E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Carmina Burana”, në mëshirë të fatit



“Carmina Burana” çel sezonin e ri artistik në TKOB. Një vepër e cila vjen për herë të parë në formën e një muzikali, ku do të dominojnë baleti, i cili drejtohet nga koreografi i njohur, Arjan Sukniqi, interpretimi i solistëve, trupa e korit, nën kujdesin e dirigjentit Dritan Lumshi, apo edhe orkestra simfonike e vetë institucionit kulturor. “Carmina Burana” në skenën operistike shqiptare do të vijë nën dirigjimin e italianit Fabio Pirona, ndërsa skenografia dhe kostumet janë përfunduar nga Arlind Halili. Mesazhi i shfaqjes është se fati konkretizohet si një ndihmesë shumë e madhe në mbarëvajtjen e një misioni, por e rëndësishme është që vetëm mirësia mund të sjellë zhvillim

Një premierë baleti “e paragjykuar” do të çelë sezonin e ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Carmina Burana”, vepra madhështore e kompozitorit gjerman Charl Orff, është shfaqja që do të vihet në skenën e TKOB-së më datë 3 tetor, për të hapur “dyert” e këtij sezoni. Një vepër e cila vjen për herë të parë në formën e një muzikali, ku do të dominojnë baleti, i cili drejtohet nga koreografi i njohur, Arjan Sukniqi, interpretimi i solistëve, trupa e korit nën kujdesin e dirigjentit Dritan Lumshi, apo edhe orkestra simfonike e vetë institucionit kulturorë. “Carmina Burana” në skenë operistike shqiptare do të vijë nën dirigjimin e italianit Fabio Pirona, ndërsa skenografia dhe kostumet janë përfunduar nga Arlind Halili. Madhështia e saj në skenë nuk do të qëndrojë vetëm për faktin se është një vepër premierë nëpërmjet ngjyrave koreografike, por edhe sa i përket angazhimit të një numri shumë të madh artistësh, për të “rritur” këtë shfaqje deri në fillim të muajit pasardhës, atëherë kur ajo do t’i shfaqet publikut shqiptar. Janë pikërisht rreth 200 persona, pjesëtarë të teatrit operistik, të paktën kështu e cilëson edhe vetë koreografi i shfaqjes, mbi të cilin rëndon pothuajse e gjithë pesha dhe veçantia e premierës, që kanë filluar përgatitjet artistike për veprën e kompozitorit gjerman, Orff.

“Kjo është një shfaqje që do të hapë sezonin e ri artistik dhe shpresojmë që të dalë në datën 3 tetor. Është një vepër me vlera shumë dinjitoze, është një vepër që u përket përmasave shumë të madha, si dhe ka një pjesëmarrje prej rreth 200 personash, për të sjellë në skenën tonë këtë krijimtari madhështore. Pra, i gjithë stafi i Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit është i angazhuar në përgatitjen e kësaj shfaqjeje. Veç kësaj, një përkushtim i tillë vjen edhe për shkak se është një vepër e shfaqur vetëm në skenat më të famshme ndërkombëtare dhe kësaj here është radha e skenë së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”, - është shprehur koreografi Arjan Sukniqi.

“Carmina Burana” është fillimi i një përmbledhjeje këngësh dhe poezish mesjetare, të cilat na përcjellin një mesazh filozofik që vërtitet rreth rrotës së fatit. Materiali letrar i saj është bazuar në një vepër të gjetur në Manastirin Vendiktium rreth vitit 1280. “Carmina Burana” është pjesa e parë e përmbledhjes së kompozitorit të veprës, Charl Orff-it dhe premiera e saj është shfaqur në Frankfurt në vitin 1937. Vepra është e kompozuar gjatë viteve 1935-1936 dhe është bazuar në 24 poezi të zgjedhura nga koleksioni i Carmian Burana. Premiera “Carmina Burana” do të karakterizohet nga një dominancë e muzikës neo-klasike. Kjo lloj muzike e cila tingëllon thjeshtë tek të gjitha kategoritë e publikut, nuk ka një subjekt të caktuar, ku gjithçka që “lëviz” është në varësi të fatit. “Muzika më të cilën trupa e baletit do të ekzekutojë numrat e ndryshëm është shumëdimensionale. Ajo ka veçori të tilla që mund të përkthehet, aktrohet, mund të bësh pse jo edhe një recencë libri. Kjo është një muzikë ku çdo gjë mbështet tek fati”, - ka komentuar sërish koreografi Sukniqi, duke shtuar se “këto lloje muzikash, kompozitori gjerman, Charl Orff, i ka marrë nga muzika kishtare dhe më pas i ka përpunuar, duke u bërë të përshtatshme për në skenë. Është e rëndësishme për t’u theksuar se gjatë gjithë kohës fati nuk e uron për gjëra të rënda, për situata, që mund të ndajnë jetën me vdekjen, por ajo predikon si muzikë dhe tekst dashurinë”.

