"Këngëtarja tullace", ngjitet sot në Teatrin Kombëtar
Një komedi absurde do të ngjitet sot në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar. Regjisori Spiro Duni ka zgjedhur "Këngëtarja tullace", të Eugene Ionesco për publikun e kryeqytetit, në këto ditë kur sezoni artistik i vet teatrit është mbyllur. E risjellë për spektatorin kryeqytetas pas 15 vjetësh, komedia do të vijë në një version të ri nga regjisori Duni, i cili ka menduar ta trajtojë tërësisht si një vepër absurde. Madje, sipas tij, dhe skenografia do të jetë absurde dhe e veçantë, pasi në skenë do të vendosen objekte të shumta multifunksionale. Do të interpretojnë aktorët Roland Trebicka, Bujar Asqeriu, Anila Bisha, Marjana Kondi, etj. "Këngëtarja tullace" është vënë për herë të parë në skenën e TKSH në vitin 1994 nga Agim Qirjaqi. Kjo vepër e Eugene Ionesco është shkruar në vitin 1950, në të cilin është vënë për herë të parë edhe në skenë. Kjo është vepra e parë e dramaturgut dhe u bë një nga veprat e tij më të suksesshme dhe më të ngjitura në skenën e teatrit.