundit të transferimit të shqiptarit. Ka qenë trajneri i Sandërlendit, Stiv Brus, ai që ka këmbëngulur për të blerë kartonin e shqiptarit, duke e cilësuar atë si përforcimin ideal në mesfushë. Cana udhëtoi dje drejt Amsterdamit, aty ku ndodhet momentalisht skuadra angleze, për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore. Të mërkurën futbollisti prezantohet zyrtarisht.
Prapaskenat
26-vjeçari shqiptar kërkohej edhe nga klube të tjera, por oferta e bërë gjatë orëve të fundit nga anglezët ishte e parefuzueshme, pasi do të përfitojë rreth 2.5 milionë euro në sezon. Megjithatë, mesfushori mësohet se ua ka bërë të qartë që në fillim drejtuesve, se në rast të një oferte më të mirë sezonin e ardhshëm, do të kërkojë largimin, pasi ky është synimi i tij kryesor. Kjo pikë pritet të përcaktohet edhe në kontratën që do të nënshkruajë sot. Një tjetër kërkesë e Canës ka qenë edhe fanella me numër 19, të cilën e ka mbajtur edhe te Marseja. Fillimisht drejtuesit e skuadrës i kanë thënë lojtarit se këtë numër nuk mund t’ia jepnin, pasi e mbante lojtari Xhimi Çendler, por shqiptari ka këmbëngulur, pasi e cilësonte 19 si numrin e tij me fat. Drejtuesit e Sandërlendit janë bindur që t’ia plotësojnë këtë dëshirë. Ndërkaq, kanë qenë këta të fundit, që i kanë premtuar se Cana mund të jetë kapiteni i skuadrës për sezonin e ardhshëm. Këtë verë nga Sandërlendi u largua Den Uajthed, i cili mbante shiritin e kapitenit. Gjithsesi, kjo mbetet ende për t’u diskutuar, pasi më parë duhet ta miratojë ekipi këtë zgjedhje. Ndërkaq, mësohet se Cana ka kërkuar që prezantimi i tij zyrtarisht si lojtar i Sandërlendit të bëhet ditën e hënë, më 27 korrik, që përkon edhe me ditëlindjen e tij, meqenëse në këtë datë futbollisti mbush 26 vjeç. Edhe kjo kërkesë është marrë në konsideratë, por nuk i është dhënë një përgjigje, sepse sipas klubit fansat ishin të paduruar për ta parë mesfushorin e Kombëtares shqiptare me fanellën e Sandërlendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›