Arritjet e Shqipërisë, Basha sot takim me Olli Ren
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, pritet të udhëtojë gjatë mesditës së sotme në Bruksel, ku do të takohet me Komisionerin e Zgjerimit të KE-së, Olli Ren. Takimi mes dy personaliteteve do të ketë në qendër të gjithë gamën e zhvillimeve në vend. Veçanërisht, takimi me Komisionarin e Zgjerimit, Ren, do të trajtojë avancimin e reformave në vend, rezultatet e progres-raportit, marrëveshjen e liberalizimit të vizave etj. Ky raportim nga ana e ministrit shqiptar do të jetë i nevojshëm për BE-në, në kohën kur Shqipëria pritet të dorëzojë vitin e ardhshëm kandidaturën e saj për të hyrë në BE. Aktualisht MSA-ja nuk është ratifikuar vetëm nga Gjermania dhe Greqia, të cilat kanë premtuar se do ta ratifikojnë brenda këtij viti. Kryeministri shqiptar, në intervistën thënë agjencisë “Reuters” pak ditë më parë, tha se vendi do të kërkojnë statusin e vendit kandidat në vitin 2009. Gjatë vizitës së pritshme në Bruksel, Basha pritet të konfirmojnë vullnetin e qeverisë dhe politikës shqiptare, për realizimin e reformave kyçe parlamentare. Kuvendi i Shqipëri po shqyrton reformën në drejtësi dhe atë elektorale, ndaj dhe interesi i BE-së në këto reforma ka qenë konstant. Krahas diskutimit për reformat, Basha do të diskutojë edhe marrëveshjen e liberalizimit të vizave. Detajet e takimit, si dhe rezultatet që ka arritur Shqipëria, do të bëhen të ditura në një konferencë të posaçme për shtyp, që do të mbahet pas takimit, ku Olli Ren dhe Lulzim Basha do të përgjigjen për interesin e medias. Në axhendën e takimeve, ministri shqiptar do të takohet edhe me Komisionerin e Drejtësisë në Komisionin Evropian, si dhe me drejtorin për Ballkanin, Pierre Mirel. Zhvillimet politike në vend, ecuria e procesit të reformave, lufta kundër korrupsionit, procesi i liberalizimit të vizave, çështje lidhur me progres-raportin dhe zhvillimet rajonale, janë temat e diskutimit mes ministrit Basha dhe Mirel. Ministri Basha pritet të vlerësojë dialogun politik mes BE-së dhe Shqipërisë për liberalizimin e vizave dhe dorëzimin e udhërrëfyesit, si një hap i rëndësishëm në kuadrin e dialogut për heqjen e vizave BE-Shqipëri. Shqipëria dorëzoi më 1 shtator 2008 kontributin e parë mbi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Situata në rajon, anëtarësimi në NATO, pavarësia e Kosovës si dhe mjaft çështje të tjera me rëndësi do të kenë hapësirë në takimin diplomatik mes palëve.