E Shtunë, 31 Tetor 2026

Carlos Santana, sot koncert në Shkup

Carlos Santana mbërrin sot në Shkup. Në stadiumin e qytetit gjithçka është përgatitur për një koncert madhështor të kitaristit të famshëm. Ardhja e tij ishte konfirmuar prej disa kohësh. Santana do të mbërrijë në Shkup nga Athina, ndërsa koncerti është në vijimësi të turit të tij botëror "Supernatyrali Santana - Shëtitje nëpër hite". Ai do të interpretojë në Shkup hitet që i ka krijuar për katër dekada me radhë. Në ekipin e yllit të muzikës latino-rock do të jenë edhe shumë valltare latino-amerikane. Në konferencën për shtyp të mbajtur në Shkup, drejtori i produksionit "Avalon" që organizon koncertin, Boban Millosheski, theksoi se pritet të ketë mjaft publik shqiptar, sidomos nga shqiptarët e Kosovës. Biletat janë shitur në disa nga qytetet kosovare, por edhe në Shqipëri. Santana do të shoqërohet nga 30 persona të stafit të tij të ngushtë. Në grup me Santana-n janë virtuozë të vërtetë të muzikës si Chester Thompson, Denis Chambers (bateri), Karl Perrazo (perkusion), Bill Ortiz (trumpet), Jeff Cressman (trombon), Tommy Anthony (kitarë-vokal), Tony Lindsay (vokal), Rul Rekoë (congo), Benny Rietveld, Tommy Anthony dhe shumë të tjerë. Santana ka paralajmëruar se do të interpretojë në Shkup për rreth 120 minuta, por kjo mund të shkojë edhe më gjatë në varësi të interesit që do të tregojë publiku. Do të ngjitet në skenë me hitet që ka krijuar ndër vite.

Përmendim këtu këngë të tij që i kanë qëndruar gjatë kohës si "Maria, Maria", "Black Magic Woman", "Smooth", "The game of love", "Nothing at all", "Feels like fire", "Cry baby cry", etj.

Për fansat shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria është organizuar një "after party" në klubin Kapan An në Çarshinë e Vjetër, ku do të performojë njëri ndër grupet e njohura në rajon, Lilit VS Amon Mra. Falë suksesit të tij dhe tingujve të magjishëm të kitarës, Santana ka bashkëpunuar me yje të muzikës botërore si Michael Jackson, Shakira, Rob Tomas, Everlast e Lorin Hill. Kitaristi i njohur është edhe anëtar i Hollit të Famës të Muzikës Rok&Roll. Ai është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, ndër të cilat mund të përmendim edhe atë "Gremmy". Deri në ditët e sotme, Santana ka performuar para më shumë se 100 milionë njerëzve anembanë botës, dhe ka të shitur mbi 90 milionë albume, 25 milionë të të cilave janë ato të albumit "Supernatural" të vitit 1999, i cili është shpallur albumi i vitit së bashku me këngën "Smooth", e zgjedhur kënga më e mirë në po të njëjtin vit. Carlos Santana filloi të dilte në skenë mes viteve ‘70-‘80 me grupin e tij "Santana Blues Band". Që atëherë përziente lloje të ndryshme të muzikës si salsa, rock klasik, bluz. Që atëkohë ai ka dalluar për tingujt e veçantë të kitarës, duke përdorur edhe instrumentet tradicionale të vendit të tij. Gjithnjë i mirëpritur nga publiku në të gjithë botën, edhe sot ai konsiderohet si një nga muzikantët më të mirë të muzikës rrok.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›