OPINION/Kërkesa serbe në OKB, burim tensionesh
Nga Petrit HALITI
Kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së njoftoi me komunikatë më 19 shtator se kishte miratuar që në rendin e ditës bashkë me 150 çështjet për t’u diskutuar në asamble, të përfshihej edhe kërkesa e Serbisë për një debat për t’i kërkuar mendim Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi...
... bazën ligjore të pavarësisë së Kosovës, presidenti serb, Boris Tadiç, nxitoi të bënte një riformulim të strategjisë serbe për Kosovën. Ai deklaroi se me këtë nismë në OKB, Serbia kërkon të transferojë çështjen e Kosovës nga fusha e politikës, në fushën e ligjit. Ky riformulim shpreh shqetësimin e presidentit serb dhe të diplomacisë serbe se ofensiva e tyre dhe e gjithë politika e Serbisë për çështjen e Kosovës, e ka komprometuar veten si një veprim politik në funksion të llogarive politike dhe elektorale të udhëheqjes serbe.
Efekti dhe objektivi kryesor i udhëheqjes serbe në nismën për debat në OKB për të kërkuar mendim nga GJND, duket se është në adresë të opinionit dhe elektoratit serb. Kjo është kaq e vërtetë, saqë shtetet perëndimore të cilat e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës, nuk kundërshtuan në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm që të përfshihej në rendin e ditës kërkesa serbe. Ministri i Jashtëm i Serbisë, V. Jeremiç, nuk i analizoi drejt shkaqet e këtij hapi perëndimor dhe u nxitua të vetëlavdërohej dhe ta klasifikonte si një sukses të diplomacisë së drejtuar prej tij, që shtetet perëndimore kryesore dhanë OK-in për futjen e kërkesës serbe në rendin e ditës.
Qëndrimi i SHBA-ve, Britanisë së Madhe apo Francës, është shumë i qartë dhe nuk lë vend për ndonjë ekuivok dhe as për ndonjë pikëpyetje se përse ato shtete u bashkuan në konsensusin për të përfshirë nismën serbe në rendin e ditës. Përfaqësuesja amerikane në mbledhjen për përcaktimin e rendit të ditës më 19 shtator, shpjegoi qartë se SHBA-të nuk e kundërshtuan futjen në rendin e ditës, sepse ato i përmbahen qëndrimit parimor për lirinë dhe të drejtën e futjes në rend të ditës të çështjeve të ndryshme. Përfaqësuesja amerikane e distancoi shtetin e vet nga nisma serbe. Shtetet perëndimore, që kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës, shprehën qartë qëndrimin e tyre në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm se veprimi i Serbisë për t’i kërkuar votim Asamblesë së Përgjithshme për një mendim të GJND-së për Kosovën, është një qëndrim i pastër politik. SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe shtete të tjera të BE-së i kanë shprehur zyrtarisht qeverisë së Beogradit, kundërshtimin për nismën diplomatike serbe dhe i kanë kërkuar të heqë dorë. Beogradi, nën nxitjen e Rusisë, nuk dëgjoi këshillën e Perëndimit, por intensifikoi përpjekjet për të siguruar mbështetje në botën e tretë, për votimin e ardhshëm në OKB.
Qëllimi i udhëheqjes serbe është të konsolidojë pozitat në frontin e brendshëm politik e elektoral dhe të neutralizojë akuzat e opozitës nacionaliste se ajo po braktis çështjen e Kosovës. Nëpërmjet kësaj nisme, udhëheqja serbe kërkon të lajë duart e t’i thotë opinionit të brendshëm se i ezauroi të gjitha përpjekjet, duke e dërguar çështjen në OKB dhe në GJND.
Presidenti Tadiç dhe ministri i tij i Jashtëm e dinë se opinioni i GJND-së, as nuk do të ktheje mbrapa historinë dhe as do të anulojë pavarësinë e Kosovës. Madje mendohet se nuk do të ketë efektet, që thuhen, as në procesin e njohjes, efekt i cili duket se po ekzagjerohet disi.
