Zhvlerësimi i lekut, rritet kostoja e kredisë
Euroja në tregun valutor, sot kushton 12 lekë më shumë se në dhjetor 2008, kur kuotohej me 122.42 lekë
Ulja e normës së insteresit nga Banka e Shqipërisë, nuk ka ndikuar në uljen e kostos së kredive
TIRANË - Fillimviti 2009, mund të konsiderohet si tejet i pafavorshëm për monedhën vendase. I ndikuar nga shumë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, leku vazhdon të zhvlerësohet me shpejtësi ndaj monedhave të forta, dhe kryesisht ndaj euros dhe dollarit.
Që nga muaji dhjetor 2008, kur euroja kuotohej me 122.42 lekë, monedha europiane është forcuar me ritme të shpejta ndaj lekut. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, sot një euro kushton 12 lekë më shumë se në fund të vitit 2008. Thuajse e njëjta situatë paraqitet edhe për monedhën amerikane. Në fund të dhjetorit 2008, dollari kuotohej me 86.67 lekë, ndërkohë që jo më larg se dy ditë më parë, referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, ka arritur deri në 103.3 lekë, duke fituar rreth 16 pikë terren ndaj monedhës vendase. Edhe paundi britanik vazhdon të ecë në të njëjtat linja me euron dhe dollarin kundrejt lekut. Dy ditë më parë ai u tregtua për 147.55 lekë, ose 1.8 lekë më shumë se në fillim të javës. Këtë zhvlerësim të shpejtë, specialistët e ekonomisë e lidhin më një sërë shkaqesh të jashtme dhe të brendshme. Një syresh është edhe kërkesa e lartë në treg, kryesisht për monedhën europiane. Burimi kryesor i valutës në vend janë dërgesat e emigrantëve. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vetëm gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008, ato kanë shënuar një rënie me 30 për qind në krahasim me tremujorin paraardhës. Ashtu si çdo mall tjetër, edhe kërkesa e lartë për valutë në treg, bën që të blihet më një çmim më të lartë se zakonisht. Vendet, në të cilat kanë emigruar shqiptarët, tashmë janë duke kaluar një periudhë të paqartë ekonomike, duke bërë që edhe këta të fundit të përballen me një ulje të të ardhurave. Këtë zhvlerësim të shpejtë të lekut, të tjerë ekspertë e lidhin me uljen e normës bazë të interesit, që Banka e Shqipërisë ndërmori në fund të janarit, nën presionin e një kontraktimi të ekonomisë nga mungesa e likuiditetit në treg. Në kah të kundërt me vendimin e BSH-së, e cila me uljen e normës së interesit me 0.5 pikë, priste që të ulte koston e kredisë dhe të ndikonte në stimulimin e kredidhënies, bankat e nivelit të dytë, duket se nuk kanë ndërmend ta reflektojnë atë. Me pak përjashtime, interesat e kredive mbeten në të njëjtat kuota me periudhën kur Banka e Shqipërisë aplikonte normën e interesit 6.25 për qind. Në të njëjtën linjë më BSH-në, për të lehtësuar bankat tregtare dhe për t'u krijuar atyre mundësinë që të kreditojnë ekonominë vendase, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi disa javeë më parë se borxhin 300 milionë euro, që qeveria ka parashikuar për vitin 2009, nuk do ta marrin nga bankat vendase, por në tregun ndërkombëtar.
Efektet
Kjo rritje e pandalshme e monedhave të forta ndaj lekut, dukshëm po bëhet më kërcënuese për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për ata që kanë marrë kredi në valutë, të cilët duhen të paguajnë më shumë për shlyerjen e kësteve mujore. Gjithashtu, ky zhvlerësim i vazhdueshëm i lekut, ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të mallrave të importit. Duke marrë parasysh që shumica dërrmuese e shkëmbimeve tregtare kryhen në euro, ndryshe nga disa muaj më parë, me këtë shtrenjtim të euros, importuesit duhet të paguajnë më shumë për të njëjtin mall. Kjo rritje e kostos natyrisht që pasqyrohet në çmimet mallrave dhe në rritjen e kostos së jetesës në vend.
"Në kah të kundërt me vendimin e BSH-së, e cila me uljen e normës së interesit me 0.5 pikë, priste që të ulte koston e kredisë dhe të ndikonte në stimulimin e kredidhënies, bankat e nivelit të dytë duket se nuk kanë ndërmend ta reflektojnë atë"
Amerikan USD 103.31 +0.41
EURO EUR 130.29 +0.03
Poundi britanik GBP 147.55 -0.19
Franga zvicerane CHF 87.11 -0.21
Ecuria e lekut ndaj dollarit dhe euros
"Zhvlerësimi i lekut do të bëjë që, një pjesë më e madhe e të ardhurave të kredimarrësve të vegjël në valutë, të shkojë për të shlyer kredinë"
Malaj - Qeverisë: Mos injoroni problemet e kredive në valutë
TIRANË - Zhvillimet më të fundit në tregun valutor dhe ajo çka po ndodh me lekun, ka shkaktuar edhe reagimin e Partisë Socialiste, nëpërmjet zëvendëskryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Arben Malaj. Duke cekur faktin se tashmë ata që kanë marrë kredi në valutë duhet të paguajnë më shtrenjtë këstet mujore, Malaj i bëri thirrje qeverisë që të mos injorojë vështirësitë dhe që do të përballen kredimarrësit në monedhë të huaj. "Zhvlerësimi i monedhës do të kërkojë që, një pjesë më e madhe e të ardhurave të kredimarrësve të vegjël në valutë, të shkojë për të shlyer kredinë, duke i varfëruar ata akoma më shumë", - tha ish-ministri i Financave. "Monedha kombëtare po zhvlerësohet jo pak. Nëse pak muaj më parë një dollar kushtonte 80 lekë, dje ai kushtoi 103 lekë ose 28,7 për qind më shumë, nëse pak muaj më parë 1 euro kushtonte 120 lekë, dje ajo kushtoi 130,3 lek ose rreth 9 për qind më shumë. Kjo do të thotë që, për çdo kredimarrës në dollarë, ai duhet të paguajë këtë kredi me rreth 29 për qind më shtrenjtë dhe rreth 9 për qind më shumë, kur kredinë e ka në euro", - përfundoi ai. Vetëm një javë më parë, vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, e konsideroi si kalimtare këtë gjendje dhe se qeveria po merr masat e duhura për kalimin e saj. "Kursi i këmbimit do të stabilizohet. Dobësimi i lekut vjen nga diferenca midis kërkesës dhe ofertës për euro në tregun shqiptar", - tha Bode.