E Diel, 1 Nëntor 2026

Canaj merr drejtimin e Vllaznisë: Objektivat le t‘ia lëmë kohës

Agim Canaj, duke filluar nga sot, do të fillojë punën si trajneri i Vllaznisë. Pas zërave të ditëve të kaluara, presidenti i kuqebluve, Valter Fushaj, ka zyrtarizuar ish-trajnerin e Dinamos në stolin e skuadrës, duke bërë edhe prezantimin e tij para mediave. Në fakt, siç kanë zbuluar të dyja palët, Canaj pritej të merrte drejtimin e skuadrës që pas largimit të Mirel Josës, por në atë periudhë bisedimet nuk shkuan siç pritej dhe presidenca kuqeblu zgjodhi Haxhiosmanoviç. Por me largimin e malazezit në fund të këtij edicioni, u krijuan kushtet e duhura për të kaluar në stolin shkodran, me të cilin Canaj shpreson jo vetëm të bëjë bëjë paraqitje dinjitoze në Kupën UEFA, por edhe të synojë titullin në sezonin e ardhshëm.

"Unë e falënderoj trajnerin Canaj që pranoi të jetë pjesë e Vllaznisë, pasi dihet që ai ka pasur edhe oferta të tjera gjatë kësaj periudhe. Ne kemi qenë në kontakt me të edhe disa muaj më parë, por për arsye të ndryshme, në atë periudhë nuk u arrit akordi, por tani jam shumë i gëzuar që erdhi dita kur ai të marrë drejtimin e Vllaznisë. Mendoj se Canaj i ka të gjitha mundësitë të bëjë gjëra të mira me skuadrën, pasi e njeh mirë skuadrën tonë dhe kampionatin shqiptar. Dua të falënderoj ish-trajnerin Haxhiosmanoviç, por ai e njeh shumë pak kampionatin shqiptar. Vllaznia ka nevojë të hyjë në merkato për t‘u përforcuar dhe Canaj e njeh më mirë kontingjentin e futbollistëve të kampionatit shqiptar. Të mos harrojmë se ishte ai që e ndërtoi Dinamon që këtë sezon u shpall kampione", ishin fjalët e presidentit Fushaj, i cili la të kuptohet se ky do të jetë objektivi kryesor i skuadrës për sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, Canaj nuk ka dashur të deklarojë objektiva të menjëhershëm, duke preferuar që të flasë më shumë me atë që do të shfaqë skuadra në fushën e lojës. "Dua të falënderoj presidencën që besoi tek unë, edhe për faktin që kemi pasur kontakte të vazhdueshme edhe në të kaluarën, me synimin për të ndërtuar një Vllazni pretendente. Unë dëshiroja që skuadrën ta merrja në fillimin e një edicioni. Objektivat? Unë dëshiroj të flas në fushën e stërvitjes dhe të lojës, bashkë me futbollistët që do të kem në dispozicion", deklaroi Canaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›