Procesi i njohjes diplomatike të Kosovës nuk është në varësi të mendimit, që mund të japë GJND. Njohja diplomatike është produkt i interesave të secilit shtet, i llogarive të tij politike dhe shtetërore, si dhe i marrjes parasysh të marrëdhënieve e të aleancave të tij dypalëshe apo shumëpalëshe. Sido që të jetë votimi në OKB apo mendimi i GJND-së, ato shtete që llogarisin se është më mirë ta njohin, do ta bëjnë këtë gjë, sikurse nuk do të ndikohen ato shtete, që nuk mendojnë ta njohin.
Efekti, për të cilin nuk po flitet shumë, janë tensionet që nisma serbe do të nxisë në Ballkan. Së pari, janë tensionet e reja në marrëdhëniet ndërballkanike. Shtetin e ri të Kosovës, disa shtete të rajonit e kanë njohur e disa jo. Këto janë shtete kufitare me Kosovën, pra që kanë të gjitha marrëdhënie ekonomike, tregtare, financiare, rrugore, energjie etj, e Kosovën. Deklarimet e njërit apo tjetrit shtet pro ose kundër në votimin në OKB do të kenë pasoja negative, ose në marrëdhëniet e tyre me Serbinë, ose në marrëdhëniet me Kosovën.
Së dyti, efektet do të shihen në tensionet e reja në politikat dhe situatat e brendshme në shtete të veçanta ballkanike. Sepse do të acarojë marrëdhëniet politike e nacionale brenda të njëjtit shtet. Në Bosnje, presidenca trepalëshe u përça lidhur me qëndrimin që do të mbajë shteti i Bosnjës në OKB për nismën serbe. Përfaqësuesi serb mbështeti qëndrimin e Beogradit, ndërsa përfaqësuesi boshnjak doli në përkrahje të qëndrimit të Kosovës. Në Maqedoni mund të pritet të acarohet më shumë ndarja mes partive politike shqiptare, që kërkojnë njohjen sa më të shpejtë të shtetit të Kosovës dhe partive politike maqedonase, që janë më afër qëndrimeve serbe. Në Mal të Zi mund të pritet të thellohet ndarja mes partive politike shqiptare, që bëjnë presion për njohjen e Kosovës, dhe partive politike malazeze, që kanë në konsideratë qëndrimin serb.
Një efekt negativ pritet të jetë në një plan më të gjerë ndërkombëtar. Konstatohet një angazhim i papritur dhe i pakuptueshëm në Ballkan i shteteve, të cilat nuk kanë shprehur e nuk kanë kurrfarë interesi strategjik për rajonin tonë. Është i papritur qëndrimi i ri i Indisë, Egjiptit, Algjerisë, Mianmarit, Argjentinës, të cilët me një emocion deri në absurd po demonstrojnë një zell diplomatik antikosovar deri në ekstrem. Duket si një përpjekje që vjen larg nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine, jo thjeshtë kundër Kosovës, jo thjeshtë për të përkrahur Serbinë për sytë e bukur dhe të harruar të Lëvizjes së të Paangazhuarve, por duket për një interes të paqartë për të krijuar tensione në rajonin e Europës Juglindore. Mbetet për t’u parë nëse ky interes për tensione në rajonin tonë vjen nga një linjë antiamerikane dhe antiatlantike e tyre, apo nga një koordinim strategjish dhe objektivash antiamerikane dhe antieuropiane të këtyre shteteve të botës së tretë me Rusinë, e cila po kërkon me agresivitet ndryshimin e ekuilibrave botërore në dëm të SHBA-ve dhe BE-së.
Kërkesa politike e Serbisë në OKB prodhon tensione të origjinave të ndryshme në rajonin tonë. Por këto zhvillime kërkojnë një politikë më të qartë nga BE-ja, një politikë kushtëzimi të integrimit europian, të cilën për fat të keq BE ka hezituar gjithmonë ta përdorë ndaj Beogradit, në një kohë që e ka zbatuar ndaj gjithë shteteve të tjera të rajonit. Sepse nuk mund të kuptohet pse BE-ja i jep Serbisë sihariqin se do t’i akordojë shpejt statusin e shtetit kandidat të BE-së, pikërisht ditën që Serbia paraqet kërkesën në Asamblenë e Përgjithshme për votim kundër pavarësisë së Kosovës. Me këtë dualizëm, as Serbia nuk bëhet më europiane, as shtetet e rajonit nuk inkurajohen dhe as siguria në rajon nuk fiton terren.
(d.b/GazetaShqiptare/Balkanweb)