Alfabeti breill
Laura J. Sloate e fillon leximin e përditshëm çdo mëngjes në orën katër. I telefonon një shërbimi telefonik, që lexon gazeta dhe dëgjon një zë të fuqishëm që lexon “Wall Sreet Journal” nën ritmin e 300 fjalëve në minutë, dy herë më shpejt se e folura normale. Më vonë një asistente i lexon “Financial Times”, ndërkohë që “Economist”-in e dëgjon duke përdorur sistemin e sintezës vokale të kompjuterit. Me njërin vesh dëgjon gazetën dhe me tjetrin revistën. Sloate drejton një shoqëri investimesh të “Wall Street”-it. është e verbër që në moshën 6-vjeçare. çdo mëngjes i kushton disa orë lajmeve të ekonomisë, por nuk përdor breillin, sistemin e shkrimit dhe leximit në reliev për të verbrit. “Informacionet arrijnë në trurin tim përmes veshëve, jo gishtave”, thotë ajo. Që kur ishte e vogël, mësoi të njihte letrat nga tingujt, jo nga forma e relievit mbi faqe. Për Sloate, një presje nuk është një shenjë mbi letër, por një pushim para se të rifillojë të flasë. Sipas saj, në të ardhmen, të verbrit do të lexojnë vetëm kështu. “Ka pasur një zhvillim”, shpjegon ajo. “Në shekullin XIX nuk kishte asgjë të tillë, madje as radio. Në atë epokë të ishe i verbër ishte një mallkim i madh, ndërsa sot është vetëm një defekt i vogël”.
Para disa dhjetëra vjetësh, ekspertët mendonin se epoka elektronike do të krijonte një brez jo më analfabet dhe se format e reja të komunikimit do të eklipsonin fjalët e shkruara. Marshall McLuhan theksonte se kultura perëndimore do të kthehej “në sistemin gojor të grupeve tribale”. Por gjuha e shkruar po zhduket vetëm për të verbrit. Ndonjëherë Sloate-s i vjen keq që nuk i ka kushtuar më shumë kohë të shkruarit kur ishte e re. Megjithatë është e bindur se po të kishte përdorur breillin, do të kishte mbetur e izoluar në krahasim me bashkëmoshatarët. “është një mjet komunikimi i dalë jashtë mode, që tashmë nuk nevojitet më”, thotë ajo.
Librat në breill janë të kushtueshëm, të kabashëm dhe voluminozë. “National braille press”, një shtëpi botuese e themeluar në Boston para 83 vjetësh, ka shtypur serinë e librave të Harry Potter në 56 volume, secili i gjatë 30 centimetra. Duke qenë se një tekst kushton më shumë se 1 mijë dollarë dhe në shkollat publike mësuesit që mësojnë breillin janë të paktë, studentët e verbër shpesh dëgjojnë audiolibrat në mp3, ose përdorin sistemin e sintezës vokale të kompjuterëve. Në Shtetet e Bashkuara jetojnë 1,3 milionë të verbër. Sipas një raporti të publikuar vitin e kaluar nga “National Federation of the Blind”, një shoqatë me 50 mijë të regjistruar, ata që dinë të lexojnë alfabetin breill janë më pak se 10 për qind. Në vitet ‘50 pothuajse gjysma e fëmijëve të verbër mësonin alfabetin breill, ndërkohë që sot e mëson vetëm një në dhjetë fëmijë. Shifrat janë të paqarta, sepse jo të gjithë janë dakord mbi gjendjen e verbërisë që një fëmijë duhet të ketë për të përdorur alfabetin breill. Gjithashtu me kalimin e viteve, rastet e verbërisë kanë ndryshuar dhe në vitet e fundit shumë fëmijë të verbër vuajnë edhe nga anomali të tjera, sepse kanë lindur para kohe. Gjithsesi është e qartë se njerëzit që e njohin këtë gjuhë janë gjithnjë e më të paktë.
Raporti i “National Federation of the Blind” ka frymëzuar lindjen e një lëvizjeje për të ndryshuar mënyrën e të lexuarit të të verbërve. “Kemi kuptuar se shumë studentë të verbër e zotërojnë mirë gjuhën e folur, por janë analfabetë”, tregon Jim Marks, që prej pesë vjetësh flet për “Association for higher education and disability”. “Në Shtetet e Bashkuara nuk u mësojmë më të shkruajnë dhe të lexojnë fëmijëve të verbër, duke u vënë në banka fillimisht regjistruesin, më pas kompjuterin. Rezultati është se tani e shkruara e tyre është fonetike dhe e përafërt”.
