E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet drejtori i shkarkuar

 

Armand Bajrami

I larguar nga detyra rreth dy muaj më parë, pas dyshimeve të përfshirjes në afera korruptive për lejet e të burgosurve, kthehet sërish në detyrën e tij në krye të Burgut të Rrogozhinës. Ylli Zdrava, ish-drejtor në këtë institucion, është rikthyer në postin që mbante deri pak muaj më parë. Lajmi u konfirmua për gazetën nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Riemërimi i Zdravës në kreun e administratës së burgut të Rrogozhinës mësohet të jetë firmosur nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i njëjti person që vetëm dy muaj më parë firmosi urdhrin e largimit të tij nga detyra. Ndërkohë ende nuk është bërë publike pozita e tij nga organi i akuzës, e cila pas shkarkimit të tij nisi hetim për dyshimet e përfshirjes së tij në “pazare” të jashtëligjshme. Gjithashtu, Zdrava ishte nën verifikim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në lidhje me lejet e dhëna prej tij gjatë kohëve të fundit. Zdrava u largua nga detyra e tij si drejtues, pas publikimit në media të pamjeve filmike, ku një tjetër person negocionte në emër të tij për përfitimin e lejeve të të burgosurve në këmbim të 100 eurove për çdo ditë liri.
RIEMERIMI
Vetë kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Gazmend Dibra, i kontaktuar nga “Panorama”, pohoi se ishte njohur me riemërimin e Ylli Zdravës në drejtimin e burgut të Rrogozhinës. “Ylli Zdrava është emëruar nga ministri i Drejtësisë drejtor në burgun e Rrogozhinës”, u shpreh Dibra. Gjithashtu numri një i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pohoi se nuk është dakord me këtë emërim. Bëhet e ditur se “surpriza” e riemërimit të Zdravës në postin që ai zotëronte deri dy muaj më parë është zbuluar mesditën e djeshme. Referuar burimeve pranë këtij burgu, zëvendësministri i Drejtësisë, Ermal Dobi, ka qenë në ambientet e burgut ku edhe ka bërë prezantimin e Zdravës si drejtues të ri të institucionit. 
SKANDALI
Emri i Ylli Zdravës, drejtues në burgun e Rrogozhinës, u lakua nga mediat e shkruara dhe vizive pas dyshimeve të forta për përfshirje të tij në afera korruptive. Një video e transmetuar në emision investigativ “Fiks Fare” në televizionin “Top-Channel”, jepte momente kur shoferi i drejtorit Zdrava, njëkohësisht vëllai i tij, ndërmjetësonte për nxjerrje lejesh për të burgosurit në këmbim të parave. Në bisedën e regjistruar, sekseri kërkonte 100 euro për çdo ditë liri për të burgosurin A. Sakaj. “Pazari” u finalizua në datën 5 maj të këtij viti, me nxjerrjen e të burgosurit për 5 ditë lejë, pasi për të ishin paguar 500 euro, edhe pse ai vetë nuk kishte plotësuar asnjë dokument për kërkesën për leje. Pas publikimit të videos një grup inspektimi i Ministrisë së Drejtësisë udhëtoi drejt burgut të Rrogozhinës. Pas njohjes me raportin e këtij grupi, Zdrava u largua nga detyra me një urdhër të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Urdhri i largimit nga detyra erdhi dy ditë pas publikimit të pamjeve filmike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›