Në një kuptim të parë, sipas Sukniqit, muzika e përpunuar duket paksa “e pafajshme” siç e quan ai. Por, më e rëndësishmja është se ky naivitet i përpunuar është i lidhur me shumë kuptime. Por, nga ana tjetër kjo vepër të lë të kuptosh edhe të tjera fenomene. “Të jep koncepte të ndryshme për jetën, për dashurinë dhe mbi të gjitha në vepër paraqitet lufta e përjetshme mes të mirës dhe së keqes, e cila ka lindur bashkë me njerëzimi dhe do të vdesë me të”, - ka theksuar koreografi i “Carmina Burana”-s.

Subjekti

Njeriu i gjendur në mes të udhëkryqit të së mirës dhe së keqes, në mëshirë të fatit, apo përballja me krijesa të mbinatyrshme, është vetëm e vetëm për të arritur objektivat e synuara, e më konkretisht dashurinë e jetës. Është një përshkrim i shpejtë i asaj çfarë trajtohet në këtë vepër premierë. Po ndërkohë, Sukniqi gjen kohën dhe na jep një shpjegim edhe më të detajuar të asaj çfarë do të interpretohet në skenën e Teatrit të Operës pas disa javësh. “Një personazh është në kërkim të dashurisë. Ai është i pafajshëm, i padjallëzuar dhe ka shumë pak kontakte me botën njerëzore. E shikon veten gjithmonë të shtyrë drejtë frymës pozitive, që vazhdon që të kërkojë tik-takun e zemrës, sepse organizmi e shtyn se duhet të provosh dhe të rrezikosh shumë gjëra në jetë. Por ai gjatë gjithë kohës ballafaqohet me çmendurinë që ka zhvillimi i një shoqërie, ku brenda saj është hajduti, bixhozxhiu, brenda është edhe aristokrati, pra janë të gjitha llojet e shtresave shoqërore të asaj periudhe. Por shumë shpejt, personazhi ynë gjendet përballë së keqes, e cila është e personifikuar sipas veprës, si një personazh i lig, duke u paraqitur si një djall”, - thotë Arjan Sukniqi. Por ai vazhdon sërish historinë e veprës së njohur, duke na thënë se “në shumë nga momentet më të lumtura të tij, ai mundohet të ulë shumë ritmin e kësaj ndjesie dhe të rikthehet sërish në origjinë, në të njëjtat parametra. Për ta ndihmuar këtë gjë dhe për ta bërë ndoshta edhe pak më skenike do të sjellim një magjistar, i cili do të orientojë, do t’i krijojë lehtësira, duke e ndihmuar me magjinë e tij artistike. Magjistari është një aktor i cirkut, i cili është një akrobat dhe magjistar, quhet Fatos Alla. Në fund të gjithë shfaqjes sigurisht e gjen edhe dashurinë e shumëkërkuar. Por e veçanta nuk qëndron këtu, pra gjetja e një dashurie, por fakti që një shoqëri e tërë e përkrah të mirën, e cila duhej mikluar domosdoshmërish tek njerëzimi, si një prej detyrimeve më të mëdha të saj”.

Ndërkohë që fundi i historisë tregon edhe shndërrimin e djallit në një nuse, i cili mundohet të prishë të gjithë këtë lumturi të ndërtuar me sakrificë nga ana e personazhit kryesor që kërkonte dashurinë. Por koreografi ka preferuar ta mbyllur shfaqjen me një “happy end”, sepse protagonisti merr të gjithë mbështetjen e një komuniteti.

Mesazhi i shfaqjes është se fati është ndihmesë shumë e madh në mbarëvajtjen e një misioni, por e rëndësishme është që vetëm mirësia mund të sjellë zhvillim. Dhe e mira ka gjithnjë nevojë për miklim. “Mendoj se publiku shqiptar do ta gjejë veten tek kjo shfaqje. Kam mundur të gjejë një rrugë të lehtë për ta sjellë veprën në atë formë që të jetë e kuptueshme për të gjithë kategoritë e njerëzve, që kur të dalin nga shfaqja, të paktën të mendohen mirë për pak kohë pa u përfshirë nga problemet e tyre”, - thotë ai.

