E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida të nxehta për legjionarët në Ligën e Europës



Edhe pse nga Liga e Europës janë eliminuar Dinamo, Flamurtari e Vllaznia, përsëri kompeticioni i dytë më i rëndësishëm evropian i klubeve ka pak aromë shqiptare. Vorskla Poltava, fituesja e Kupës së Ukrainës, kjo falë edhe kontributit të jashtëzakonshëm të dy kosovarëve të Kombëtares shqiptare, Debatik Curri e Armend Dallku, por dhe sulmuesit të ri të Shqipërisë U-21, Ahmed Januzit, do të luajë sot ndeshjen e parë të turit të katërt kualifikuese të Ligës së Europës, pikërisht kundër portugezëve të Benfikisë së Lisbonës, një prej dy skuadrave më të njohura në Portugali së bashku edhe me Porton. Edhe mbrojtësi Admir Teli, në forcë me azerbajxhanasit e Karabag, do të luajë sot po për këtë tur, por shkodrani do të përballet me holandezët e Tuentes.

Firmos Skeraj, Koblenc në versionin “Kosova”

Kosovari Shqipron Skeraj nënshkroi një kontratë 1-vjeçare me skuadrën e Bundesligës 2 gjermane, Tus Koblenc. Lajmi u dha nga faqja gjermane, Spox.de. Sezonin e kaluar mesfushori 24-vjeçar u aktivizua në pesë ndeshje me Greuther Furth, si i huazuar nga klubi kosovar, Prishtina. Tek Tus Koblenci aktualisht luajnë dy vellëzërit kosovarë me pasaportë finlandeze, Shefki e Njazi Kuqi.

Koshi shqiptar “tremb” Qipron

Kombëtarja e basketbollit për meshkuj do të luajë të shtunën, më 22 gusht me Qipron në Nikosia, ndeshja gjashtë e kuqezinjve të drejtuar nga trajneri Roland Avrami në eliminatoret e Kampionatit Europian 2009, grupi B i divizionit “B”. Trajneri i Qipros, Kristos Stiliniadis, duke folur për faqen qipriote, politisport.com.cy, tha se “Shqipëria është një skuadër që nuk kalohet lehtë, pasi vetëm pak ditë më parë ka fituar me Zvicrën”.
Kombëtarja jonë, që fitoi së fundi me Zvicrën 76-73, pas pesë takimesh ndodhet në vendin e fundit, me 2 fitore e 3 humbje, më të njëjtat statistika e pikë (7), si dhe Rumania, Qipro e Zvicra. Grupi ynë kryesohet nga Bjellorusia, që i ka fituar të katër takimet e zhvilluara.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›