E Shtunë, 31 Tetor 2026

Carla & Sarko

Thashethemet për një çift të superekspozuar Kur bëhet fjalë për thashetheme në lidhje me tradhtitë e mundshme bashkëshortore të figurave të rëndësishme është e pamundur që të rezistosh. Lajme të tilla të tërheqin vëmendjen, sidomos kur flitet për njerëz shumë të fuqishëm, si çifti presidencial francez, për të cilët së fundi po dëgjohen ca thashetheme…

Ata që dinë, nuk flasin dhe ata që flasin nuk dinë gjë. Të paktën kështu thotë një fjalë e urtë. Por në Francë, ata që flasin kanë tashmë edhe blogët tyre në internet, përmes të cilëve japin lajme dhe opinione nga më të ndryshmet. Por kur një thashethem si ai që përflet Presidentin francez Sarkozy dhe gruan e tij ekstravagante, Carla, se kanë secili nga një të dashur me të cilët kalojnë kohën, i kalon përmasat e blogut dhe shkon nëpër gazeta, në internet e kësisoj bën xhiron e botës, atëherë thathethemi nis të marrë jetë dhe të shndërrohet në një lajm. Fjalët japin pak a shumë këtë tablo: Bruni mendohet se po kalon një pjesë shumë të madhe të kohës së saj jo me bashkëshortin, por me një këngëtar të famshëm në Francë, Benjamin Biolay, ndërsa Sarko, nga ana tjetër, po gjen prehje te shoqëria e Chantal Jouanno, një ministre e re e kabinetit qeveritar francez që merret me çështjet ekonologjike dhe njëherazi është një kampione karateje dhe e martuar. Ndërkaq të gjithë presin për komente në lidhje me thashetheme të tilla, por Pallati Elize hesht, sepse aty ka njerëz që e dinë mirë që, nëse do të përgjigjeshin apo reagonin, thashethemi do të shtohej e zhurma do të bëhej më e madhe. Ndërkohë analiza më e mirë që mund t’i bëhet një thashethemi të tillë të parezistueshëm është ajo që gjendet në një sit francez, “Arret sur Image”, i cili e ka ndjekur median shumë nga afër. Sipas sitit që i ka bërë bashkë të gjitha “copat” e publikimit të thashethemit, për herë të parë lajmi doli në “Twitter” javën e fundit të shkurtit dhe më pas u përfol e përgojua shpesh me të qeshur e mosbesim, por në raste të tjera edhe me mjaft seriozitet. Por javën e fundit është bërë një nga lajmet më të rëndësishme të blogosferës, por sërish asnjë fakt konkret nuk ka dalë në shesh. Por fundjavën e kaluar, si Biolay ashtu edhe Jouanno, u vendosën në qendër të vëmendjes mediatike për arsye krejt të tjera. Këngëtari fitoi çmimin e madh të këngës franceze “Victoires de la Musique”, ndërsa Jouanno, 40 vjeç, iu rikthye pasionit të saj të vjetër, karatesë, duke fituar sërish kampionatin kombëtar. Ndërkaq një sit i ri interneti “Le Post.fr” transmetoi një video-montazh me pamjet e të dyve. Pas kësaj, një blog tjetër doli me lajmin se çifti presidencial ndodhej në prag të ndarjes, sepse Carlës i kishte rënë në kokë këngëtari i famshëm, që është edhe një mashkull shumë simpatik, ndërkohë që Presidenti kishte gjetur komfort në krahët e kampiones së karatesë.

Por duket se pas këtij lajmi, francezët u tkurrën pak nga frika se mos akuzoheshin për futje në çështjet private e ndërsa shumëkush mendoi se gjithë kjo thashethemnajë u mbyll, ja ku ai ia beh papritur në shtypin britanik. Në një artikull të “The Daily Telegraph” publikohet thashethemi në lidhje me mundësinë e marrëdhënieve jashtëmartesore të çiftit presidencial francez. Në fakt nuk bëhet fjalë për ndonjë informacion shtesë, veç atij të publikuar në median dhe blogosferën franceze, por kjo është tregues i përhapjes së një thashethemi që gëloi në Francë. Në të shtohej vetëm një foto e përbashkët e Carlës me këngëtarin dhe një deklaratë e zëdhënësit të këtij të fundit, për skandalizimin e Carlës dhe faktin që ajo ishte aq e acaruar me një lajm të tillë sa ishte e gatshme që të hidhte në gjyq këdo që do të vazhdonte me tjerrjen e lajmeve të tilla.

