E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, shqiptari vret bashkëshorten, dënohet me 40 vjet burg

MICIGAN -Një shqiptar dënohet me 40 vjet burg për shkak se theri me thikë per vdekje bashkëshorten në sy të fëmijëve në banesën e tyre në Chesterfield në Dhjetor të viti 2009.

Leonart Nazarko, 43 vjec duke folur në shqip nëpërmjet një përkthyesi i kërkoi gjykatësit falje dhe u shpreh se ndjen keqardhje për ngjarjen e ndodhur.

"Nuk kisha si qëllim të shkatërroja familjen time. Unë kërkoj falje, u kërkoj falje fëmijëve të mi për gjithcka ndodhi”, u shpreh Nazarko para trupit gjykues ditën e Hënë, citon Detroit Free Press.
Nazarko u gjet fajtor për vrasje të shkallës së dytë muajin e kaluar, lidhur me vrasjen e Andoneta Nazarko, 41 vjec.

Avokati i Nazarkos, Carl Marlinga, u shpreh se do të zhvillojë një tjetër gjyq për shqiptarin.
Sipas avokatit, Nazarko nuk kishte ndër mend të vriste gruan sepse thika nuk u vendos në fyt, por qëlloi në shpatull. E megjithatë, thika preu aortën e gruas, duke i shkaktuar vdekjen.

Cifti kishte prej kohësh grindje dhe madje gruaja i kishte kërkuar bashkëshortit divorcin. Avokati shpjegoi se Nazarko, gjatë incidentit me thike donte thjesht ta kërcënonte gruan dhe jo ta vriste atë.
"Kjo nuk ishte vrasje e paramenduar, as e parashikuar që thika që do godiste ai në shpatull gruan, do t’i merrte asaj jetën”.

Ndihmës prokurori Therese Tobin kërkoi nga 20 deri në 40 vjet burg për shqiptarin, duke argumentuar se ngjarja konsiderohet e rëndë për vetë faktin se gruaja nuk e sulmoi bashkëshortin, dhe se ngjarja cilësohet tragjike, për shkak se ndodhi para syve të fëmijëve 11 dhe 16 vjec.

"Jeta e tyre u kthye kokë poshte, ata panë sesi vdiq nëna e tyre”, tha prokurori.

Mësohet se fëmijët e ciftit shqiptar u adoptuan pas ngjarjes së rëndë. Ata nuk erdhën në procesin gjyqësor ku u dha dënimi për babain e tyre.
Autoritetet policore kanë mësuar gjithashtu se Nazarko për të mos lejuar gruan të divorcohej kishte marrë në banesë dhe benzinë me qëllim që ta digjte atë, por ka qënë ndërhyrja e një prej fëmijëve që ndaloi skenën makabre. E megjithatë 43-vjecari nuk e pranoi këtë akuzë.

Çifti kishte jetuar në Chesterfield Township për rreth shtatë muaj para se të ndodhte ngjarja. Para kësaj, ata jetonin në Clinton Township. Cifti u martua në Shqipëri në vitin 1992. Gjatë kohës së qëndrimit atje, 43-vjecari punonte si kuzhinier dhe pjatalarës në një restorant në Roseville.

(daniela bonollari/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›