Në shekullin XIX, të verbrit kanë frekuentuar shkolla të veçanta ku mësonin të lexonin duke prekur fjalët. Sot fëmijët e verbër mund ta njohin letërsinë pa ditur të lexojnë. Softuerët e letërsisë janë në gjendje të shqiptojnë fjalët fletë pas flete. “Nëse e njeh atë që të thuhet me zë, mendja jote është e limituar”, thotë Darell Shandrow, që drejton blogun “Blind access journal”. “Për të organizuar mendjen nevojiten simbole të shkruara. ç’kuptim ka një fjalë nëse nuk mund ta prekësh ose ta shohësh? Sigurisht asnjë kuptim”. Sipas Shandrow, zhdukja e vazhdueshme e përdorimit të alfabetit breill është një shenjë regresi, jo progresi. “është njësoj si të kthehesh në vitin 1400, para se Gutenberg të shpikte makinën e shtypit”, thotë ai. Deri në shekullin XIX, të verbrit kanë pasur akses vetëm për kulturën orale. Disa prej tyre përpiqeshin të lexonin fjalët e shkruara mbi copa druri ose në dyllë, ose të shkruara me një gozhdë hekuri. I pakënaqur nga këto metoda elementare, Louis Braille, një student i Institutit Kombëtar për të Rinjtë e Verbër të Parisit, filloi të studionte një kod në reliev i quajtur “shkrim i natës”. Ishte shpikur nga një zyrtar i ushtrisë franceze, për t’i lejuar ushtarëve të lexonin mesazhet në errësirë. Alfabeti breill e modifikoi kodin për ta bërë më të lehtë. Breilli shtoi edhe disa shkurtime për fjalët më të përdorura si “njohuri”, “person” dhe “zotëri”. Për herë të parë në histori, të verbrit do të kishin një metodë të sigurt të komunikimit dhe të të shkruarit. Filluan të bënin përpara në shoqëri dhe Louis Braille u cilësua si shpëtimtari i të verbërve.
Në atë kohë, të ishe i verbër nuk do të thoshte thjesht të ishe i paaftë të shihje, por edhe t’i përkisje një lloj shtrese njerëzore të veçantë, më naive dhe e lakmueshme, jo krejtësisht të formuar. Në fakt disa studiues theksonin se të verbrit flisnin një gjuhë ndryshe, të këputur nga përvoja vizive. Në librin e vitit 1933, “The blind in school and society”, psikologu Thomas Cutsforth, që kishte humbur shikimin në moshën 11-vjeçare, theksonte se nëse studentët futeshin në botën e njerëzve që shohin, rrezikonin shumë shpejt të humbisnin në “irealitetin verbal”. Në disa shkolla për të verbrit, mësuesit shmangnin përdorimin e fjalëve që lidheshin me ngjyrat ose dritën, sepse mendonin se studentët nuk do ta dinin kuptimin. Sot asnjë nuk u jep rëndësi këtyre teorive dhe shumë studime kanë vërtetuar se, deri në moshën 4-vjeçare, fëmijët e verbër e kuptojnë ndryshimin mes fjalëve “shoh” dhe “prek”. Gjithsesi Cutsforth nuk gabonte kur thoshte se humbja shqisore ristrukturon trurin. Në vitet ‘90, një sërë studimesh të bazuara në rezonancën manjetike cerebrale kanë treguar se korja vizive e trurit të të verbërve nuk mbetet jashtë funksionit, siç mendohej. Kur pacientët kalonin gishtin mbi një rresht të shkruar breill, aktivizoheshin zonat e trurit që zakonisht përpunonin informacionet vizive.
Këto studime janë cituar nga disa pedagogë për të treguar se alfabeti breill është thelbësor për zhvillimin konjunktiv të fëmijëve të verbër, sepse korja vizive përbën 20 për qind në trurit. Pavarësisht plastikës së këtij organi, është e vështirë të thuash se një lloj shkrimi, transmetimi i informacionit përmes veshëve, gishtave është më i mirë se tjetri. Struktura e trurit është elastike: nëse nuk ka imazhe për t’i përpunuar, korja vizive riorganizohet për të kryer funksione të tjera. Nga një studim i vitit 2003, i publikuar në “Nature Neuroscience” është zbuluar se subjektet e verbër ua kalojnë njerëzve që shohin në provat e memories verbale. Sipas autorëve superioriteti i tyre i detyrohet punës më të madhe që vjen nga rregullat vizive të trurit.
Të mësosh të lexosh është një fakt që lidhet ngushtë me zhvillimin fëmijëror, gjë që na bën të mendojmë se truri ynë është më i predispozuar ndaj të lexuarit. Qeniet njerëzore kanë filluar të lexojnë që para gjashtë mijë vjetësh (dhe pjesa më e madhe kanë qenë analfabetë deri para një shekulli). Gjithsesi kapaciteti, aftësia e të lexuarit ndryshon strukturën e trurit. Në një artikull të publikuar në vitin 2009 nga revista “Nature”, neuroshkencëtari Manuel Carreiras tregon një studim të bërë te një grup ish-luftëtarësh kolumbianë analfabetë, që pas shumë vitesh luftim, e kishin braktisur xhunglën për t’iu rikthyer shoqërisë civile.
#