E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skender Kamberi: Sot, Shqipëria është lakuriqe

Nga Oliverta Lila
Piktori ka zgjedhur për të ripikturuar në muret e Galerisë së Arteve një tablo të tijën, të cilën pas shkatërrimeve të '90-ës e gjeti në një kosh plehrash, "Shqipëria sot". Partizania e vitit '69 transformohet në një nudo 

TIRANE- Dikur as që do t'i kishte shkuar në mend që Shqipërinë ta mendonte si një nudo. Trupi i një femre pa kokë të tërheq vëmendjen sapo hyn në katin e dytë të Galerisë së Arteve, aty ku sot do të çelet ekspozita me vepra të ripikturuara të realizmit socialist. Skënder Kamberi është një prej piktorëve. Ai ka zgjedhur për të punuar mbi tablonë "Shqipëria e luftës". Por partizania me pushkë, zëvendësohet në tablonë e re me një nudo, në imazhin e së cilës Kamberi sheh Shqipërinë e sotme, të mbërthyer nga ethet e parasë.
Ju keni vendosur të ripikturoni një tablo që nuk gjendet në fondin e Galerisë së Arteve, por në shtëpinë tuaj. Çfarë historie mbart kjo pikturë?
Në tablonë origjinale është Shqipëria e viteve 12-20, kur në Kongresin e Lushnjës, përveç përpjekjeve të diplomacisë shqiptare për konsolidimin e Pavarësisë së Ismail Qemalit, u vunë re se shumë forca ushtarake serbe, greke dhe italiane deshën të sundonin tokën shqiptare. Pikërisht për këtë periudhë, në vitin 1969 unë bëra këtë tablo, e cila do të ekspozohej në muze. Në fillim të viteve të demokracisë, pas shkatërrimeve të mëdha, më lajmëruan se ajo ishte hedhur në një kosh plehrash. Më erdhi keq për këtë vepër. E mora, e restaurova nga dëmtimet e shumta dhe e ruaj edhe sot. Ishin ideatorët e kësaj ekspozite që e zgjodhën për ripikturim.
Në këtë ripikturim e keni ndryshuar pothuajse tërësisht tablonë. Ky është koncepti juaj për Shqipërinë sot?
E kam simbolizuar Shqipërinë lakuriq. Një nudo e bukur, ashtu siç është Shqipëria, por fatkeqe sepse bëhet pre e parellinjve.
Ajo e ka hequr bluzën e kuqe, simbolin tonë. Në tablonë e parë ajo është kundër tre agresorëve që e sulmojnë me armë, sot ata sulmojnë me para. Figura ime nuk është një krijim kapriçoz i një artisti, por refleks i një realiteti të sintetizuar në pikturë. Ne kemi një shoqëri në paradoks. Flitet për korrupsion, kur atë nuk e bën as fshesari, as fshatari, por kapitalistët e rinj. Rruga 20-vjeçare e qeveritarëve të Shqipërisë nuk është e admirueshme. Këtu ndjenja sociale është e mohuar, madje edhe e urryer sa ngrenë frazën "ky popull kështu e meriton".
Ju jeni piktor i dy epokave. Si ka ndryshuar ajo që reflekton në pikturë?
Unë jam piktor realist. Është kënaqësia ime që Shqipërisë t'i lë vepra të një epoke ku jetoj. Atëherë ishte socializëm, unë bëra realitetin socialist, për të cilin nuk jam bërë pishman. Është puna e një gjysmë shekulli dhe nuk mund të mohohet. Tani jemi në marrëdhënie kapitaliste, që as të tilla nuk janë mirëfilli, por nuk ke se çfarë emri t'i vësh. Më pëlqen piktura moderne, por në përmbajte i kushtohem dhe jam i detyruar të bëj kohën ku jetoj.
Ideja e këtij procesi ripikturimi është përpunimi i lirë i tablove të mëparshme. Ju ka munguar liria?
Unë dija një gjë të saktë, Partia thoshte Diktatura e Proletariatit ka të drejta dhe detyra. Edhe sot çdo shtet ka diktat. Unë nuk mund t'i kundërvihesha atij sistemi, kur kjo ndalohej dhe unë vet isha pjellë e tij, e pëlqeja ndonëse pati të këqija. Nuk e shihja shtypje, por detyrë për të qenë korrekt me rregullat shtetërore. Brenda tyre bëje art sa të doje.
Një pjesë e mirë e piktorëve në atë kohë kanë pikturuar tablo që i kanë fshehur. Keni pasur ju ndonjë të tillë?
Nuk kam punuar asgjë fshehurazi. Megjithatë kam qenë pak rebel në pikturë. Ndonëse vinin instruktorë, të cilët mund të ishin policë që bënin vërejtje në emër të klasës punëtore, unë nuk i zbatoja. Por i kam bërë të gjitha eksperimentet. Jam marrë edhe me kubizmin apo abstraktionizmin. Por për mua realizmi mbeti i përjetshëm. Nuk jam kundër atyre që aderojnë në rryma të ndryshme të artit, por veprat e mëdha klasike si Venusi, mana Liza e Leonardo da Vinçit apo pikturat e mëdha të impresionistëve francezë mbeten të paarritshme.
Po artin sot si e shihni, është në tranzicion?
Sot është pozitive se njerëzit u çliruan dhe preferojnë çdo rrymë. Nuk ka më agjitacion dhe propagandë që shtyp mendimet e artistëve. Por nga ana tjetër sot ka shumë zanatçinj duke spekuluar në emër të abstraksionit dhe modernizmit. Unë i quaj piktura të gabit. Kjo situatë nuk ka të bëjë me sistemin, por me talentin. Sot kemi imitues të shumtë të kubizmit, surealizmit, një prirje për t'u ngopur me një lloj lirizmi. Por kanë kaluar 18 vjet dhe ne kemi një largim gjithnjë e më shumë nga tradita e shëndoshë. Ngjyrat kuq e zi janë të tonat, drita e diellit po ashtu, natyra e bukur shqiptare. Rinia nuk del në peizazhe. Tashmë e kanë braktisur në emër të gjoja modernes duke marrë ca shina hekuri dhe i vënë në ekspozitë. Na manipulojnë me konceptin e artit, por ata nuk bëjnë dot pikturë.
Ju tremb e ardhmja?
Jo, Shqipëria ecën, por ngadalë. Ka agresorë të vazhdueshëm, por kjo nuk ka ndërprerë as zhvillimin, as artin.
Ju vjen keq që piktura që keni bërë do mbulohet?
Po. Nuk e dija që do godisja mirë. Por do ta bëj shumë më të bukur në një tablo tjetër me përmasa të mëdha. Është kollaj të bësh kritikë…
Cila është tabloja e fundit që po punoni në studion tuaj?
Sapo përfundova një tablo, që ma blenë. Tregonte motrën Antigonë që vete te kufoma e vëllait të vet dhe e varros. E bëra duke vendosur paralele me realitetin e sotëm shqiptar, ku për hir të parasë po vrasin vëllai-vëllanë. Realiteti më ngacmon dhe unë reagoj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›