E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali i Gjirokastrës, qarqet shkelin afatet

Kur afati zyrtar për përgatitjet e 12 qarqeve të vendit për pjesëmarrjen në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës ka mbaruar, në komisionin organizativ nuk është paraqitur pjesa më e madhe e programeve. Në një takim të djeshëm me përfaqësuesit e qarqeve, ministri i Kulturës, Ardjan Turku, përcaktoi 28 korrikun si datën përfundimtare. "Vetëm Shkodra e ka mbyllur fazën parapërgatitore, ndërsa kemi ende rrethe të cilat nuk kanë caktuar grupet apo edhe programin e festivalit. Nuk mundemi t‘i shtyjmë më afatet e përcaktuara. Gjithçka duhet të mbyllet brenda korrikut në mënyrë që të kemi mundësi të japim sugjerime apo të perfeksionojmë më tej punën", ka theksuar Turku. Ai u është referuar sidomos qyteteve që kanë kapacitete turistike. Sipas tij, këto grupe folklorike para se të ngjiten në skenën e festivalit, duhet të japin koncerte në qytetet e tyre për të gjallëruar jetën artistike e për ta bërë atë më tërheqëse për turistët.

"Festivali i Gjirokastrës do të zhvillohet më 24-29 shtator në kalanë e qytetit. "Organizimi i këtij festivali ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë shpirtërore, të vlerave etno-muzikore, etno-koreografike, etnografike, të kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve, etj., të krijuara prej shekujsh nga populli", u shpreh në fjalën e tij Turku, duke i nxitur përfaqësuesit e qarqeve të pranishëm në takim t‘i mëshojnë edhe cilësisë artistike të materialeve që do të përzgjidhen. Duke folur për traditën e festivalit, ministri u shpreh se në organizimin e këtij viti janë marrë parasysh disa sugjerime për elementë të caktuar të aktivitetit. Këtë vit, MTKRS ka vendosur që në festival, grupet përfaqësuese të përbëhen nga 60 artistë, kundrejt 50 që kanë qenë në festivalet e mëparshme, ndërsa koha e konkurrimit do të jetë 30 minuta nga 20 minuta që ka qenë më parë. Gjithashtu për t‘i ardhur në ndihmë çdo qarku edhe nga ana financiare, qeveria dhe MTKRS ka vendosur që çdo qark të përfitojë një shumë prej 700000 lekësh, nga 500000 lekë që ka qenë mundësuar vitet e shkuara. Kjo shumë do të përdoret për përmirësime të kostumeve popullore, instrumenteve dhe paraqitjes sa më dinjitoze të grupit përfaqësues të qarkut në Festivalin Folklorik Kombëtar. Gjatë takimit u propozua që çdo qark, ditën e shfaqjes së grupit të tij, të organizojë edhe panaire të artizanatit dhe kulinarisë karakteristike për një prezantim të të gjitha vlerave kulturore e ekonomike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›