E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqësorja e Kombëtares, Han thërret Bylykbashin e Salihin

Ari Han ka konfirmuar revolucionin në kombëtaren shqiptare të futbollit, duke vazhduar punën e lënë në mes nga ish-trajneri Bariç. FSHF-ja ka publikuar dje listën e lojtarëve të grumbulluar nga tekniku holandez për grumbullimin stërvitor në Gjermani dhe miqësoren me Poloninë, ku mes 22 emrave mungon një pjesë e "gardës së vjetër" të kombëtares. Han ka preferuar të provojë lojtarë të rinj, duke lënë përfundimisht jashtë Haxhin, Deden dhe Bushin, tre futbollistë, të cilët në edicionin e kaluar ishin pjesë e pandashme e kuqezinjve.

Ashtu siç pritej, nuk ka pasur asnjë ndryshim për sa i përket portës kuqezi, ku Beqaj dhe Hidi janë grumbulluar për këtë miqësore. Konfirmimi i ndryshimeve të mëdha vjen në mbrojtje, ku janë lënë jashtë emrat e Haxhit dhe Dedes, titullarë të paprekshëm gjatë periudhës kur kuqezinjtë drejtoheshin nga Oto Bariç. Dallku, Vangjeli dhe Curri janë tre emra të cilët kanë qenë vazhdimisht titullarë. Alternativa të tyre në këtë repart janë Lila, Vrapi dhe Ansi Agolli, i cili me ekipin e tij finlandez po konfirmohet si një mbrojtës i mirëfilltë në krahun e majtë. Në këtë mënyrë, Han i ka hapur rrugë rinovimit të prapavijës, një reparti shumë problematik për kuqezinjtë gjatë edicioneve të fundit.

Në mesfushë mungojnë surprizat, ku Cana, Duro, Skela, Lala dhe Bulku janë emra të paprekshëm në kombëtare. Por edhe këtu, trajneri holandez ka bërë të qartë se dëshiron të shohë sa më shumë alternativa për këtë repart, pasi ka grumbulluar katër lojtarë të kampionatit shqiptar: Dhëmbin, Shkëmbin, Bakajn dhe Likën. Këta lojtarë e kanë bindur trajnerin gjerman gjatë zborit stërvitor të zhvilluar në shkurt në Antalia të Turqisë dhe pritet që të jenë pjesë e grupit kuqezi gjatë edicionit të ardhshëm.

Për sa i përket sulmit, bie në sy grumbullimi i Dorian Bylykbashit dhe Hamdi Salihit, dy lojtarëve që ishin lënë jashtë listës për ndeshjet kundër Arabisë Saudite dhe Moldavisë. Trajneri Han e ka justifikuar këtë, me faktin se në atë periudhë nuk i kishte parë ende në veprim këta futbollistë, por tani duket se ka ndryshuar mendje për cilësitë e tyre, duke i grumbulluar që të dy në miqësoren e parë që do të zhvillojë me kombëtaren shqiptare. Megjithatë, si Salihi, ashtu edhe Bylykbashi, do të kenë një detyrë të vështirë për të siguruar vend në formacionin e parë, ku Bogdani dhe Kapllani janë të paprekshëm. Një tjetër futbollist i perspektivës është Jahmir Hyka, i cili është përfshirë në grupin e sulmuesve nga trajneri holandez, që ka vlerësuar aftësitë teknike të lojtarit të Tiranës, pas derbit të fundjavës. Mungesa e madhe në sulm është ajo e Alban Bushit, rekordmenit të kombëtares, i cili duket se i ka dhënë përfundimisht lamtumirën fanellës kuqezi.

Lista e lojtarëve për ndeshjen me Poloninë

Portierë

Arjan Beqaj (Anorthosis Famagusta), Isli Hidi (Krivbas)

Mbrojtës

Andi Lila (Besa), Armend Dallku (Vorskla Poltava), Kristi Vangjeli (Aris Selanik), Debatik Curri (Vorskla Poltava), Endri Vrapi (Tirana), Ansi Agolli (FC Vasan)

Mesfushorë

Lorik Cana (Olimpik Marsejë), Klodian Duro (Tirana), Ervin Skela (Energi Kotbus), Altin Lala (Hanover), Ervin Bulku (Krivbas), Elis Bakaj (Partizani), Gilman Lika (Vllaznia), Paulin Dhëmbi (Partizani), Bledi Shkëmbi (Partizani)

Sulmues

Dorian Bylykbashi (Krivbas), Edmond Kapllani (Karlsruhe), Erjon Bogdani (Livorno), Jahmir Hyka (Tirana), Hamdi Salihi (Ried)

Programi

Trajneri Han ka planifikuar një program të ngjeshur stërvitor për kuqezinjtë gjatë grumbullimit në Gjermani, ndonëse është fundi i sezonit. Që në ditën e nisjes, me datë 20 maj, kuqezinjtë do të zhvillojnë seancën e parë stërvitore në orën 16:30. Gjatë kësaj dite pritet që grupit t‘i mungojnë futbollistët që aktivizohen në Ukrainë, pasi ata kanë ndeshjet e javës së fundit të kampionatit dhe do t‘i bashkohen vetëm të nesërmen pjesës tjetër të lojtarëve. Me datë 21, 22 dhe 23, Han ka planifikuar dy seanca stërvitore në ditë, në orën 10:30 dhe 16:30. Me datë 24 do të zhvillohet vetëm seanca stërvitore e paradites, ndërsa data 25 do të jetë ditë pushimi për të gjithë, duke u dhënë mundësinë futbollistëve të shohin disa nga pikat turistike në qytetin e Shtutgartit, ku do të zhvillohet ky grumbullim. Edhe me datë 26 do të ketë një seancë të vetme stërvitore, ndërsa një ditë më vonë kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Rojtlingenit, ku do të luajnë miqësoren me Poloninë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›