Shqipëria, dashuria e re mesdhetare

Përshtypjet që ne marrim gjatë gjithë kohës përmes virtualit apo takimeve direkte me turistët shqiptarë, tregojnë se ne ende nuk e njohim Shqipërinë, ndërsa pas prezantimeve të promocioneve turistike apo guidave, mahniten duke na kërkuar të dinë më shumë...”, u shpreh sot Nada Kallçiu, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (në vartësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve). E ndërsa shqiptarët, në një përqindje më të vogël se vitet e tjera pretendojnë të kalojnë pushimet jashtë shtetit, pa njohur ende mirë Shqipërinë, numri i vizitorëve të huaj, veçanërisht atyre mesdhetarë, duket se ka pasur një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Stafi i punës i AKT-së, i përbërë prej 32 personash, ka kuruar në detaje aktivitetet dhe promovimin e Shqipërisë, jo vetëm për turistët shqiptarë, por edhe për ata të huaj, duke u ofruar atyre materiale promocionale, guida dhe harta turistike dhe deri te libërthat e gastronomisë shqiptare, apo deri te projekti më i fundit "40 hanet e Shqipërisë". Por me sa duket promovimi i Shqipërisë në panairet ndërkombëtare dhe spotet publicitare, janë ato që kanë “goditur” më shumë vëmendjen e turistëve të huaj drejt vendit të vogël ballkanik. Është transmetuar një spot publicitar në televizionin Euronews përgjatë muajt prill 2009, si dhe spotet rajonale të transmetuara në Maqedoni, Malin e Zi, Kosovë dhe Shqipëri përgjatë periudhës 1 maj -15 qershor. Sipas Kallçiut, "një punë të jashtëzakonshme kanë bërë gjithë specialistët”, por në veçanti përmend "mirëmbajtësit e internetit pranë këtij seksioni dhe specialistët e kësaj Agjencie për hedhjen e të dhënave të fundit në faqen zyrtare (www.akt.gov.al), artikujt e shumtë në gazetat franceze dhe angleze, si dhe hapjen e një profili në grupin social Facebook, - duke u dhënë një mundësi më shumë shqiptarëve, por edhe të huajve, të shijojnë me veçse një klikim, peizazhet shqiptare, natyrën "e egër", por edhe aktivitetet dhe mundësitë që u ofron Agjencia Kombëtare e Turizmit. Në vijim të kësaj ideje Kallçiu shton se “kemi 6600 miq në faqen tonë. Pikërisht në 95 % të rasteve marrim nga këta miq virtuale dhe realë, detaje të rëndësishme për punën tonë, ku së shumti mund të përcaktojmë se jemi ne shqiptarët, ata që nuk e njohim ende Shqipërinë”.
Për aktivitetet të cilat AKT do të zhvillojë së shpejti, Kallçiu u shpreh se "aktualisht është një grup i madh i 600 grave nga Izraeli, të cilat po vijnë në grupe të vogla, përmes një agjencie turistike shqiptare dhe që do të vijojnë turin e tyre përreth Shqipërisë deri më 15 shtator, ndërsa ne si Agjenci po i krijojmë lehtësirat në pikat kufitare. Ndërkohë, AKT-ja ka planifikuar edhe një aktivitet turistik me varka me vela, që do të zhvillohet më 29 gusht në plazhin e Golemit, projekt i cili është në fazat përfundimtare të hartimit. Gjithashtu, thotë Kallçiu, jemi duke u përgatitur për një plan të gjërë të promovimit turistik, në bashkëpunim me pushtetin lokal në rrethe, në javën e dytë apo të tretë të shtatorit, ku brenda një dite në qytetin e Durrësit do të prezantojmë kuzhinën shqiptare, kostumografinë, etnografinë, etj. Agjencia Kombëtare e Turizmit, si zbatuesja kryesore e politikës së qeverisë në fushën e turizmit për krijimin e produkteve turistike (në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve), ka kryer një studim të detajuar mbi ardhjen e turistëve të huaj në Shqipëri, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, nga janë përpunuar edhe të dhënat fillesatare. Sipas këtij studimi, rezulton se gjatë periudhës janar-korrik 2009, ka pasur 991.306 vizitorë të huaj (19.072 janë vizitorë ditorë, ndërsa 972.234 kanë qenë turistë), nga 726.898 vizitorë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 36 % më shumë se një vit më parë. Krahasuar me statistikat e vitit 2005, rritja e numrit të vizitorëve të huaj (të ndarë në 4 nënkategori) ka qenë afërsisht 2.6 herë më shumë. Numri më i madh i vizitorëve i përket shtetasve europianë. Sipas statistikave, 37 % e vizitorëve që kanë hyrë gjatë periudhës janar-korrik 2009 në Shqipëri kanë qënë nga Kosova, 19 % maqedonas, 7 % malazezë, 6 % italianë, 5 % grekë, 3 % serbë, 4 % anglezë, 3 % gjermanë, etj.
...