Casimiro De Brito rrëmben Poetekën
DURRES- Edicioni i katërt i "Poetekës" mbyll siparin në qytetin bregdetar të Durrësit. Këtë vit "Unaza e Poetekës" ka shkuar për poetin portugez, Casimiro De Brito. Ndërkohë që gjatë ceremonisë së organizuar në mjediset e Muzeut Arkeologjik janë ndarë edhe çmimet e tjera të festivalit. Çmimi "Liburna", për poetin që ka botuar krijimtarinë më të mirë në faqet e revistës "Poeteka" gjatë vitit 2007-2008 shkon për Natasha Lakon,"Nositi" për Lindita Arapin dhe çmimi “Criterion” për revistën “Mehr Licht” . Poeti holandez Arjen Duinker performoi vargjet e shkruara prej tij të dielën në Durrës në një shkallë lëvizëse, duke tërhequr vëmendjen dhe duartrokitjet e të pranishmëve. Gjatë kësaj jave poetët e ftuar nga Kosova, SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda, Portugalia, Zvicra, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Rumania, Rusia, Belgjika dhe Shqipëria morën pjesë dhe ishin protagonistë në 27 veprimtari poetike të ndryshme si lexime letrare të formateve të ndryshme, diskutime të tryezës së rrumbullakët mbi poezinë, letërsinë për fëmijë, përkthimin, si dhe koncerte, performanca, ekspozita pikture, panaire të librit, një (ob)SESION mbi një temë- fokus, prezantime të letërsisë bashkëkohore dhe kulturave të pjesëmarrësve, një seancë - ad honores, një guidë nëpër vendet historiko-arkeologjike dhe turistike, si dhe disa botime letrare.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)