Kuqezinjtë e vegjël, barazim 2-2 me Sllovakinë
Përfaqësuesja U19 ka marrë dje një rezultat më se pozitiv në turin e dytë të Evropianit të kësaj grupmoshe, duke barazuar 2-2 me Sllovakinë. Skuadra e drejtuar nga Ramadan Shehu ka kaluar dy herë në avantazh gjatë pjesës së parë të takimit, por sllovakët kanë arritur të vënë baraspeshën në shifra. Pavarësisht një loje të mirë nga kuqezinjtë e vegjël, rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare, duke sigluar edhe pikën e parë të marrë në turin e dytë pas humbjes 2-0 ndaj Gjermanisë. Por ky barazim ka pasur edhe anën negative, pasi i ka hequr shansin Shqipërisë të kalojë në fazën finale të turneut, ku marrin pjesë vetëm fituesit e 8 grupeve. Në takimin tjetër të grupit, Gjermania ka barazuar 2-2 me Kroacinë, duke e bërë të pamundur kualifikimin e kuqezinjve, pavarësisht një fitoreje të mundshme ndaj Kroacisë në ndeshjen e fundit që do të luhet me 27 maj. Gjermania kryeson grupin me 4 pikë, e ndjekur nga Sllovakia dhe Kroacia që kanë 2 pikë, ndërsa Shqipëria ka vetëm 1 pikë.