E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe një muaj për amnistinë, rastet kur nuk falet borxhi

23/02/2009  Publikohet formulari tip për bizneset që përfitojnë nga falja e borxheve në dogana

Ka mbetur një muaj deri në përfundimin e afatit ligjor për amnistinë fiskale. Shumë biznese gjenden ende në vështirësi për të bërë pagesën e detyrimeve të prapambetura doganore dhe tatimore, deri më 7 prill të këtij viti. Sipas të dhënave të doganës, janë 2 196 raste në total që rezultojnë debitorë ndaj shtetit. Borxhi total është rreth 9 miliardë lekë të reja, nga të cilat do të arkëtohen vetëm rreth 2, 5 miliardë lekë të reja. Të vetmet raste kur nuk falet detyrimi janë ato kur ka vendim gjyqësor të formës së prerë dhe kallëzim penal.

Amnistia

Amnistia fiskale do të zbatohet për taksat e prapambetura të automjeteve, detyrimet doganore dhe tatimore, si mospagesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

“Administrata doganore shqiptare u bën thirrje të gjithë debitorëve të paraqesin sa më shpejt pranë degëve doganore kërkesën e tyre për të përfituar nga ligji për faljen e detyrimeve të prapambetura dhe borxheve doganore dhe të kryejnë menjëherë pagesën e detyrimit të munguar doganor”, - theksojnë burime zyrtare të kësaj administrate. Borxhi i akumuluar llogaritet që nga viti 1992, ndërsa llogaritet si borxh i humbur, ose i thënë ndryshe “i shuar”, për arsye të ndryshme, kap vlerën prej 1.7 miliardë lekë të reja. Në këtë listë të “zezë” përfshihen borxhet, të cilave jo vetëm që u ka kaluar afati, por edhe borxhet e atyre bizneseve që as nuk ekzistojmë në regjistrat e administratës fiskale.

Borxhet shtetërore

Në listën e borxhlinjve janë edhe 38 institucione shtetërore, me një total prej 257 milionë lekësh që duhet të falet. Borxhi në dogana është 136 milionë lekë, gjoba është rreth 4 milionë lekë dhe kamatëvonesat janë rreth 116 milionë lekë. Administrata doganore ka bërë gati të gjitha procedurat që bizneset të përfitojnë nga kjo lehtësi. Gazeta publikon edhe formularin tip që duhet të dorëzohet pranë degëve të doganave. Në këtë amnisti përfshihet edhe shuma e borxheve për bizneset që nuk ekzistojnë më. Për këto lloj borxhesh vendimi i Qeverisë parashikon fshirjen e rekordeve të mbetura, një lëvizje që do të përmirësojë treguesit e informalitetit të lartë të bizneseve shqiptare në vendin tonë, si një kusht për integrimin në komunitetit e bashkësisë evropiane. Amnistia përfshin edhe faljen për subjektet debitore për automjetet e importuara para datës 1.1.2001. Atyre u falet detyrimi i munguar, gjobat, kamatëvonesat dhe taksa për ditë-qëndrimet. Gjithashtu të gjithë debitorët për automjetet e importuar pas datës 1.1.2001 u falen gjobat, kamatëvonesat dhe taksat për ditë-qëndrimet me kushtin që të paguajnë principalin brenda datës 7 prill 2009.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›