E ndërkaq që thashethemet vazhdojnë që të shtohen dhe të kalojnë kufijtë e Francës, ka nga ata që nisin të bëjnë krahasime për sa i përket kulturës franceze për besnikërinë bashkëshortore. Për sa i përket martesës dyvjeçare të çiftit të parë francez që bëri bujë që në fillim, për shkak të divorcit të Sarkozy-së dhe lidhjes së tij të shpejtë me modelen e njohur, edhe si femër fatale dhe mbi të gjitha mundësisë së fundit të saj tashmë kjo histori i ka të gjithë përbërësit e një historie shumë provokuese ku seksi, intriga, tradhtia, paraja e pushteti ndërthuren duke bërë një përzierje të parezistueshme, por jo shumë për vetë francezët. Sipas një shkrimtari të famshëm francez, bashkatdhetarëve të tij nuk është se fjalë të tilla, qofshin edhe të vërteta, u bëjnë ndonjë përshtypje e veçantë. Së pari sepse është një thashethem i pakonkretizuar, së dyti sepse është një fakt personal dhe për sa i përket kësaj, njerëzit mund të bëjnë ç’të duan dhe se tradhtia bashkëshortore nuk ka të bëjë fare me tradhtinë ndaj atdheut, pra të tradhtosh gruan nuk do të thotë të tradhtosh vendin tënd. Kjo, sipas mentalitetit francez. Në fakt bëhet fjalë për thashetheme që prej rreth dy muajsh qarkullojnë në Paris. Njerëzit pyesin njëri-tjetrin se mos Sarkozy-të janë ndarë, por vetëm kaq, sepse shtrati bashkëshortor i të tjerëve nuk është se u bën përshtypje të madhe. Një natë më parë, Bruni dha një intervistë në një televizion dhe në fund të saj nuk harroi të thoshte fjalinë: “Im shoq, jam e bindur se nuk do të më tradhtonte kurrë”. Nëse këtë do ta kishte thënë para fillimit të thashethemnajës, atëherë të gjithë do të kishin konsideruar si një shprehje dashurie ndaj Nikolas-it, por tani që fjalët kanë plasur, duket si një fjali e menduar mirë edhe si një përgjigje ndaj fjalëve. Për sa u përket francezëve dhe zakoneve të tyre, gjithmonë e kemi ditur se ata janë disi të ndryshëm, por reagimi ndaj një thashethemi të tillë i bën edhe më të ndryshëm nga sa mendonim. Në çdo vend tjetër të Europës një zyrtar i lartë do të kishte dhënë dorëheqjen, nëse do t’i vërtetohej një marrëdhënie jashtëmartesore, për më tepër me një grua të martuar, ndërsa francezëve, për shembull u duket e pranueshme që ministri i tyre i Kulturës, Miterand, të pranojë faktin se bën në Tajlandë pushime seksuale dhe ndërkohë të vazhdojë të mbajë postin e punës. Në Britaninë e Madhe bëhet nami në media kur një njeri i famshëm, politikan, aktor, apo futbollist, ka një marrëdhënie jashtëmartesore, ndërsa në Francë njerëzit nuk e vrasin mendjen edhe kur mund të bëhet fjalë për Presidentin e vendit. Kur kohë më parë dolën fjalë për marrëdhëniet shumë të shpejta fizike që kishte ish-presidenti francez, Shirak, i cili një takim intim e konsumonte brenda tri minutash, përfshi edhe dushin, ato në vend që t’ia pakësonin, ia shtuan edhe më burrrinë dhe maskilitetin. Po kështu, askush nuk do të befasohej në Francë nëse thashethemet për çiftin e parë do të mbështeteshin edhe nga faktet. Të dy, në të shkuarën e kanë treguar mirë se kanë qenë të pamëshirshëm kur u ka rënë në kokë që të lënë një partner për një tjetër apo të shkojnë me disa paralelisht. Kështu, për shembull, babai i djalit të Carlës është djali i burrit me të cilin ajo ishte e dashuruar për një kohë të gjatë. Vetë Sarkozy, gjatë periudhës kur ishte kryebashkiak i një lagjeje të rëndësishme të Parisit dhe i martuar e me fëmijë, nisi që t’i vinte rrotull Ceciljaes, e cila u bë gruaja e tij e dytë. Në atë kohë edhe ajo ishte e martuar e me dy vajza. I sapodivorcuar nga Ceciljaes, tashmë, Sarkozy nuk humbet kohë dhe thuajse brenda muajit lidhet me Carla Brunin. Mundësitë e pabesive martesore me një grua që kishte thënë në një intervistë se monogamia e mërziste, nuk mund të përjashtoheshin.

çështja, në fakt, është pjesë e një problemi shumë më të gjerë që ka të bëjë me besnikërinë në përgjithësi te çiftet e martuara. Në vende të ndryshme ajo konsiderohet në mënyra të ndryshme. Sipas disa terapistëve të streseve, ajo nuk duhet që të konsiderohet si një veprim shumë i rëndë dhe se në këtë drejtim, francezët janë një shembull për të gjithë vendet e tjera që e stigmatizojnë këtë akt. Madje sipas disave, janë pikërisht tradhtitë e vogla në një martesë që na bëjnë që ta vlerësojmë më mirë partnerin dhe të dimë realisht se çfarë duam dhe nga kush. Por në mënyrë franceze apo jo,një fakt, është shumë i qartë që një tradhti i bën një dëm shumë të madh personit që e pëson dhe për këtë dhe arsye të tilla, janë të shumtë ata njerëz që e shohin monogaminë si zgjidhjen më të mirë të mundshme.

Të rikthehemi edhe një herë te thashethemi. Për francezët gjëja më e keqe në lidhje me çiftin është se ai tashmë po bëhet qesharak. Fillimisht të dy e deklaruan dhe e ekspozuan shumë lidhjen e tyre të beftë të dashurisë, duke dhënë intervista, dalë nëpër foto e rrëfyer publikisht çdo gjë intime. Më pas dalin tani thashethemet që përgënjeshtrojnë këtë dashuri dhe që gjenerojnë histori skandaloze që qarkullojnë nëpër internet.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›