Louise Chisson Nxënësja franceze e Papavramit në Argjiro
Kur ishte 3 vjeç, pati kontaktin e parë me një copëz Shqipëri. Paralelisht me të, edhe me violinën. Që prej shtatorit 1992, Louise Chisson kishte një program të përcaktuar qartë në jetën e saj. Fëmija 3-vjeçar, që sot është një violiniste e njohur shkonte në "Qendrën Pierre Rode de Gradignan", diku në periferi të Bordosë, për marrë mësime violine nga mjeshtri shqiptar, profesori i violinës Robert Papavrami. Pas emigrimit në Francë, për Papavramin, mësimdhënia u kthye në një shprehi të jetës së tij atje. Prej dorës së tij kanë dalë sot dhjetëra violinistë në zë. E një prej tyre është edhe Louise, e cila gjendet këto ditë në Shqipëri, e ftuar për të interpretuar muzikë në Gjirokastër, qyteti rreth të cilit i ka folur shpesh ish-profesori i saj, Papavrami. Violinistja Chisson ka dhënë një koncert mbrëmjen e së dielës, e shoqëruar nga pianistja shqiptare, Silva Skënderi, në natën e tretë të Festivalit Ndërkombëtar "Takimi Muzikor mes dy botëve", të organizuar në kështjellën shumëshekullore të Gjirokastrës. Në këtë koncert violinistja franceze interpretoi "Devil's Trill Sonata", "Ciaconna", "Der Erlkönig", "Scherzo-Tarantella", "Mazurka", "Koha e 3-të", etj.
Louise Chisson, e lindur në Bordo të Francës, i kujton si sot mësimet e para që ka marrë nga profesor Papavrami, dhe nuk fsheh kënaqësinë e kësaj vizite në Shqipëri. "Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam shumë e lumtur që mora pjesë në këtë festival", - tha violinistja, duke shprehur kënaqësinë që më së fundi ka mundur "të shoh këtë vend kaq të bukur me njerëz mikpritës". Louise ka kujtuar rrëfimet rreth Shqipërisë, që ka përvetësuar përmes profesorit të saj Papavrami. "Kam dëgjuar shumë për vendin tuaj nga profesori im, Robert Papavrami dhe jam e lumtur që Ilda Mara më ftoi të luaj në këtë kala kaq impresionuese", - u shpreh pas koncertit violinistja Louise Chisson. Në vitin 2000 ajo interpretoi Koncertin Nr. 5, të Vieuxtemps, me Orkestrën Simfonike Europiane, nën drejtimin e Kristian Florta, në Bordo të Francës. Që prej vitit 2002 ajo vazhdon të japë recitale në skena të rëndësishme të Francës.
Në gusht 1998 ajo u pranua në Konkursin e 32-të Ndërkombëtar të Violinës, "Tibor Varga" në Zvicër. Një vit më parë, ajo fitoi çmimin e madh të të gjitha kategorive në konkursin e 8-të Ndërkombëtar të instrumentistëve të rinj në Lille. Ndërsa gjashtë vite më vonë, në Bolonjë (Itali) fitoi çmimin e madh të konkursit të violinës "Alfredo Zanella".
E mësuar me skenën që në moshë të vogël, ajo ka dhënë një numër të madh koncertesh recitale me orkestrën e Normandisë, solistët Moske-Montpelier, orkestrën e Dhomës së Moskës nën drejtimin e Konstandin Orbelian, Orkestrën Kombëtare të Lituanisë, Orkestrën Kombëtare të Ukrainës si dhe në shumë festivale si soliste në Monako, Montpelier, Porto-Vechio dhe Barcelone.
Pas mbylljes së interpretimit të saj, Louise i ka lënë vendin në pjesën e dytë të koncertit një grupi shqiptar. Ishte menduar programi të vijonte me grupin "Bilbilenjtë e Progonatit" (Tepelenë), të cilët përcollën tek publiku traditën e iso-polifonisë të Labërisë me këngë patriotike, historike etj. Ndërthurja e tingujve të violinës me polifoninë e grupit "Bilbilenjtë e Progonatit" i dhuruan publikut një natë të veçantë, ku dy botët u ndërthurën natyrshëm në kështjellën e qytetit të Gjirokastrës.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkaWeb)