E Shtunë, 31 Tetor 2026

Carlos Slim, më i pasuri i botës

Klasifikimi Lajmi i mirë është se krizën ekonomike e kemi lënë pas krahëve. Të paktën për disa. Revista prestigjioze “Forbes”, ashtu si çdo vit, ka botuar listën e personave më të pasur në botë për 2009-n, ku bie në sy se për të dytin vit që nga 1995-a, manjati i kompjuterëve, Bill Gates, nuk ndodhet në kreun e saj

Lajmi i mirë është se krizën ekonomike e kemi lënë pas krahëve. Të paktën për disa. Revista prestigjioze “Forbes”, ashtu si çdo vit, ka botuar listën e personave më të pasur në botë për 2009-n, ku bie në sy që për të dytin vit që nga 1995-a, manjati i kompjuterëve, Bill Gates, nuk ndodhet në kreun e saj. Supermiliarderi i botës është meksikani Carlos Slim Helu, ndërsa pas tij vijnë William Gates III (ose ndryshe Bill), Warren Buffett, Mukesh Ambani, Lakshmi Mittal. Janë pikërisht këta pesë burrat më të pasur të botës sipas renditjes së fundit të “biblës” së kapitalizmit.
Carlos Slim
Meksikani Carlos Slim, që i vetëm posedon një pjesë të mirë të vendit të tij, përveç televizioneve dhe shoqërive telefonike nga Amerika e Veriut në atë të Jugut, ka fituar nga 35 miliardë në 53.5 miliardë dollarë, me pothuajse 20 miliardë dollarë më shumë vetëm për një vit. Slim, 68 vjeç, është pronari i “Telekomit” meksikan dhe i kompanisë më të madhe të telefonisë celulare në të gjithë Amerikën e Jugut. Ai konsiderohet si i papërmbajtshëm dhe që nga viti 1990, pasuria e tij po rritet në mënyrë marramendëse. Në dy vitet e fundit ka arritur të fitojë 20 miliardë dollarë, falë bursës së fuqishme meksikane dhe fitimeve nga shoqëria telefonike “America Movil”, operatori më i madh i telefonisë celulare të Amerikës Latine. Shoqëritë e tij përbëjnë një të tretën e së gjithë bursës së qytetit të Meksikos dhe 5 për qind të GDP-së meksikane. I biri i një emigranti libanez, Carlos Slim, është një lloj John Rockefeller i kontinentit ose diçka më shumë, aq sa njerëzit flasin për “Slimlandia” për të përshkruar shtirjen e rrjetit të biznesit të tij. Në vitin 2006, Slim ka shpenzuar 3,7 miliardë dollarë për të blerë gjigantin amerikan “Verizon”, duke e shtrirë perandorinë e tij në Porto Riko dhe Santa Domingo, hapi i parë për të pushtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë tregun amerikan. Por ajo çka përbën më shumë interes është fakti se Carlos zbriti Bill Gates-in, themeluesin e “Microsoft”-it, nga klasifikimi. Ai është joamerikani i dytë në krye të saj që nga viti 1994, kur renditjen si njeriu më i pasur e zotëronte japonezi Yoshiaki Tsutsumi.

I treti në klasifikim është Warren Buffett, një investitor dhe filantrop që pavarësisht miliardave të shumta, vazhdon të jetojë në shtëpinë ku ka qëndruar që prej viteve ‘50, në një lagje borgjeze të Omaha-s. Buffett, që dikur ishte numri dy (37 miliardë), tani është numri tre (47). Sigurisht që pasuritë në fjalë, nëse krahasohen me rrogën e ndonjë punëtori të ngjallin frikë. Si për shembull: nëse Slim vendos të blejë shtëpinë më të shtrenjtë në botë, do të shpenzonte vetëm një të dhjetën e pasurisë së tij të përgjithshme. Le të themi se vetëm ai vlen pak a shumë sa i gjithë ishulli i Kubës apo Bjellorusia prodhojnë në një vit. Pasuria e tij, sipas llogarive, është rritur këtë vit në një shumë të barabartë me GDP-në e Kongos dhe Gabonit. Një tjetër super i pasur është edhe Lakshmi Mittal. Pronar i grupit më të madh siderurgjik të planetit. Mbreti i çelikut tani kërkon arin e zi të Kazakistanit. Në kohën e globalizimit, Lakshmi Mittal, 57 vjeç, i lindur në fshatin e vogël, Sadulpur, në Rajasthan, ka monopolizuar tërësisht biznesin botëror të çelikut, pasi fitoi betejën për të pasur nën kontroll edhe shoqërinë europiane “Arcelor”. Sot shoqëria “Arcelor-Mittal”, me 350 mijë punëtorë në 60 vende të botës, ka përmasa gjigante. është rreth tre herë më e madhe se kundërshtarja e saj direkte “Nippon steel”. Por këto janë vetëm fillimet, sepse Lakshmi Mittal, njeriu i pestë më i pasur në botë, me një pasuri rreth 32 milionë dollarë, nga shtëpia e tij përrallore në Londër, deklaroi se tashmë ka ndërmend të operojë edhe në tregun indian dhe kinez. Madje, sipas disa zërave që qarkullojnë, edhe në Rusi. Por, ëndrra e ndaluar e tij është një tjetër: të hyjë edhe në Japoni për të sfiduar drejtpërdrejt kundërshtarin e tij më të madh. “Mittal” po zgjeron rrezen e veprimit edhe mbi sektorë të tjerë. Ka paguar në dorë rreth 980 milionë dollarë për të blerë gjysmën e shoqërisë së naftës në Kazakistan, “Caspian Investment Resources”, e dyta për nga madhësia pas ruses “Lukoil”. Më i riu në klasifikim është krijuesi i “Facebook”, Mark Zuckerberg, vendi i 212, me 4 miliardë dollarë. Më i vjetri zvicerani Walter Haefner, me një pasuri 3,3 që në moshën 99 vjeç, i sigurojnë të paktën dashurinë e nipërve. Që situata po përmirësohet të paktën për të pasurit e botës, për “Forbes” kjo është më se e qartë. Numri i miliarderëve në botë ka kaluar nga 793 në vitin 2009 në 1011 këtë vit. Duke mbledhur pasuritë e të gjithëve arrihet shuma 3600 miliardë dollarë kundrejt 2400 të një viti më parë. Ndërsa vitin e kaluar, në mesin e krizës, ka pasur një hemorragji të vërtetë. Më shumë se 300 miliarderë të humbur në një vit të vetëm dhe të paktën 1400 miliardë dollarë pasuri e humbur, thoshte buletini i një viti më parë. Sigurisht që “lulëzimi” ndihet më shumë atje ku nuk ka pasur kurrë krizë. Numri i miliarderëve kinezë brenda vitit ka kaluar nga 28 në 64, ndërsa ai i indianëve nga 24 në 49. Po ashtu numri i përgjithshëm i amerikanëve që kanë akumuluar një pasuri më të madhe se 1 miliard ka zbritur nga 45 në 40%. Për sa i përket italianëve, i pari i konfirmuar për këtë vit është Michele Ferrero që nga vendi i 40 e gjen veten të 28-in, me një pasuri thuajse të dyfishuar nga 9,5 në 17 miliardë. Berlusconi nga pozicioni i 70 ka zbritur në të 74-in, por miliardat e tij janë rritur nga 6,5 në 9. Më befasuesi nga të gjithë është braziliani Eike Batista: pronar i rezervave të hekurit nga vendi i 61 (7,5 miliardë) në të tetin me (27 miliardë). Në Europë, më i pasuri është Bernard Arnault, mbreti francez i Louis Vuitton, që ka kaluar nga vendi i pesëmbëdhjetë (16,5 miliardë) në dhjetëshen e parë ku mban vendin e shtatë me 27.5 miliardë dollarë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›