Ndërkohë që balerinët kryesorë që do të interpretojnë janë Ledio Agalliu, është një amerikan kubanez, Jeffry Balet Chikago, Suela Guri, Sokol Zhukri, Dion Xhinika, Fatos Alla, si magjistar Erald Zela etj. “Është një nga veprat më të vështira për t’u interpretuar. Ajo qëndron në mënyrën e komportimit të muzikës me korin, si dhe mënyrat e intonacionit. Sipas tij, kjo nuk është vetëm muzikë elitare, por i përshtatet të gjitha kategorive. “Është një muzikë e dëgjuar, që të jep shumë shpresë dhe kush i dëgjon këto tinguj, jam i sigurt se do të rrisë produksionet e tij në punë gjatë ditës. Është muzikë shumë e mirë edhe për pesimistët, sepse merr shumë kurajë dhe shpresë. Është muzika e të gjithëve, sepse ngacmon ndjesitë e çdo njeriu në Tokë”, - përfundon Arjan Sukniqi.

Kuptimi

“Carmina Burana” është një vepër e shfaqur që në vitin 1036 në Mynchen të Gjermanisë, në kuadër të hapjes së Lojërave Olimpike të po këtij vendi. Për shumë vite me radhë krijimtaria është paragjykuar dhe ndalohej rreptësisht të vihej në skenë deri në vitet ‘90. Më pas ajo është vënë në shumë skena të botës. Por çfarë kuptimi ka në vetvete titulli i saj? Kjo pyetje është kënaqur nga dirigjenti i korit, Dritan Lumshi, i cili thotë se në vetvete titulli i kësaj vepre përkthehet ndryshe si “Kodiku i Buranës”. Struktura e kompozimit të këtyre këngëve është ndarë në katër faza të veçanta. E gjithë struktura e kompozimit të këtyre këngëve është bazuar edhe mbi rrotullimin e rrotës së fatit. Faza e parë është do të mbretëroj, faza e dytë është po mbretëroj, e treta ti mbretërove (që gjithmonë është në rënie) dhe faza e katërt dhe e fundit është nuk e kam më mbretërinë time. Kështu, mbi këtë filozofi është zhvilluar e gjithë vepra, e cila ndahet në pesë pjesë të ndryshme. Pjesa e parë është “Fati, perandori i botës”, pjesa e dytë është Pranvera, “Në tavernë”, është pjesa e tretë, Oborri i dashurisë”, e katërta dhe pjesa e fundit është “Placiflor dhe Helana”, të cilësuara si pesë blloqet më të mëdha të premierës.

Kjo është një vepër që është vënë edhe më parë në skenën tonë, por jo siç do të vijë më datë 3 tetor në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Është tërësisht e inskenuar dhe ndryshimi qëndron tek pjesëmarrja e baletit, si dhe ilustrimi i vokalit me koreografinë njëkohësisht.

“Dita e verës”, nesër në një ekspozitë

“...Taso është një fenomen për mua... tek Pogradeci ai sheh gjithçka, tamam si një fallxhor, që i mjafton një filxhan kafeje për të kuptuar të ardhmen, edhe atij një gur i këtij vendi i jep vizione, d.m.th. ai gati-gati është profetik. Për mua, Taso është ndër piktorët e mëdhenj shqiptarë, një emër që do të rezistojë dhe e vërteta e pikturës së tij, dëshmia e tij nëpër telajo dalëngadalë do të njihet nga njerëzit…”, - shprehet prof. Gazmend Leka lidhur punën e piktorit Ansatas Kostandini (Taso), i cili nesër pritet të çelë një ekspozitë vetjake me titull “Wine Day”. Nga data 16 e deri më datë 30 shtator të këtij viti në Galerinë Kombëtare të Arteve do të çelet dhe do të qëndrojë hapur për publikun ekspozita e piktorit Anastas Kostandini – Taso, për kurimin e së cilës është kujdesur Ylli Drishti. Autori do të ekspozojë një koleksion prej 40 veprash në teknikën e vajit dhe teknikë miks, si dhe priret të sjellë edhe imazhet e krijuara nga vetë artisti gjatë viteve 2004-2008. Taso, tashmë një artist me emër, njihet nga publiku shqiptar dhe ai jashtë tij, veçanërisht për mënyrën e tij të veçantë realiste të pikturimit, të një realizmi magjik. Por, ai ka shfaqur edhe prirje drejt kubizmit dhe shpesh në punimet e tij ai kalon nga realja tek irealja, nga përfytyrimet e imazheve gjysmëabstrakte drejt dekorativitetit, nga një tonalitet i ngrohtë gati monokrom në dizonanca koloristike. Nga piktori Kostandini, duke filluar nga viti 1979, Galeria Kombëtare e Arteve ruan një koleksion prej 20 veprash të realizuara në vaj dhe në gjininë e grafikës në dru.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›